Haradinaj siguron Apostolovën për krijim të shpejtë të institucioneve

Aktuale July 12, 2017 - 15:20

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në një takim shefen e zyrës së Bashkimit Evropian, Natalya Apostolova, raporton Zeri.info.

Sipas njoftimit të AAK-së, Haradinaj dhe Apostolova kanë diskutuar për kirjimin e institucioneve të reja, tash pas certifikimit të rezultateve nga KQZ.

“Kryetari Haradinaj dhe Ambasadorja Apostolova biseduan për procesin e krijimit të institucioneve të reja në vend pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror Zgjedhor”, thuhet në njoftim.

Haradinaj me këtë rast, u zotua se Kosova shumë shpejt do t’i formojë institucionet e reja në përputhje të plotë me vullnetin e shpehur të qytetarëve në zgjedhjet e 11 qershorit.

Në këtë njoftim tutje, thuhet se i pari i AAK-së dhe Apostolova diskutuan edhe për proceset integruese për Kosovën.

“Të dy bashkëbiseduesit folën edhe për proceset e integrimeve evro-atlantike për Kosovën dhe rëndësinë e përshpejtimit të zbatimit të Agjendës së Reformës Evropiane në rrugën e integrimeve. Kryetari Haradinaj theksoi se agjenda e integrimeve evro-atlantike do të jetë në krye të prioriteteve në politikat dhe vendimmarrjen qeverisëse gjatë mandatit qeverisës katër vjeçar”, thuhet tutje./Zeri