Simiq: Lista Serbe nuk i shërben as Thaçit e as Haradinajt

Aktuale May 23, 2017 - 10:26

Lideri i Listës Serbe, Sllavko Simiq, ka deklaruar se Lista Serbe është projekt nacional që zbaton politikën e qeverisë së Serbisë rreth së cilës duhet bashkuar të gjithë serbët e Kosovës. Sipas Simiqit, subjektet tjera politike serbe janë formuar për t’i shërbyer Thaçit dhe Haradinajt, shkruan sot, gazeta Zeri.

Lideri i Listës Serbe, Sllavko Simiq, i cili është nga Leposaviqi, sikurse edhe ish-lideri i saj, Aleksandër Jabllanoviq, ka deklaruar se Lista Serbe është një projekt nacional që zbaton politikën e Qeverisë së Serbisë në Kosovë, rreth të cilës duhet bashkuar të gjithë serbët e Kosovës.

Ai ka siguruar se prej që është themeluar Lista Serbe të gjitha punët i koordinon me Qeverinë e Serbisë. Simiq ka thënë gjithashtu se subjektet tjera politike serbe që janë themeluar janë në shërbim të Thaçit dhe të Haradinajt.

“Lista Serbe është një projekt nacional, i cili është shndërruar në një brend politik të serbëve në Kosovë. Deri më tani ka qenë bartës i stabilitetit, paqes dhe politikës së Qeverisë së Serbisë. Ajo ka penguar të votohen të gjitha ato amendamente politike që kanë qenë në dëm të popullit serb në Kosovës, ndonëse kanë ekzistuar kundërshtime përbrenda listës që i kanë prodhuar individët e instrumentalizuar nga Prishtina, e të cilët tani përpiqen të krijojnë parti politike me mikrointeresa në shërbim të Thaçit, Haradinajt…, njerëzit duhet ta shohin seriozitetin e situatës, legjitimitetin e njerëzve të Listës Serbe”, ka thënë Simiq.

Vulin kërkon votën për Listën Serbe

Ndërkaq një ministër tjetër serb, i cili shquhet për urrejtje ndaj shqiptarëve, Aleksandër Vulin, u ka kërkuar të gjithë serbëve të Kosovës që të votojnë për Listën Serbe, sepse siç ka thënë ai, “ajo është votë për politiken e Qeverisë së Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqin”.

Me tona të njëjta është shprehur edhe vetë kryeministri serb, i cili pas pak ditësh do të inaugurohet president i Serbisë.

Në anën tjetër lideri i SDP-së, Oliver Ivanoviqit, i cili është duke u mbrojtur nga liria, pasi që lënda me të cilën është dënuar me 9 vjet burg për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në Mitrovicë është kthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, e ka quajtur tragjike pjesëmarrjen e 6 subjekteve politike serbe në zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë.

“Pse njerëzit po hezitojnë që t’i bashkojnë ato pak resurse njerëzore që kemi, në mënyrë që ta kemi një listë të fortë, duke u përpjekur që secili të jetë këndes (gjel) në oborrin e vet”.

Sipas listave të votuesve janë 100.000 deri në 120.00 votues serbë, nga të cilët në zgjedhje do të dalin më së shumti 30 mijë dhe kur të ndahen në shumë lista atëherë do të kemi njerëz të zgjedhur me pak vota dhe në këtë mënyrë edhe me peshë të vogël politike. 

Ivanoviq: Vështirë me Ramushin

“Haradinaj është lider i partisë që është e dyta për nga fuqia në koalicionin e ri. Njeriu i parë megjithatë është Kadri Veseli. Ata e kanë nominuar Haradinajn kandidat të koalicionit për kryeministër, është një strukturë shumë e përzier. Qëllimi i parë është ta fitojnë vendin e kryeparlamentarit, për këtë arsye kanë bashkuar subjektet politike, të cilat në mes vete nuk janë dashur shumë. Për Haradinajn nuk jam shumë i sigurt, por nëse do të jetë kryeministër, do të jetë goxha i pakëndshëm komunikimi me të”, ka thënë ai “Sputnjak”-u rus, deklaratën e të cilit e përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës.

Ivanoviq ka sqaruar se themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe (Zajednica Srpskih Opstina) është obligim.

“Mendoj se nuk duhet të presim më shumë, mjaft kemi pritur, ka 3 vjet e gjysmë. Më dëshirë shqiptarët nuk do ta formojnë AKS-në, ndërsa për të pritur derisa t’i urdhërojë ambasadori amerikan në Kosovës duhet edhe shumë gjatë. Nuk besoj se ka diku serb që do të votonte për formimin e Ushtrisë së Kosovës, por në të kaluarën ka ndodhur që serbët t’i mbështesin vendimet që kanë qenë në dëm të serbëve, vetëm për faktin se ata me lehtësi kanë ngritur duart”, ka sqaruar Ivanoviq, i cili është shprehur se “pikërisht për këtë arsye prezenca e Qeverisë së Serbisë në institucionet kosovare, çfarëdo që të jetë ajo, është e domosdoshme”. 

Lideri i SDP-së, Oliver Ivanoviq, edhe një herë është kthyer tek Haradinaj dhe mundësia që ai të jetë kryeministër i Kosovës.

Ai ka thënë se nuk do të pranonte të ishte pjesë e delegacionit të Serbisë në dialogun me Prishtinën në Bruksel, sidomos nuk do të pranonte nëse delegacionin kosovar do ta udhëhiqte Haradinaj, apo që ai të jetë pjesë e tij.

“Do të ishte turpëruese që në ekipin dialogues të Prishtinës të gjendej Haradinaj”, ka thënë mes tjerash Oliver Ivanoviq, lider i SDP-së, i cili është dënuar me 9 vjet burg për krime lufte në Mitrovicë dhe i cili aktualisht është duke u mbrojtur nga liria, pasi që Gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën e tij në rishqyrtim në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.