Quni: Vjosa do të jetë në listën e LDK-së

Aktuale May 23, 2017 - 08:29

Vjosa Osmani do të jetë në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sepse LDK-ja është parti me traditë dhe e vetmja që kultivon demokraci të lartë brenda saj.

Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” kandidati i kësaj partie për deputet, Anton Quni.

Më tutje Quni ka thënë se prioritet e LDK-së pasi t’i fitojë zgjedhjet do të jenë krijimi i vendeve të reja të punës dhe sundimi i rendit dhe i ligjit.

“Besoj që po. Vlerësimin tim e kam shprehur edhe si anëtar i Kryesisë së LDK-së dhe besoj që është trajtuar me konsideratë”, ka thënë Quni, duke folur për përfshirjen e Vjosa Osmanit.

“T’ua përkujtoj vetëm që LDK-ja është parti me traditë dhe e vetmja që kultivon demokraci të lartë brenda saj”, ka shtuar ai.

Duke folur për listën që LDK-ja ka dorëzuar në KQZ me kandidatët e saj për deputetë, Quni ka thënë se kjo është listë e formuar në bazë të moralit politik dhe arsimimit.

“Lista e kandidatëve të LDK-së është përmbledhje e mundësive, nevojave, limiteve në numër, përfaqësimit të gjeneratave, barazisë gjinore, regjioneve dhe shumë faktorëve të tjerë. Kandidatët janë të përzgjedhur duke u bazuar në kriteret që LDK-ja i ka vendosur si standard, duke iu referuar moralit politik, arsimimit, ekspertizës së çdo kandidati dhe kredibilitetit të tyre në shoqërinë e gjerë kosovare”, ka thënë ish-deputeti i LDK-së, i cili po kërkon edhe një mandat si përfaqësues i popullit.

I pyetur pse partia e tij nuk e ka bërë ende publike listën e kandidatëve të saj, Quni ka thënë se ky është vetëm proces teknik.

“Besoj se janë në pyetje çështjet teknike në raport me KQZ-në deri në certifikimin e çdo kandidati”, ka thënë ai.

Ish-komandanti i UÇK-së ka thënë se për të është nder i madh që në vazhdimësi po i jepet mundësia për ta përfaqësuar zërin e qytetarëve në Kuvendin e Kosovës.

“Është nder i madh pa dyshim që në vazhdimësi më jepet mundësia ta prezantoj zërin e qytetarëve në jetësimin e programit politik të LDK-së. Ky besim më obligon të jem i përgjegjshëm para qytetarëve dhe organeve të partisë”, ka thënë Quni.

Krejt në fund Quni ka folur edhe për ndryshimet që LDK-ja do t’i bëjë dhe për të cilat do të angazhohet pasi që t’i fitojë zgjedhjet.

Ai ka thënë se shteti, i cili do të krijojë vende të reja pune dhe ta garantojë sundimin e ligjit, do të jetë shteti që LDK-ja dhe ai do të përkushtohen për ta krijuar.

“Për mua prioritet mbi prioritete mbeten të gjitha çështjet që lidhen dhe kanë ndikim në sigurinë tonë nacionale. Punë, rend dhe ligj është ajo çka na duhet si vend e si shoqëri dhe këto janë prioritete për të cilat vetëm LDK-ja me partnerët e koalicionit mund t’i sigurojë qytetarët se do të punohet shumë dhe do të përmbushen suksesshëm”, ka përfunduar Anton Quni.