Mediat gjermane: Socialistët me gjasa fitues në vendin ku mbillet më shumë kanabis
Agjencia gjermane e lajmeve, dpa vëren, se Partia Socialiste qeverisëse nën kryeministrin Edi Rama me gjasë është fituesja e zgjedhjeve të 25 qershorit.
Kjo parti mund të dalë fituese me deri në 79 mandate, bazuar në të dhëna të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. shkruan dpa.
Ndërsa demokratët opozitarë kanë arritur deri në 41 mandate, sipas mediave.
Ndërsa Partia Lëvizja Socialiste për Integrim mund të llogarisë me 20 mandate. Rezultatet nuk janë përfundimtare.
Por nëse prognozat verifikohen socialistët mund të qeverisin të vetëm, siç kërkonte kryeministri Edi Rama gjatë fushatës.
Sipas Ramës një mazhorancë e qartë e socialistëve do t’i jepte atij mundësinë të kryente reforma rrënjësore në Shqipëri.
Edhe media të tjera gjermane i kanë kushtuar vëmendje votimeve në Shqipëri.
Gazeta “Süddeutsche Zeitung” vëren të hënën (26.06) se votimet në Shqipëri kanë treguar interesin e ulët të votuesve. Në këto votime kanë marrë pjesë shumë më pak votues, se në zgjedhjet e fundit, shkruan gazeta gjermane.
“Socialistët qeverisës nën Edi Ramën kanë shanse më të mira për të fituar zgjedhjet krahasuar me demokratët në opozitë nën kreun Lulzim Basha.”
“Vendi ku mbillet më shumë kanabis”
Süddeutsche Zeitung e mbyll artikullin e saj duke theksuar se “Shqipëria është një nga vendet më të varfa dhe më të korruptuara të Europës. Krahas kësaj ky vend është -me distancë- vendi ku mbillet më shumë kanabis.”
Edhe gazeta “Neue Zürcher Zeitung” i kushton një artikull zgjedhjeve në Shqipëri. Nën titullin “Sondazhet nxjerrin socialistët fitues”, kjo gazetë vëren se sipas prognozave të para, votimet në Shqipëri i kanë fituar socialistët.
“Dejvi duhet të qëndrojë”
Ndërsa “Berliner Zeitung” nuk i kushtohet drejtpërdrejt zgjedhjeve, por një djali të ri 10-vjeçar që duhet të largohet nga Gjermania, për shkak se familjes nuk i është njohur e drejta e azilit.
Ai gjen mbështetjen e lojtarëve të skuadrës së tij të futbollit, shkruan “Berliner Zeitung”.
“Në Westend, nxënësit kanë veshur bluzat portokalli me mbishkrimin “Dejvi dhe familja e tij duhet të qëndrojnë”. Vetë Dejvi thotë, se dëshiron të jetojë në Gjermani dhe të bëhet futbollist profesionist.”
“Por dëbimi i i Dejvit dhe familjes së tij është vulosur. Më 11 korrik përfundon edhe afati i lejes së toleruar të qëndrimit.” Për të bërë diçka kundër dëbimit është angazhuar trajneri i Dejvit, i ekipit “Oranje Berlin” duke organizuar një demonstrim solidariteti. Trajneri Michel Kooistra thotë, se “të gjithë lojtarët e vlerësojnë Dejvin shumë, dhe dëshirojnë që ai dhe familja e tij të qëndrojnë”.
Shqipëria konsiderohet vend i sigurtë origjine, vëren “Berliner Zeitung”. Nuk përbën arsye për marrjen e azilit, gjendja e vështirë ekonomike në Shqipëri, siç ishte shprehur familja shqiptare në kërkesën e azilit. /DW/