A do të japë dorëheqje Basha?

Aktuale June 26, 2017 - 13:59

 

Para katër vjetësh, saktësisht më 26 qershor 2013, Sali Berisha kishte dhënë dorëheqje pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit përballë Edi Ramës.

Sot, një ditë pas datës së zgjedhjeve dhe nga rezultatet paraprake, kur janë numëruar diku tek gjysma e kutive, PD rezulton me rreth 40 deputetë, ndërsa PS me 76.

Rezultat shumë i rëndë ky për PD, që jo vetëm për faktin që humb kundrejt PS-së, por edhe për uljen drastike të numrit të mandateve.

Në vitin 2013 PD kishte fituar 50 mandate/deputetë në rang vendi, ndërsa deri në votat e numëruara tani, PD rezulton me vetëm 40 deputetë, pra 10 më pak.

Nga ana tjetër, Basha vendosi t’i fuste aleatët e tij në listat e veta, duke i hequr kështu mundësinë PD-së për shtim votash. Në 2013 si koalicioni APMI mori 57 deputetë në total.

Rezultate këto që bien si përgjegjësi mbi kreun e PD-së Basha.

Basha jo vetëm që nuk e ka ruajtur rezultatin e vitit 2013, por e ka ulur atë në një nivel historik.

Po ashtu, edhe shumë figura të PD-së kanë dalë në reagime të forta për këtë humbje, bile kishte edhe zëra për dorëheqje urgjente të Bashës.

I ndodhur para një tabloje të tillë, kreu i PD-së është “ngujuar” qysh nga ora 08:00 e ditës së sotme duke mos dhënë asnjë prononcim, shkruan Lapsi.al.

Pyetja që shtrohet tani është se a do e pranojë humbjen e thellë të PD-së Basha dhe të japë dorëheqjen e tij ashtu si Berisha katër vjet më parë.