PAN-i, para testit të madh

Aktuale July 13, 2017 - 08:00

Liderët e koalicionit PAN mund të kenë dalë të fituar nga betejat e luftës, mirëpo kjo që po u paraqitet tani, në paqe, duket se do t’i sfidojë përtej pritshmërive të tyre. Haradinaj tashmë ka humbur betejën e parë pas refuzimit që ia bënë LVV-LAA-ja, por a do ta humbë edhe luftën, kjo mbetet të shihet gjatë javës së ardhshme. Ora ka nisur të ecën prapa për të, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Beteja e paqes po del më e vështirë sesa kanë parashikuar “Krahu i luftës” apo liderët e koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN).

Kur tashmë numërimi së prapthi ka nisur për fromimin e Qeverisë, ata ende nuk kanë siguruar numrat e nevojshëm për ta bërë atë.

I nominuari për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj, edhe dje u zotua para shefes së Zyrës së BE-së, Natalya Apostolova, se shumë shpejt do t’i krijojë institucionet, shkruan "Zëri".

Por, premtimi i tij pas rezultateve të para që dolën nga zgjedhjet, se javën e parë do ta formojë Qeverinë, tashmë duket i pamundur.

E, analistët e shohin të vështirë edhe në javën e dytë, të tretën apo gjatë tërë muajit. Ata madje nuk përjashtojnë mundësinë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje. 

E për t’ia vështirësuar punën Haradinajt po përkujdesen edhe dy blloqet tjera politike, lëvizja “Vetëvendosje” dhe koalicioni LAA.

Pas refuzimit që ia bënë ftesës së Haradinajt për takim, përfaqësuesit e këtyre partive thonë se në mesin e tyre nuk ka votë për qeverinë “Haradinaj”.

Haradinaj siguron Apostolovën për krijim të shpejtë të institucioneve

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, ka pritur gjatë ditës së djeshme në një takim shefen e zyrës së Bashkimit Evropian, Natalya Apostolova.

Sipas një kumtese të lëshuar nga AAK-ja, Haradinaj është zotuar për formim të shpejtë të institucioneve.

“Kryetari Haradinaj tha se Kosova shumë shpejt do t’i formojë institucionet e reja në përputhje të plotë me vullnetin e shpehur të qytetarëve në zgjedhjet e 11 qershorit”, thuhet në këtë kumtesë.

Sipas këtij njoftimi, i pari i AAK-së dhe Apostolova diskutuan edhe për proceset e integrimeve, me ç’rast Haradinaj tha se agjenda e integrimeve do të jetë në krye të prioriteteve gjatë mandatit qeverisës.

Nga ana tjetër nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, në një prononcim për “Zërin” tha se Qeveria e re do të formohet në afatin e parë kur do të vendoset në rend dite.

“Qeveria do të konstituohet në afatin e parë kur ajo do të jetë në rend dite. Paraprakisht, siç mund të jeni edhe ju në dijeni, duhet të konstituohet Kuvendi i Kosovës me organet e tij, kryetarin e Kryesinë dhe pastaj vazhdojmë tutje”, është shprehur ai.

Hoti: PAN-i s’i ka numrat, LVV-ja do të angazhohet për formimin e Qeverisë

Kurse zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Shkodran Hoti, ka thënë se koalicioni PAN nuk i ka numrat e nevojshëm për ta formuar Qeverinë.

“E kemi thënë edhe më herët se deklaratat që jep PAN-i janë për të shkaktuar huti në opinion. Është fakt që dihet nga të gjithë se PAN-i nuk i ka numrat, pra i ka vetëm 59 deputetë që mund ta votojnë Haradinajn, nëse këtë e bëjnë gjithë deputetët e minoriteteve”, ka deklaruar ai.

Më tej Hoti ka thënë se “Vetëvendosje” do të angazhohet për ta bërë Qeverinë, meqë, sipas tij, PAN-i do të dështojë po që se nuk do të ketë kontrabandim të deputetëve.

“Duke marrë parasysh qëndrimin e koalicionit LAA, i cili vazhdimisht është shprehur kundër një koalicioni me PAN-in dhe nëse pamundësohet kontrabandimi i deputetëve, është rrjedhim i natyrshëm dështimi i PAN-it. Prandaj, ne do të angazhohemi që ta formojmë Qeverinë duke formuar një koalicion parimor dhe të qëndrueshëm”, ka shtuar ai.

Haziri: Nuk vjen në shprehje koalicioni me PDK-në

Ndërkaq edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, është shprehur i bindur se koalicioni PAN nuk i ka votat e nevojshme për ta formuar Qeverinë e re.

Sipas tij, asnjë deputet i LDK-së nuk do të dalë e t’i bashkohet radhës së PAN-it.

“Ata nuk i kanë votat dhe nuk ka mundësi të ndodhë ajo që dikush prej 29 deputetëve të koalicionit të LDK-së të dalë nga grupi parlamentar. Qytetarët ia dhanë legjitimitetin dhe besimin LDK-së dhe ‘Vetëvendosjes’, jo koalicionit ‘pam-pam’”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Megjithëkëtë, sipas Hazirit, nuk ka nevojë që vendi të shkojë në zgjedhje të sërishme. Kjo pasi, sipas tij, ajo që e bën Qeverinë do të jetë LDK-ja dhe “Vetëvendosje”.

“Nuk ka nevojë të shkojë vendi në zgjedhje. Në diskrecion, ai që e bën shumicën parlamentare, në këtë rast është LDK-VV-ja, pra 61 deputetë, që është shumicë politike dhe shqiptare, ndërsa me minoritetet shkon nga 71 deri në 82 deputetë. Pra, ne e kemi mundësinë ta krijojmë shumicën politike dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, ka thënë se nuk ka asnjë mundësi që LDK-ja të bashkëpunojë sërish me Partinë Demokratike të Kosovës.

“Definitivisht PDK-ja i ka rrënuar urat e bashkëpunimit. Nuk vjen në shprehje koalicioni ose parneriteti me ta. Ata e kanë problem të bashëkpunojnë me LDK-në, për asnjë ligj, për asnjë proces politik në këtë fazë. Ndërsa, opsionet tjera janë të hapura sepse LDK-ja e ka interesin e vet”, ka shtuar ai.

Ibrahimi: PAN-i mund të dështojë në sigurimin e votave

Nga ana tjetër, analisti politik Ilir Ibrahimi ka thënë se ekziston mundësia që PAN-i të dështojë ta formojë Qeverinë, megjithëse sipas tij vetëm në seancën kur pritet të votohet mund të dihet saktësisht një gjë e tillë.

“Për momentin deklarimet e subjekteve politike janë vetëm deklarata me qëllime taktike dhe vetëm kur të vijë momenti i votimit në Kuvend do të mundë ta konstatojmë vërtetësinë e tyre. Nisur nga rezultati zgjedhor, ekziston një shans real që PAN-i ta dështojë sigurimin e votave të nevojshme për formimin e Qeverisë dhe kjo do ta hapte një kapitull tjetër ku nuk mund të përjashtohen as zgjedhjet”, ka deklaruar ai.

Ibrahimi më tej ka thënë se e tërë kjo situatë do të mund të kalohej me anë të një kompromisi që, sipas tij, i mungon skenës politike.  

Kurse Artan Murati, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se koalicioni PAN aktualisht është në një pozitë aspak të favorshme.

“PAN-i është në një situatë paksa të komplikaur për momentin, për faktin se edhe së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë nuk mund t’i arrijë 61 votat e nevojshme për konstituimin e Qeverisë. Do të thotë detyrimisht i duhet ose ndonjë subjekt politik, ose deputetë të zgjedhur pa partitë, për t’iu bashkangjitur që ta themelojë Qeverinë”, ka thënë ai.

Sipas Muratit, mundësia e vetme që PAN-i ta bëjë Qeverinë është që t’i bindë deputetët e partive në mënyrë individuale.

Porse, ai ka thënë se ekziston mundësia që PAN-i të dështojë në bërjen e Qeverisë.

Madje, sipas tij, ekziston mundësia që të shkohet në zgjedhje të sërishme.

“Gjithsesi, janë disa mënyra të parapara me Kushtetutë se si vendi mund të shkojë në zgjedhje. E para, e dimë nëse nuk arrihet të votohet Qeveria edhe pas mandatarit të dytë dhe disa mënyra të tjera, të parapara me Kushtetutë”, ka nënvizuar Murati.