Hapet Sheshi Skëndërbej, koncert për të festuar qendrën e shqiptarëve

Aktuale June 10, 2017 - 20:22

Sot në orën 19.30 Tirana feston hapjen e Sheshit Skëndërbej të ristrukturuar.

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka deklaruar që gjithçka ka përfunduar në “sheshin më të bukur në botë” dhe ka ftuar të gjithë shqiptarët me familjet e tyre të marrin pjesë në festën e përurimit.

Në sheshin e ri Skëndërbej, siç ka gurë dhe bimë nga të gjitha trevat shqiptare, do të ketë edhe artistë që do të sjellin artin dhe folklorin e gjithë shqiptarëve.

Por festa nuk do të mbarojë sot. Nesër do të ketë sërish një koncert me muzikë rrok ku do të këndojnë 3 musketierët dhe në ditët në vazhdim do performojnë artistë të tjerë, që të gjithë ata që kanë dëshirë të vizitojnë sheshin e ri të të gjithë shqiptarëve të gjejnë dhe atmosferë festive.

Sipas informacioneve të dhëna nga kryetari i Bashkisë në sheshin pa makina ka 358 vende parkimi, 10  për personat me aftësi të kufizuar,1 e-charger për makina elektrike, 4 dalje në shesh, banja publike dhe 12 çezma, 2,220 pemë, 4,500 shkurre dhe 70,000 lule, shatërvanë, parqe, lulishte dhe një altar për martesa.

Edhe pse mendimet për sheshin nga politika kanë qenë të kundërta gjatë ditës së sotshme, mësohet që bienalja e Çikagos e ka ftuar projektin e sheshit Skëndërbej të qëndrojë e ekspozuar në mjediset e saj për vizitorët e shumtë.

Image