PDK: Sulmi nuk ka ndodhur për shkak të listave

Aktuale May 23, 2017 - 12:22

Dega e PDK-së në Skenderaj, ka përjashtuar çdo mundësi që sulmi me armë zjarri mbi zyrat e degës së PDK-së dhe të kompanisë “Valoni” të kenë ndodhur për shkak të pakënaqësive me listat e kandidatëve për deputet nga dega e PDK-së në këtë komunë.

Hajriz Koci, zëdhënës i degës së PDK-së në Skenderaj, i tha “Zërit” se nuk dihet nëse sulmi ka qenë i drejtuar në zyrat e PDK-së apo në drejtim të një kompanie që ndodhet ngjitas me zyrat e PDK-së. Sipas tij, vetëm një plumb ka goditur zyrat e PDK-së, ndërsa plumbat tjerë kanë goditur zyrat e kompanisë ‘Valoni”, transmeton zeri.info.

“E informojmë opinionin publik se ne përjashtojmë çdo mundësi që ky sulm ka ardhur për shkak të pakënaqësive të brendshme, pasi dega e PDK-së në Skenderaj është unike dhe brenda strukturave të saj atmosfera është shumë pozitive, shumë bashkëpunuese dhe nuk ka pasur pakënaqësi në lidhje me proceset e fundit politike. Ne e informojmë opinionin publik se  dega e PDK-së në Skenderaj dhe elektorati i gjerë i saj kanë mirëpritur dhe përkrahin vendimet e fundit të PDK-së dhe kryetarit Kadri Veseli”,ka thënë Koci, transmeton zeri.info.

Ndryshe, rreth orës 03:00, të martën, persona të panjohur kanë shtënë me armë nga rruga në drejtim të zyrës së PDK-së që ndodhet në katin e dytë të një ndërtese në qendër të Skenderajt. Policia ka bërë ekspertizën e vendit të ngjarjes dhe ka konfirmuar rastin, ndërkohë që kryesia e degës së PDK-së është mbledhur në një takim të planifikuar për të martën, me kryetarë të nëndegëve dhe të seksioneve, por mbledhja është shtyrë për të mërkurën për shkak të këtij rasti./Zeri/