Vendimet e qeverisë 'Mustafa', joligjore
Qeverisja “Mustafa” edhe pse në ditët e fundit të ushtrimit të pushtetit ajo po vazhdon të marrë vendime. Qeveria në largim e drejtuar nga kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 145-n me radhë, në të cilën ka miratuar vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, shkruan sot, gazeta Zeri.
Ndër të tjera është marrë vendim për emërimin e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, mori miratimin e kabinetit qeveritar, ndërsa u miratua edhe Rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Agjencinë për Barazi Gjinore.
Ky angazhim i ekzekutivit në largim po shihet si jolegjitim nga njohës të Kushtetutës, të cilët vlerësojnë se në këtë periudhë kalimtare nuk duhet ndërmarrë vendime të mëdha, shkruan gazeta Zeri.
Madje analistët në vend e shohin këtë angazhim të qeveritarëve në largim si mobilizim zgjedhor, pasi këto vendime po merren pikërisht në kohë fushate. Këto vendime sipas njohësve të çështjeve politike do të zhvleftësohen nga qeverisja e ardhshme.
Në anën tjetër, ka politologë që mendojnë se shtrirja e pushtetit nga ana e qeverisë “Mustafa” edhe pse në ikje është krejtësisht legjitime.
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, e vlerëson si joligjore marrjen e vendimeve nga qeveria në largim.
“Në këtë periudhë kalimtare parimisht nuk është në rregull që të merren vendime me shuma të mëdha, vendime kapitale. Tani do të duhej vajtur vetëm ecuria teknike, kapaciteti teknik i një qeverie për veprime teknike, ditore, të domosdoshme, operative dhe jo për vendime të rëndësishme, të shumave të mëdha dhe vendime strategjike, kjo si rast nuk është shumë legjitim nga qeveritarët në ikje”, ka thënë Baraliu, duke theksuar se përbërja ekzekutive aktuale po merr vendime elektorale.
“Si duket këta qeveritarët në ikje po marrin vendime tash edhe për qëllime elektorale, edhe për ndonjë listë të anëtarëve të tyre. Janë vendime me pasoja për qeverisjen e ardhshme sepse çdo vendim që merret në Qeveri do të duhej të votohej nga shumica e kabinetit”, ka shtuar ai.
Më tej Baraliu mendon se një praktikë e tillë e marrjes së vendimeve nga një qeveri në ikje duhet ndërprerë.
“Atëherë duhen ndërprerë veprimet e tilla, të marrin vendime të tilla që nuk e kanë legjitimitetin në këtë fazë paraelektorale”, ka përfunduar Baraliu.
Në anën tjetër njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, konsideron se vendimet që merren nga Qeveria në largim do të shqyrtohen nga ekzekutivi i ardhshëm.
“Të gjitha vendimet janë subjekt të shqyrtimit të mëtutjeshëm nga qeveria e ardhshme”, ka thënë Abazi.
Kurse analisti politik, Krenar Shala, konsideron se qeveria “Mustafa” nuk duhet assesi të ndërmarrë vendime të reja.
“Qeveria e tanishme pas votimit të mocionit nga ana e Kuvendit është qeveri në ikje dhe si e tillë nuk ka legjitimitet për të marrë vendime. Qeveria në largim ka për detyrë të bëjë mbarëvajtjen e punëve të tanishme e kurrsesi të marrë vendime të reja”, ka deklaruar Shala.
Njohësi i çështjeve politike në vend Imer Mushkolaj mendon se vendimet e marra nga qeveria aktuale në largim janë në përputhje me ligjin në fuqi dhe si të tilla nuk do të duhen të zhvleftësohen.
Edhe politologu Ramush Tahiri vlerëson se marrja e vendime nga ky ekzekutiv në ikje është ligjore.