Veseli-Veteranëve: U bëmë bashkë që t'i themi jo atyre që s'dinë ta drejtojnë shtetin

Aktuale May 29, 2017 - 17:37

Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli tha se bashkë me Ramush Haradinajn i bashkoi qëllimi për të mos e lenë Kosoven në duart e pasigurta të atyre që nuk dinë të udhëheqin shtetin. 

Ai, në takimin me veteranët e UCK’së, i shoqëruar nga kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj, tha se bashkimi i tyre është bërë edhe për të mos lejuar që vendi të udhëhiqet nga ata që duan ta cenojnë territorin e Kosovës. 

“Jemi bërë bashkë për t’iu thënë atyre që dëshirojnë ta cenojnë territorin tonë,  që nuk guxojnë”, tha Veseli. 

“Jemi bërë bashkë për ta themeluar ushtrinë e Kosovës, prandaj ne shtetin nuk guxojmë që ta lemë në duar të pasigurta”, shtoi kryetari i PDK’së, përcjell Gazeta Express. 

“Ne nuk do të lejojmë kurrë që mundi dhe sakrifica e sa e sa gjeneratave të shkojë kot e as të cenohet”, tha para veteranëve bartësi i listës së koalicionit PDK-AAK-NISMA. 

Tutje, ai ka shpalosur edhe projektet e platformës ‘Fillimi i Ri’ për zhvillim ekonomik të vendit. 

“Fillimi i Ri ka pikërisht kuptimin e ndërmarrësish, zhvillimit ekonomik, transformimin në mënyrë që ta plotësojmë idealin për një vend të suksesshëm”, tha Veseli. 

Para Veselit, në takim me veteranët, kandidati për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-NSIMA, Ramush Haradinaj ka shpalosur edhe një propozim të tij që në qendrat e mëdha të Kosovës të ndërtohet nga një objekt që do të quhen “Shtëpia e UCK’së”.