Kosova dëmtohet nga tregu i përbashkët rajonal

Aktuale July 14, 2017 - 08:13

Ekspertët e ekonomisë në vend thonë se nga Plani për Zonën Rajonale Ekonomike, të miratuar në Samitin e Triestes, Kosova më shumë do të humbasë sesa pritet që të përfitojë. Sipas tyre, shtetet e vogla si Kosova pësojnë humbje në marrëveshje tregtare ekonomike për shkak të politikave doganore dhe zhvillimit të ulët ekonomik, shkruan sot, gazeta Zeri.

Në Samitin e Triestes gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor kanë miratuar Planin për Zonën Rajonale Ekonomike (MAP), e cila për qëllim ka përgatitjen e këtyre vendeve për anëtarësim në BE.

Megjithatë, përkundër kësaj, ekspertët e ekonomisë në vend thonë se nga ky Plan Kosova më shumë do të humbasë sesa pritet që të përfitojë. Sipas tyre,shtetet e vogla si Kosova pësojnë humbje në marrëveshje tregtare ekonomike për shkak të politikave doganore dhe zhvillimit të ulët ekonomik që ka vendi ynë, shkruan Zeri.

Kurse përfitimet mund të jenë në rrugën e integrimit në tregun evropian, fushës së energjisë e në lëvizje të lirë. Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike (OEK) pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Triestes e ka konsideruar frytdhënës për fushën e energjisë. Sipas tij, kjo është një mundësi e mirë për Kosovën për bashkëpunim me vendet e rajonit.

“Pjesë e rëndësishme janë projektet në energji dhe në transport, që krijojnë korridore të reja dhe lidhje në korridore ekzistuese për të gjitha vendet e Ballkanit, si dhe mundësi për avancim drejt një tregu të përbashkët rajonal energjetik për ta shfrytëzuar potencialin komplementar të burimeve energjetike në rajon”, ka thënë Rukiqi.

Sipas tij, këtë vit risi është edhe Plani i Veprimit për një hapësirë ekonomike regjionale, që ka si qëllim krijimin e mundësive për tregti dhe investime, pa barriera, në një hapësirë prej 20 milionë banorësh, që mëton të jetë hapësirë më atraktive për investime të huaja. Kurse, rreth asaj se sa mund të jetë i përshtatshëm një treg i tillë për Kosovën, Rukiqi ka thënë se përparësi është integrimi në tregun evropian dhe mundësia për lëvizje të lirë. Në të kundërtën, sipas tij, shtetet e vogla si Kosova pësojnë dëme të mëdha. “Kosova do të përfitojë vetëm nëse në njërën anë BE-ja seriozisht qartëson pengesat politike dhe juridike të pjesëmarrjes së Kosovës në çdo iniciativë, që ka si qëllim integrimin më të shpejtë në tregun evropian, duke ushtruar presion mbi Serbinë dhe Bosnjën për të krijuar kushte edhe për lëvizje të lirë të personave, që është parakusht për çdo bashkëpunim. Në kushte të rregullave që nuk zbatohen njëjtë për të gjithë dëmet janë shumë të mëdha, sidomos për shtetet e vogla. Gjithashtu, parakusht tjetër esencial për përfitime nga këto iniciativa është edhe liberalizimi i vizave”, ka thënë ai. Më tutje, Rukiqi ka shtuar se institucionet tona duhet t’i kthejnë sytë kah zhvillimi ekonomik pasi jostabiliteti politik që po karakterizon vendin po krijon pengesa të kapen trende zhvillimore me rajonin dhe po e vendosin Kosovën në pozitë inferiore në iniciativa të ndryshme, duke përfshirë edhe këto që janë pjesë e Procesit të Berlinit. 

Unioni Doganor ka kritere që s’i përshtaten Kosovës

 Musa Limani, njohës i çështjeve ekonomike, është shprehur i bindur se Samiti i Triestes e dëmton Kosovën. Sipas tij, janë kriteret që do t’i vendosë unioni doganor e që Kosovës, si një vend me ekonomi të dobët, nuk i përgjigjet. Ai ka bërë thirrje për krijimin e një unioni ekonomik me Shqipërinë. “Evropa ka bërë disa tentime për ta bërë një treg në Evropën Juglindore, përkatësisht në Ballkanin Perëndimor, që ka qenë CEFTA, për t’i përgatitur vendet ballkanike për tregun evropian, mirëpo nuk ka ndonjë sukses dhe të njëjtën gjë po tenton tani ta bëjë një treg të përbashkët ballkanik”, ka thënë Limani. Më tutje ai ka shtuar se nga aspekti ekonomik, duke pasur parasysh nivelin e zhvillimit ekonomik të Kosovës, një treg i përbashkët ballkanik nuk i përgjigjet Kosovës për arsye se të gjitha vendet përreth neve janë më të zhvilluara. “Unioni Doganor ka disa kritere. Në qoftë se bëhesh anëtar i Unionit Doganor, që po tenton Evropa ta bëjë me vendet e Ballkanit Perëndimor, atëherë ajo marrëveshje kushtëzon që të gjitha vendet anëtare t’i nënshtrohen një sistemi ose një kriteri dhe ata i caktojnë pastaj politikat fiskale të përbashkëta, që nuk i përgjigjet Kosovës, por u përgjigjet vendeve të tjera”, ka thënë Limani.  

Kurse Ibrahim Rexhepi, ekspert i ekonomisë, ka thënë se Samiti i Triestes do t’i sjellë Kosovës më shumë shanse për zhvillim ekonomik. “Krahasuar me vendet tjera, Kosova ka një zhvillim shumë më të ulët. Mirëpo, pjesëmarrjen në samite dhe projekte të tilla më shumë e shoh si shans për ngritjen e standardeve dhe për ngritjen e mundësive për Kosovën sesa si problem”, ka thënë ai.

Kjo marrëveshje në disfavor për shtetet si Kosova

Haki Abazi, njohës i çështjeve politike, ka thënë se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm dhe se pjesëmarrja e Kosovës në një samit, si ai i Triestes, i hap rrugë Kosovës për antarësim në Asociacionin e Transmisioneve Evropiane. Ai ka përmendur pengesën që po ia bën Serbia, sidomos në fushën e energjisë elektrike, pas ndërtimit të Transmisionit të Energjisë, që e lidh Kosovën me Shqipërinë. “Është një gatishmëri që në mënyrë të përsëritshme të sigurohen shtetet aspirante se anëtarësimi në BE është perspektive reale dhe kjo po bëhet nga lidershipi më i lartë i BE-së, duke u përkrahur nga kancelaria gjermane Merkel, presidenti Makron i Francës dhe të tjerët, por lidershipi Ballkanik, sidomos ai serb, është sabotues, ngadalësues dhe po provon që me çdo mënyrë të krijojë hapësirë për avantazh”, ka thënë ai duke shtuar. “Në anën tjetër ka mungesë të kryerjes së detyrave të shtëpisë. P.sh. në vend se të investohet në autostrada dhe në projekte që Kosova ka investuar në dhjetë vjetët e fundit, do të duhej të investonte në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për ta rritur konkurrencën në tregun rajonal. Marrëveshjet tregtare ekonomike janë në disfavor të atyre vendeve që nuk prodhojnë dhe Kosova prodhon fare pak, dhe rrjedhimisht këto marrëveshje janë të dëmshme”, përfundoi ai.

Procesi i Berlinit ka si qëllim ofrimin e një platforme politike dhe ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke i mbajtur këto vende të angazhuara për paqe dhe stabilitet në rajon, në kohën kur procesi i integrimit ne BE ka ngecje. Në çdo vit në samite të ndryshme, duke përfshirë edhe të fundit në Trieste, propozohen masa të reja ose mekanizma për implementim të masave të propozuara nga samitet e kaluara me qëllim të stimulimit të zhvillimit ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë pjesë e BE-së.