Qeveri gjithëpërfshirëse për t'i shmangur zgjedhjet

Aktuale June 22, 2017 - 07:57

Vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja për shkak të interesave të ngushta partiake e as të krijohet një Qeveri, e cila do të varej nga Lista Serbe.  Kështu thonë njohësit e çështjeve politike në vend, të cilët kanë propozuar krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse e cila do t’i adresonte temat e mëdha, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Pas rezultatit të ngushtë të zgjedhjeve, ku asnjëra palë nuk arriti t’i sigurojë numrat për ta formuar Qeverinë e re të Kosovës, konstituimi i institucioneve nuk do të jetë aspak i lehtë.

Kështu konsiderojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë, të cilët thonë se vendi mund të dalë nga kriza institucionale vetëm nëse formohet një qeveri e përgjithshme (ku do të përfshiheshin të gjitha subjektet politike), e cila do të arrinte t’i përfundonte disa çështje të mëdha, siç janë Asociacioni, Demarkacioni, ushtria etj.

Në të kundërtën, sipas tyre, mund të ketë zgjedhje të serishme, shkruan tutje "Zëri".

Mirëpo përfaqësuesit e dy taborëve më të mëdhenj politik, koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma) e lëvizjes “Vetëvendosje” thonë se nuk ka nevojë për qeveri teknike, pasi zgjedhjet e 11 qershorit tashmë e kanë përcaktuar fituesin.

Përderisa përfaqësuesit e PAN-it mbeten prapa asaj se i nominuari i tyre Ramush Haradinaj duhet të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës, ata të “Vetëvendosjes” konsiderojnë se qytetarët tashmë kanë vendosur për frymën e ndryshimit.

Tahiri: Të bëhet reforma dhe të kryhen të gjitha çështjet e mbetura

Politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se cilado qeveri që është rezultat i zgjedhjeve parlamentare dhe produkt i marrëveshjeve të partive të koalicioneve për qeverisje është zgjidhje e mirë dhe demokratike. Por, sipas tij, në rastet kur asnjëra palë nuk i ka numrat e nevojshëm, atëherë vendi nuk duhet të shkojë sërish në zgjedhje, por duhet krijuar një qeveri teknike.

“Në rastin kur numrat nuk e kanë nxjerrë asnjë parti fituese dhe kur sidomos qëndrimet e subjekteve politike janë kundërshtuese dhe të papajtueshme, atëherë vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje për shkak të interesave të ngushta partiake, por duhet të bëhen përpjekje dhe të gjendet zgjidhja për një qeveri gjithëpërfshirëse me mandat dhe me kohëzgjatje të caktuar, në mënyrë që të eliminohen të gjitha shkaqet që e çuan vendin në ngërç politik”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, duhet të bëhet reforma e sistemit zgjedhor dhe të kryhen të gjitha çështjet që kanë mbetur në gjysmë në qeverisjen e kaluar.

“Pra, të bëhet reforma e sistemit zgjedhor dhe të kryhen të gjitha çështjet e mbetura siç janë: Demarkacioni me Malin e Zi, krijimi i Asociacionit, vazhdimi i dialogut Kosovë - Serbi, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit, integrimet euroatlantike dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata e institucione ndërkombëtare, formimi i ushtrisë së Kosovës, etj. Pra, nevojitet një konsensus i përgjithshëm politik dhe një platformë për ta kaluar krizën”, ka potencuar Tahiri.

Pavarësisht tij, analisti politik Imer Mushkolaj ka vlerësuar se nuk ka nevojë për qeveri gjithëpërfshirëse. Sipas tij, rezultatet tregojnë se ka disa opsione për formimin e Qeverisë.

“Nuk ka nevojë për qeveri gjithëpërfshirëse dhe nuk e shoh të mundshme një gjë të tillë. Rezultatet e zgjedhjeve tregojnë se ekzistojnë disa opsione se si mund të krijohet Qeveria. Por edhe po të krijohej një qeveri gjithëpërfshirëse nuk do të ishte efikase. Do të ishte thjesht një improvizim sa për të dalë nga situata, por jo zgjidhje e duhur”, është shprehur Mushkolaj.

Abazi: Krijimi i institucioneve, i vështirë

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike Haki Abazi ka vlerësuar se krijimi i institucioneve nuk do të jetë aspak i lehtë.

“Në bazë të rezultateve ende të pacertifikuara, krijimi i institucioneve kredibile dhe stabile do të jetë shumë i vështirë, sidomos kur kemi parasysh agjendën që do ta ketë përpara një Qeveri dhe një Parlament i posaformuar”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, duke u nisur nga grumbullimi i problemeve dhe i dështimeve duhet ose të shkohet në zgjedhje të reja, ose të krijohet një qeveri gjithëpërfshirëse.

“Duke u nisur nga këto sërë faktorësh besoj që ose duhet të shkohet në zgjedhje të reja për të kërkuar një shumicë stabile të partive shqiptare që nuk varen nga Lista Serbe, ose duhet krijuar një qeveri gjithëpërfshirëse që në thelb do të kishte unifikimin dhe arritjen e konsensualitetit nacional për çështjet e mëdha, siç janë: Demarkacioni, krijimi i ushtrisë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, lëvizja e lirë, përmirësimi i gjendjes në shëndetësi, arsim dhe zhvillim ekonomik, që do ta zvogëlonte papunësinë. Kjo është e mundur nëse tejkalohen ndasitë”, është shprehur Abazi.

PAN-i e LVV-ja: Nuk ka nevojë për qeveri gjithëpërfshirëse

Nga ana tjetër, deputeti i AAK-së (nga koalicioni PAN) Pal Lekaj ka vlerësuar se zgjedhjet e 11 qershorit kanë treguar se kush është fitues e kush është humbës.

“Këto zgjedhje kanë nxjerrë fituesin dhe fituesi në konsultim me të gjithë faktorët relevantë do ta krijojë Qeverinë, e cila do t'u japë zgjidhje të drejtë të gjitha çështjeve të cilat kanë ngecur. Ne do të jemi bashkë sepse si tërësi mund të bëjmë shumë për vendin, të ndarë e të përçarë asnjëherë”, ka deklaruar ai.

Lekaj më tej ka thënë se nuk do të ketë nevojë për qeveri teknike, pasi Ramush Haradinaj do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës.

Kurse edhe deputetja e “Vetëvendosjes” Shqipe Pantina, ka vlerësuar se Kosova aktualisht nuk ka nevojë për qeveri gjithëpërfshirëse, pasi zgjedhjet kanë treguar se qytetarët duan ndryshimin.

“Zgjedhjet e 11 qershorit kanë treguar se qytetarët duan ndryshim në këtë vend në mënyrën e qeverisjes së tij. Unë nuk e shoh nevojën për qeverisje gjithëpërfshirëse, ky vend ka nevojë edhe për një opozitë të fortë. Çështjet si Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi e kanë marrë përgjigjen qysh në legjislacionin e kaluar”, ka deklaruar ajo.

Sipas Pantinës, qeveria e re duhet ta negociojë një marrëveshje të re me Malin e Zi, të punojë në integrimin më të mirë të serbëve lokalë në shoqëri dhe në institucionet e Kosovës, si dhe ta largojë përfundimisht ndikimin destruktiv të Beogradit.