Vetëm Limaj shënoi fitore në koalicionin PAN

Aktuale June 17, 2017 - 20:01

Fatmir Limaj është fituesi kryesor në koalicionin parazgjedhor me AAK’në e PDK’në. Ka fituar tetë vende në Parlament, dy më shumë se në mandatin e fundit. Ndërkohë, PDK ka marrë 17 deputetë më pak se në zgjedhjet e fundit. Një më pak e ka edhe AAK.

Ishte koalicioni i papritur parazgjedhor PDK-AAK-Nisma, që bashkoi partinë e Fatmir Limajt me Partinë Demokratike, me të cilën ishin ndarë në vitin 2014. PAN doli fitues i zgjedhjeve, por jo edhe të gjithë partnerët brenda saj. E Nisma, sot konfirmoi së në Kuvend do t’i ketë tetë deputetë, dy më shumë se në legjislaturën e kaluar.

Fatmir Limaj, së bashku me Jakup Krasniqin arritën që përkundër ndarjes nga PDK, në zgjedhjet e 2014’ës të fitojnë më shumë se pesë për qind të votave e që kjo i siguroi gjashtë mandate në Kuvendin e Kosovës. Deputetët që morën vota mjaftueshëm për të hyrë Kuvend ishin Fatmir Limaj, Valdete Bajrami, Enver Hoti, Haxhi Shala, Zafir Berisha e Shukrije Bytyqi. 

Këto zgjedhje, Nisma garoi së bashku me PDK’në – partinë në kryesinë e të cilës bënin pjesë Limaj e Krasniqi që nga themelimi, dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës me të cilën kishin bashkuar rrugët akoma pa u mbajtur zgjedhjet. 

Rezultatet e 11 qershorit treguan se koalicioni PAN doli fitues, megjithatë PDK humbi 15 deputetë nëse krahasohet me zgjedhjet e kaluara kur ajo kishte pasur 37 deputetë. AAK’ja siguroi 10 vende, një ma pak se legjislaturën e kaluar, ndërsa Nisma nga gjashtë në tetë. 

Koalicioni PAN do të ketë 39 vende në Kuvend, ndërsa tetë deputetët që do të përbëjnë grupin parlamentar të Nismës janë: Fatmir Limaj, Haxhi Shala, Valdete Bajrami, Zafir Berisha, Bilall Sherifi, Milaim Zeka, Enver Hoti dhe Albulena Balaj - Halimi.

Bazuar në këto rezultate, nga koalicioni PAN, më së shumti përfitoi Nisma e Limajt, i cili u kthye në listën e njëjtë më PDK’në, por duke pasur sukses e duke shtuar dy mandate.

Gjatë fushatës, Limaj nuk u pa në tubime të përbashkëta me partnerët Kadri Veselin dhe, Ramush Haradinajn. Madje, në tubimin përmbyllës të fushatës së PAN’it Limaj hezitoi të ngjitej në skenën ku gjendej kreu i PDK’së. 

Lideri i Nismës e kishte thënë disa herë se koalicioni PAN u formua ‘për të mirën e vendit’, e kandidimi i Rmaush Haradinajt për kryeministër. Këtë mesazh duket se Limaj e përcolli mirë te elektorati i tij që i siguroi rritje.

Nëpërmjet një komunikate, NISMA sot njoftoi se ka fituar 8 deputetë dhe ka rritje 40 për qind.

“Në këto zgjedhje NISMA për Kosovën ka pasur rritje mbi 40% që është një rezultat shumë i mirë i cili ia mundëson që NISMA për Kosovën në Parlamentin e Kosovës të jetë e përfaqësuar me së paku 8 deputet”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.