Dialog kryeministrash, jo presidentësh

Aktuale June 28, 2017 - 08:08

Njohësit e çështjeve politike në vend thonë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të kalojë në nivel presidentësh, pasi që, siç thonë ata, do të diskutohet për infrastrukturë, arsim, shëndetësi, etj. Sipas tyre, dialogu duhet të zhvillohet nga ekipe me ekspertë të fushave dhe të drejtohet apo të mbikëqyret nga kryeministri i ri, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Dialogu Kosovë – Serbi, i nisur para 6 vjetëve dhe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, duhet të udhëhiqet nga kryeministrat e dy vendeve dhe mos të kalojë në nivel presidentësh.

Kështu thonë njohësit e çështjeve politike, duke i komentuar disa deklarata se dialogu mes dy vendeve duhet të kalojë në nivel presidentësh tashmë kur në krye të këtyre institucioneve në Kosovë dhe në Serbi janë ish-kryeministrat Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq.

Thaçi para më shumë se një viti është zgjedhur president i Kosovës, pasi ka mbajtur dy mandate si kryeministër, ndërsa Vuçiq ditë më parë është betuar si president i Serbisë, duke kaluar po ashtu nga ekzekutivi i Serbisë.

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, thotë për Zërin se pasi që Ramush Haradinaj ta marrë drejtimin e Qeverisë së Kosovës, dialogu mes dy vendeve do t’i nënshtrohet një rikapitullimi.

“Nuk do të ketë rinisje të dialogut pa u bërë një rikapitullim i së kaluarës së tij. Pastaj është esenciale që të bëhet një kohë kornizë sa do të zgjasë tutje, duhet të parashihet njohja reciproke, temat duhet të jenë në nivel shtetesh, e jo siç ka qenë deri tani”, ka deklaruar Lekaj, duke shtuar se ka një mori çështjesh që duhet të riorganizohen në kuadër të dialogut.

LEXO EDHE: Kuvendi i akrabave

Në anën tjetër, kandidati për kryeministër nga lëvizja “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka deklaruar se dialogu me Serbinë nuk do të fillojë pa një rishikim të thellë.

“Dialogu i vjetër, ai i viteve 2011-2017, ka katër muaj që është ndërprerë. Ai dialog nuk duhet rifilluar verbërisht. Në të ka pasur shumë investim me pak dobi dhe jo pak dëme. Nga ai dialog Kuvendi i Kosovës ka qenë ose i përjashtuar, ose i keqpërdorur”, ka thënë Kurti.

Më tej, Kurti ka cekur marrëveshjet, që siç thotë ai, i kushtuan mjaft Kosovës.

“Produkti më famëkeq i tij ka qenë Marrëveshja e 25 gushtit 2015 për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (‘Zajednica’), e cila është nënshkruar në Bruksel gjersa Kuvendi ishte në pushim. Na nevojitet një komision hetimor parlamentar për t’i shqyrtuar dhe vlerësuar marrëveshjet e deritanishme me Serbinë si dhe për zbatimin, përkatësisht moszbatimin, e tyre”, ka deklaruar ai.

Kurse ministrja në largim, Edita Tahiri, duke folur për formatin e dialogut, ka thënë se një gjë e tillë do të përcaktohet nga vetë Qeveria, e cila pritet të udhëheqë me vendin.

“Për këtë çështje vendos Qeveria e re”, ka thënë shkurt Tahiri për “Zërin”.

Kraki: S’duhet të ketë Ministri për Dialog

Profesori universitar në Francë, Nezir Kraki, është i mendimit që dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë, sepse, siç thotë ai, është e vetmja mënyrë normale për t’i sqaruar keqkuptimet me Serbinë.

“Qasja e deritashme e Kosovës ndaj dialogut ka qenë e gabuar, sepse nuk ka mundësuar sqarimin e gati asnjë çështjeje të rëndësishme që lidhet drejtpërsëdrejti me jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës. Dialogu u bë politik derisa hallet e njerëzve s’ishin politike”, ka thënë Kraki, duke shtuar se ky dialog nuk do të duhej të kalojë në nivel presidentësh.

“Mendoj nuk ka nevojë të dialogohet në nivel presidentësh për problematika që lidhen me shëndetësi, me arsim, me infrastrukturë, me transport, etj. Dialogu duhet të bëhet nga ekipe me ekspertë të fushave dhe të drejtohet apo të mbikëqyret nga kryeministri i ardhëm. Nuk duhet të ketë as ‘Ministri të Dialogut’ sepse as postet, as emërtimet e tyre nuk mund të kryejnë punë kur synimet dhe strategjia e Kosovës nuk janë të qarta”, ka thënë Kraki.

Sipas tij, dialogu me Serbinë duhet të riformatohet urgjentisht.

“Deri tash dialogu i keqorganizuar e ka futur Kosovën në njëfarë ‘dyshtetësie’ me Serbinë, domethënë e ka bërë Serbinë bashkëpronare të shumë aspekteve shtetërore të Kosovës. Gjithçka sot e kemi në dy versione, versionin tonë dhe atë të Serbisë, duke e nisur që nga emri i Kosovës dhe flluskën e famshme të Edita Tahirit”, ka përfunduar Kraki.

Ekipe të reja dhe strategji të reja

Kurse njohësi i çështjeve politike, Dimal Basha, thekson se bisedimet Prishtinë – Beograd duhet të vazhdojnë në çdo mënyrë.

“Dialogu është proces që do të vazhdohet, me apo pa pëlqimin e partive që do të vijnë në pushtet. Ky dialog është sikur një loje shahu, ku edhe pse jemi në disavantazh, duhet vazhduar loja e njëjtë që e kanë nisur qeveritë e kaluara, mirëpo me lojtarë të rinj dhe strategji të re”, ka thënë Basha.

Edhe Basha vlerëson se dialogu me Serbinë nuk duhet të kalojë në nivel presidentësh, por vetëm të ketë një riformatim brenda tij.

“Dialogu me Serbinë kërkon ekipe të reja dhe strategji të re, pa pasur nevojë që të jetë në nivel presidentësh. Them ekipe të reja, sepse secila pjesë e bisedimeve përmban tema të ndryshme, ku nevojiten ekspertë të ndryshëm me strategji të reja”, ka shtuar ai.