Abdullahu Selmanajt: Mos fol gojë kur s'ke nevojë

Aktuale June 20, 2017 - 11:36

Ish-zëdhënësi i Mustafës, Faton Abdullahu i ka reaguar anëtarit më të ri të LDK-së Driton Selmanajt, pasi ky i fundit tha se do të largohet nga LDK nëse ky subjekt bën koalicion me PDK-në.

Abdullahu e ka sulmuar Selmanajn, duke ia kujtuar atij se ka njëfarë rendi tjetër në Lidhjen Demokratike të Kosovës, e jo sikurse ai që është mësuar Selmanaj në emisionin 'Click' ku për një kohë të gjatë ka shërbyer si analistë i zhvillimeve politike.

Nga ana tjetër, bashkëpunëtori i Mustafës mohon kategorikisht mundësinë e bashkëpunimit me PDK-në.

Kurse dje gjatë mbrëmjes, deklaratës së Selmanajt i reagoi përmes një postimi në Facebook edhe kryeministri në largim Isa Mustafa.  

Kreu i LDK-së tha se subjekti i tij, është parti e cila nuk vepron as sipas kushtëzimeve dhe as sipas shantazheve individuale. 

"As me kutinë e propozimeve dhe projeksioneve ad hoc. Qëndrimi i LDK -së është publik se nuk ka koalicion me PDK-në dhe me koalicionin ku është PDK. Me tjerët vlerësojmë pas certifikimit të rezultateve, por gjithnjë sipas interesit të votuesve të LDK-së. Fushatën e kaluam dhe jam i bindur se, pavarësisht deklaratave të individëve për tu protagonizuar para opinionit, të gjithë e kanë të qartë qëndrimin e organeve dhe strukturave të LDK-së, të cilat janë të vetmet që vendosin për këto çështje", u shpreh Mustafa.

Ky është postimi i Faton Abdullahut:

Mbi një deklaratë të z. Driton Selmanaj

MOS FOL GOJË KUR S’KE NEVOJË

"Nëse LDK shkon në koalicion me PDK unë do të largohem nga LDK”.

Kjo është deklarata e të sapo aderuarit në LDK z. Selmanaj.

Në kohën kur po thuhen shumë gjëra prej të cilave edhe shumë të pavërteta për koalicionet e mundshme, shumëkush këtë deklaratë e kuptoj edhe si aludim se, paska të vërtetë në atë që po thuhet me sherr në disa media se LDK do të bëj koalicion me PDK-n.

Edhe pse këtë e ka bërë të qartë edhe kandidati për Kryeministër z. Avdullah Hoti edhe Kryetari i partisë LDK z. Isa Mustafa, z. Selmanaj prap e ka pa të nevojshme ta ripërtyp këtë, si duket pa e kuptuar aludimin se po i bon një të keqe jo të vogël LDK-së në rrethana shumë të ndieshme.

E tash në këtë shtëpinë e madhe që i thonë LDK për dallim nga CLICK ka njëfarë rendi tjetër që Selmanaj duhet ta mësoj - përndryshe “ mos fol gojë kur s’ke nevojë.