Mesazhi i Eshref Durmishit për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara

Aktuale June 01, 2017 - 14:29

Si pjesë e platformës Miqtë e Fëmijëve, zgjodha të marrë përsipër sensibilizimin për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Bashkë me Andin, Lumin dhe Jamie Donoughue (ekipi i flimit SHOK) vizituam fëmijët me aftësi të kufizuara në komunën e Prizrenit. Ishte aq emocionuese dhe shpresëdhënëse të shihja fëmijët, që përkundër një apo më shumë aftësive të kufizuara, kishin aq shumë potencial, talent dhe aq shumë dashuri për të dhuruar. 

Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë të drejtat e garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe rrjedhimisht duhet të kenë të garantuara shërbimet shëndetësore, sociale dhe arsimore. Por a po ndodh kjo? Kuptova që jo.

“Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë qasje në shërbime shëndetësore, sociale dhe arsimim.”

Në Kosovë, shumica e fëmijëve me aftësi të kufizuara jetojnë në kushte të vështira dhe nuk gëzojnë të drejtat themelore të tyre. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë qasje në shërbime shëndetësore, sociale dhe arsimim.

Cilësia e shërbimeve shëndetësore për fëmijët me aftësi të kufizuara nuk është në nivelin e duhur, sistemi shëndetësor çalon në ofrimin e barnave esenciale që janë të domosdoshme për fëmijët, furnizimeve dhe pajisjeve ndihmëse për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Shërbimet sociale në komunitet mungojnë në masë të madhe. Shërbimet e drejtuara nga OJQ-të, të mbështetura kryesisht nga donatorët e huaj, nuk ofrojnë qëndrueshmëri dhe veprojnë vetëm në disa komuna duke rrezikuar mbylljen e shërbimeve dhe minimizuar përfshirjen e plotë të fëmijëve me aftësi të kufizuar. Qasja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në sistemin e arsimit është e ulët.

Qasja e fëmijëve me aftësi të kufizuar, nuk është e rregulluar as në vende publike si spitale, shkolla, gjykata e kuvende komunale.

Deri më tani, asnjë institucion publik në Kosovë nuk posedon të dhëna për numrin e saktë të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Sot, shumë shërbime për fëmijët me aftësi të kufizuara mungojnë dhe për pasojë këta fëmijë nuk mund të marrin më shërbimet elementare aq të nevojshme për ta, për të zhvilluar potencialet e tyre. 

“Sigurimi i të drejtave themelore si arsimimi, shërbimet shëndetësore dhe ato sociale, qasja dhe pjesëmarrja në vendimmarrje duhet siguruar nga vetë shteti përmes institucioneve përgjegjëse.”

Përgjegjësia për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara na takon të gjithëve ne pa dallim. Por, sigurimi i të drejtave themelore si arsimimi, shërbimet shëndetësore dhe ato sociale, qasja dhe pjesëmarrja në vendimmarrje duhen siguruar nga vetë shteti. 

Vetëm kështu ne do të shndërrohemi në një shoqëri pranuese, gjithëpërfshirëse, e cila mbështet zhvillimin e fëmijës me të gjitha potencialet e tij.

Eshref Durmishi është pjesë e platformës avokuese Miqtë e Fëmijëve, platformë kjo e inicuar dhe e koordinuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF. Miqtë e Fëmijëve mbështetet nga projekti “Mbrojtja e të Drejtave të Fëmijëve në Kosovë”, implementuar nga KOMF, mbështetur nga BE dhe menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë.

“Miqtë e Fëmijëve” është platformë avokuese e përbërë nga personalitete me karrierë të suksesshme nga fusha e diplomacisë, artit, kulturës, sportit etj, e cila do të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e mbrojtjes së fëmijëve në të gjithë Kosovën, duke synuar rritjen e vetëdijësimit të institucioneve relevante dhe popullatës së gjerë, mbi rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe investimin afatgjatë në fëmijë.