Thaçi: Me Mogherinin dhe Vuçiqin do të diskutojmë për vazhdimin e dialogut

Aktuale July 02, 2017 - 15:19

Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë do takohen nesër në Bruksel.

Hashim Thaçi ka shpjeguar përmes një statusi në llogarinë e vet në Facebook se cila është arsyeja e këtij takimi dhe cilat do jenë temat eventuale.

“Nesër, në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së bashku me zonjën Mogerini dhe presidentin e Serbisë, do të diskutojmë dhe shkëmbejmë idetë fillestare për mënyrën se si do të vazhdojmë dialogun në fazën e re dhe objektivat që synojmë të arrijmë në kuadër të procesit të normalizimit”, ka shpjeguar Thaçi.

“Ky është vetëm takimi fillestar në këtë fazë të re të dialogut, që dëshmon përkushtimin tonë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, që është kriter kyç për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO”.

Disa parti, sic është Lidhja Demokratike e Kosovës, me të dëgjuar për takimin, që nga BE u bë publik dje, ka lëshuar një komunikatë për media ku shprehte pakënaqësitë për këtë takim.

LDK shkruante se Thaçi s’e ka kredibilitetin e mjaftueshëm për të përfaqësuar Kosovën, pasi ai ka dëshmuar se i takon më shumë partisë së tij, sesa shtetit.

LDK ftonte edhe partitë e tjera të unifikohen në këtë kundërshtim.

Unitet ka kërkuar nga partitë edhe Thaçi, por ai për lënjëne  dallimit dhe bashkimin për interes shtetëror.

“Duke marrë në konsideratë detyrat e shumta që i presin institucionet e reja që duhet të krijohen pa humbur kohë, ftoj për unitet të gjitha partitë politike dhe institucionet e Republikës së Kosovës në të gjitha çështjet e interesit shtetëror”.

“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pikërisht një çështje prioritare e interesit shtetëror, prandaj unë do të punoj me këmbëngulje që të jemi të bashkuar si institucione shtetërore dhe parti politike parlamentare pa përjashtim”.