Mustafa: Kosova e përkushtuar për bashkëpunim rajonal

Aktuale July 12, 2017 - 21:17

Kryeministri i Kosovës në largim, Isa Mustafa, i cili po merr pjesë në Samitin e Triestes, është ankuar ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës duke kërkuar eleminimin e barrierave në lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave.

Mustafa, ndërkohë nëpërmjet një shkrimi në Facebook, nuk ka treguar nëse e ka pranuar planin e BE'së për bashkëpunim rajonal.

Të nderuar miq,

Mora pjesë sot në Samitin Triestes, ku ishin të pranishëm liderët e disa shteteve të BE-së dhe kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në takimin qendror ku ishin të pranishëm edhe kryeministri i Italisë, njëkohësisht organizatori i Samitit, Paolo Gentiloni, kancelarja Gjermane, Angela Merkel, presidenti i Frances, Emmanuel Macron, sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini e personalitete të tjera, theksova përkushtimin e Republikës së Kosovës për rrugën integruese evropiane si dhe i njoftova për zhvillimet aktuale dhe perspektivën e proceseve në Kosovë.

Njëkohësisht, theksova vendosmërinë e Republikës së Kosovës për bashkëpunim rajonal, duke kërkuar që Serbia dhe Bosnja e Hercegovina të eliminojnë barrierat në lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave si dhe barrierat tjera të Serbisë në energjetikë e fusha të tjera.

Nënshkruam edhe Traktatin e Komunitetit të Transportit, marrëveshje me rëndësi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit si dhe në raport me BE’në dhe shtetet e saj.