Greiçevci: Nuk ka ende informata nëse ka kosovarë të prekur nga sulmi në Manchester

Aktuale May 23, 2017 - 10:38

Pas sulmit terrorist në “Manchester Arena”, ku si pasojë mbetën të vrarë 22 persona dhe mbi 59 të plagosur, në rrjetet sociale kanë filluar të qarkullojnë pamjet e para pas shpërthimit të fuqishëm.

Duke qenë së në Angli e në veçanti në Manchester jetojnë shumë kosovarë, “Zëri” ka kontaktuar me ambasadorin e Kosovës atje, Lirim Greiçevci, për të kuptuar nëse ka ndonjë shtetas të Kosovës të prekur nga ky sulm.

Image

Ambasadori Greiçevci ka thënë se deri më tani nuk ka ndonjë informatë të detajuar sa i përket identitetit të viktimave apo të plagosurve.

Më tutje, ai ka shtuar se po bëjnë çdo përpjekje për të kuptuar nëse ka ndonjë shtetas të Kosovës të prekur nga kjo tragjedi.

“Jo ende nuk e dimë. Ende nuk ka ndonjë informacion lidhur me identitetin e të vdekurve ose të të lënduarve. Po bëjmë përpjekje maksimale të kuptojmë mos ka ndonjë shtetas të Kosovës të prekur”, ka thënë ambasadori Greiçevci për zëri.info.

Për këtë shkak, ambasada e Kosovës në Angli, ka vënë në dispozicion edhe një numër emergjent të telefonit për shtetasit e Kosovës. “E kemi vënë në dispozicion edhe një numër emergjent ku mund të lajmërohen shtetasit tanë”, ka treguar ambasadori Lirim Greiçevci, transmeton zeri.info. Numri emergjent për shtetasit e Kosovës është ky: +447961064763./Zeri./