Bahtiri: AKR-ja s’e voton as Kadri Veselin e as Qeverinë e PAN-it

Aktuale July 17, 2017 - 11:33

Pavarësisht raportimeve të fundit se deputeti nga radhët e AKR-së, Labinot Tahiri, do ta votojë Ramush Haradinajn për kryeministër, nënkryetari i AKR-së Agim Bahtiri ka thënë se asnjë deputet i AKR-së nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

“Asnjëherë, në asnjë mënyrë, në asnjë formë AKR-ja nuk e voton PAN-in. Ajo është e kryer. Ne si parti jemi unikë, jemi duke bërë biseda me LVV-në”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Bahtiri më tej është shprehur i vendosur se PAN-i do të dështojë ta formojë Qeverinë.

“PAN-i d të dështojë, Qeverinë do ta bëjë koalicioni që i ka votat”, ka potencuar ai, me ç’rast ka shtuar se AKR-ja nuk do ta votojë as Kadri Veselin për kryeparlamentar, transmeton zeri.info.

Ndërkaq deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Shqipe Pantina, ka thënë se seanca konstituive duhet të thirret sa më parë nga ana e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

“Presidenti i vendit e ka për obligim që sa më parë ta thërrasë seancën konstituive në mënyrë që të marrë fund kjo lojë nervash me qytetarët e vendit rreth punës së numrave për formimin e Qeverisë”, ka deklaruar ajo, transmeton zeri.info. 

Sipas Pantinës, Thaçi duhet ta mandatojë kandidatin e PAN-it fillimisht, kurse pas dështimit të tij, siç thotë ajo, ta mandatojë atë të “Vetëvendosjes”.?Zeri