Albulena Haxhiu shpalos programin e Vetëvendosjes për barazinë gjinore

Aktuale May 27, 2017 - 21:33

Kandidatja për deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka shpalosur në Magazinën Zgjedhore, një pjesë të programit të Vetëvendosjes për barazinë gjinore dhe fuqizimin e gruas në shoqëri e politikë.

Haxhiu tha se ka një hezitim nga gratë për t’u marrë me politikë për shkak të mentaliteti që zotëron në Kosovë, porse Vetëvendosja po e ndryshon këtë mentalitet.

“Duke marrë parasysh mentalitetin patriarkal që është në Kosovës, gratë hezitojnë që ato të jenë në politikë. Mbase kjo është arsyeja kryesore përse gratë s’po përfshihen në politikë”, ka thënë Haxhiu, njofton Klan Kosova.

“Në fillim ka pasur hezitim nga gratë të jenë pjesë e Vetëvendosjes, për shkak të aktiviteti të Lëvizjes, por më nuk është kështu”.

“Në Alternativën tonën qeverisëse kërkohet barazi shoqërore, sepse nëse ka barazi shoqërore do të ketë edhe barazi gjinore. Ne parashohim që të ndërtojmë çerdhe nëpër të gjithë Kosovën, në mënyrë që të lehtësojmë punën e grave dhe vajzave. Sa i përket pushimit të lehonisë, ka tendenca që pushimi i lehonisë të zvogëlohet, alternativa jonë parasheh që pushimi të jetë 12 muaj. Dhe me mundësinë që gjashtë mujorin e dytë ta ketë bashkëshorti”.

Haxhiu, pos tjerash, ka kritikuar partitë tjera politike që s’po marrin pjesë në debate dhe kështu po pamundësojnë krahasimin e programeve.

“Po shihet një hezitim i subjekteve politike t’i ballafaqojnë programet, apo konceptet politike. Kjo dëshmon që i vetmi subjekt që ka alternativë dhe ka kandidatët më të mirë është Vetëvendosje, prandaj ne nuk mungojmë në debate”.