Milionat e fushatës

Aktuale May 23, 2017 - 08:03

Partitë e mëdha politike kanë nisur t’ia hapin “grykën thesit me para” për fushatën parazgjedhore. Përpos fondeve që i marrin nga buxheti i shtetit, shuma të mëdha marrin edhe nga bizneset, të cilët më pas i favorizojnë në tenderët institucionalë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Partitë politike në Kosovë vazhdojnë të shpenzojnë shuma të mëdha parash nëpër fushata zgjedhore, ani pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për kufizim të shpenzimeve.

Përderisa KQZ-ja ka rrumbullakuar shpenzimet në shifrën prej rreth 900 mijë eurove, subjektet politike vazhdojnë të mos jenë transparente sa i përket mënyrës së financimit. Kështu konsiderojnë monitoruesit e financimit të partive politike, të cilët thonë se në Kosovë mungojnë mekanizmat e duhur të kontrollit për ndalimin e keqpërdorimeve financiare.

Ndërkohë, analistët politikë vlerësojnë se fondi i partive politike është shumëfish më i madh sesa shuma që marrin nga buxheti i Kosovës. Ata madje nuk përjashtojnë mundësinë që disa prej partive financohen nga bizneset e mëdha në Kosovë.

Megjithëkëtë, deputetë nga koalicioni PDK-AAK-“Nisma” thonë se i gjithë financimi bëhet në mënyrë transparente, kurse “Vetëvendosja” ka bërë të ditur se fushatën do ta financojë nga kursimet e fondit vjetor dhe nga kontributet e qytetarëve.

KQZ-ja përcakton limitin e shpenzimeve: 942 mijë euro për fushatë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve para pak ditësh ka marrë vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike.

Me anë të këtij vendimi KQZ-ja ka ndarë rreth 900 mijë euro për fushatën e subjekteve politike.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton limitin e shpenzimeve të fushatës për subjektet politike për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më datën 11 qershor 2017, në shumën prej 942.573.5 eurosh”, thuhet në këtë vendim.

Më tej vendimi në fjalë bën të ditur se për çdo votues të regjistruar është ndarë gjysmë euro.

“... kufizimi i shpenzimeve të fushatës dhe deklarimi financiar parasheh që kufizimi i shpenzimeve të fushatës për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës do të jetë 0.5 euro për votues të regjistruar. Numri i votuesve sipas listës preliminare të Regjistrit Civil në Republikën e Kosovës është 1.885.147 votues të regjistruar”, thuhet tutje në vendimin e nxjerrë nga KQZ-ja.

Canhasi: KDI-ja vlerëson se financimi i partive mbetet problematik

Artan Canhasi, menaxher i programit të transparencës dhe kundër korrupsionit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se financimi i partive politike mbetet një çështje problematike.

“KDI-ja, si pjesë e koalicionit për monitorimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim vlerëson se integriteti i partive, më saktësisht financimi dhe raportimi financiar, mbeten problematike dhe vlerëson se duhet të zhvillohet mbikëqyrje më e fuqishme dhe më e koordinuar e partive politike dhe e financave të tyre”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas Canhasit, sa më shumë që partitë kanë financa, aq më të mëdha i bëjnë edhe fushatat. 

“Financat në masë të madhe janë ato që e definojnë se çfarë fushate organizojnë partitë politike. Sa më shumë financa që kanë, i bëjnë edhe fushatat më të mëdha dhe mbledhin më shumë vota, por nëse ato para hyjnë nga burime jo të pastra edhe votat mund të konsiderohen se i fitojnë në atë mënyrë. Po ashtu, partitë u mbesin borxh atyre kompanive apo personave që i kanë financuar fushatat e tyre, me një fjalë kemi devijim të votës së sovranit nëpërmjet parave të pista”, është shprehur tutje ai. Kurse subjektet politike, siç ka thënë Canhasi, nisin me fushata shumë më herët për atë edhe shpenzohet shumë më shumë.

“Partitë dhe kandidatët i lansojnë fushatat e tyre shumë më herët sesa lejohet me ligj dhe në këtë drejtim konsiderohet se shpenzojnë shumë më tepër. Kemi parë mesazhe partiake që janë duke u transmetuar aktualisht”, ka theksuar Artan Canhasi.   

Pula: Në Kosovë mungojnë mekanizmat e duhur të kontrollit

Ndërkaq Erza Pula, eksperte e financimit të partive politike nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka vlerësuar se mungesa e auditimit të subjekteve vë në pikëpyetje transparencën e tyre.

“Në Kosovë mungojnë mekanizmat e duhur të kontrollit, të cilët do ta përmirësonin transparencën dhe do t’i ndalonin keqpërdorimet dhe abuzimet e burimeve financiare nga partitë politike. Për më tepër, mungesa e auditimit të partive politike që nga viti 2013 vë në pikëpyetje transparencën e këtyre partive, të cilat jo vetëm gjatë fushatave zgjedhore pranojnë fonde në kundërshtim me ligjet në fuqi për financimin e partive politike, duke dëmtuar kështu procesin zgjedhor që është baza e çdo demokracie”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Sipas saj, auditimi i rregullt i partive politike në Kosovë është në interes të procesit të demokratizimit.

“Në këtë mënyrë partitë politike po hyjnë në fushatën zgjedhore ende pa u kryer auditimi i financave të tyre për të katërtin vit radhazi. Auditimi i rregullt i partive politike në Kosovë është në interes të procesit të demokratizimit, si dhe shpenzimi e pranimi i parasë nga partitë politike duhet t’i nënshtrohen mekanizmave mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës për të siguruar që paratë janë menaxhuar në harmoni me ligjet në fuqi”, është shprehur Pula.

Ajo më tej ka thënë se transparenca e plotë e financimit të partive politike është një nga kërkesat e shprehura në vazhdimësi nga Komisioni Evropian, si dhe një nga prioritetet e përfshira në Agjendën e Reformave Evropiane për Kosovën.

Rugova: Fondi i partive, shumëfish më i madh sesa shuma që marrin nga buxheti

Kurse analisti politik, Arben Rugova, ka vlerësuar se partitë politike shpenzojnë shumë më shumë për fushata sesa që marrin nga buxheti i shtetit.

“Fondi i partive politike është shumëfish më i madh sesa shuma që marrin nga buxheti i Kosovës. Ato deklarojnë se financimin e tyre e kanë kryesisht nga ky fond dhe nga anëtarësia e partisë, mirëpo e vërteta duhet të jetë ndryshe. Këtë më së miri e dëshmon fushata elektorale, ku disa prej partive politike e shpenzojnë fondin që marrin si parti parlamentare vetëm në reklama pa llogaritur mijëra eurot për billborde (pankarta). Janë dyshimet e bazuara se partitë politike, sidomos ato që vijnë e shkojnë në pushtet, financohen nga bizneset e mëdha dhe si kundërshpërblim marrin ndonjë tender apo edhe ikje ndaj tatimeve”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, pikërisht shpenzimet e mëdha bëjnë që partitë të mos tregojnë fare për të ardhurat e tyre.

“Në Kosovë nuk janë transparente institucionet e lëre më partitë politike, të cilat përherë kanë qenë të mbyllura, pa pasqyra financiare dhe të anashkaluara nga auditimi i mirëfilltë prej organeve kompetente. Partitë nuk i tregojnë të ardhurat e tyre, ngase shpenzojnë shumë gjatë fushatës dhe deklarojnë tjetër gjë, shuma më të vogla. Kjo bëhet për t’i mbajtur sekret financuesit, për t’u ikur tatimeve, por edhe është mundësi dhe dyshohet se pikërisht gjatë fushatave partitë bëjnë edhe shpëlarje të parave”.

Cacaj: Fushata e LVV-së financohet nga fondi i kursimeve dhe nga qytetarët

Nga ana tjetër Ilir Cacaj, drejtues i Sekretariatit për Financa nga “Vetëvendosja”, ka thënë se shteti nuk ka ndarë para për fushatë, porse “Vetëvendosja” do ta realizojë atë prej kursimeve të fondit vjetor dhe prej donacioneve të qytetarëve.

“Edhe për zgjedhjet parlamentare 2014, por edhe për këto zgjedhje nuk është ndarë fond i veçantë nga buxheti i shtetit për subjektet politike. Kështu që lëvizja ‘Vetëvendosje’ do ta bazojë fushatën elektorale në dy burime: nga disa kursime prej fondit të rregullt vjetor që merr si subjekt politik parlamentar dhe nga donacionet prej qytetarëve në forma të ndryshme (qoftë si para të deponuara në bankë, qoftë si donacione në natyrë në formën e mallrave dhe të shërbimeve)”, ka deklaruar Cacaj për “Zërin”.

Ai më tej ka thënë se qytetarët janë treguar të gatshëm edhe herëve të kaluara për ta ndihmuar “Vetëvendosjen”.

“Edhe në zgjedhjet e kaluara ka pasur shumë qytetarë të gatshëm ta ndihmojnë lëvizjen ‘Vetëvendosje’ gjatë zgjedhjeve dhe në këto zgjedhje besojmë që mbështetja qytetare do të jetë edhe më e madhe”, është shprehur Cacaj.

Lekaj: Edhe pas koalicionit do të ketë financim transparent

Kurse Pal Lekaj, nga AAK-ja, pjesë e koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-“Nisma”, ka thënë se fushata e AAK-së ka qenë gjithmonë transparente.

“Ne në çdo proces elektoral kemi bërë fushatë më shumë fizikisht sesa virtualisht, pra i bie që fushata çdoherë ka qenë modeste dhe e përballueshme. Çdo financim i AAK-së ka ndodhur sipas ligjit dhe gjithherë ka qenë e do të jetë transparente”, ka deklaruar ai.

Lekaj më tej ka thënë se edhe tash që AAK-ja është në koalicion me “Nismën” e PDK-në do të ketë financim transparent.

“I bie që do të ketë buxhet e financim transparent, çdoherë në frymën dhe vijat që i lejon ligji. Është rritur e do të rritet përkrahja popullore për Ramushin kryeministër”, ka nënvizuar ai.

Sallova: Partitë jotransparente, financohen nga grupe të biznesit

Nga ana tjetër politologu, Donik Sallova, ka vlerësuar se partitë politikë në Kosovë financohen nga grupe të ndryshme të biznesit.

“Partitë nuk janë transparente dhe dihet mirëfilli se ato financohen nga grupe biznesi, të cilat më pastaj përfitojnë nga shteti projekte dhe tenderë në mënyre jomeritore. Për të mos thënë që në Kosovë tashmë ka grupe të fuqishme ekonomike, të cilat kanë ndikim direkt në politikë. Kjo bie ndesh me demokracinë dhe me interesin publik. Politika gjithnjë e më shumë po bëhet biznes dhe oligarki”, është shprehur Sallova.

Ndërkohë njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, ka vlerësuar se financimi dhe transparenca janë dy gjëra që përbëjnë ndeshjen më të madhe në vendet demokratike.

“Financimi dhe transparenca janë dy gjëra që përbëjnë përplasjen më të madhe në demokraci. Kjo gjë është një ndër debatet më të nxehta gjithandej. Problemin më të madh që e shoh është përdorimi i aseteve të shtetit dhe kontraktimi paraelektoral, favoret që u bëhen banorëve dhe lokaliteteve të ndryshme për ta ndryshuar përqindjen e votimeve”, ka deklaruar ai.

Sipas Abazit, partitë politike përdorin edhe varfërinë për të siguruar vota.

“Përdorimi i fukarallëkut dhe mosdijes për të siguruar votat, p.sh., loja me minoritetet joserbe për fushatë është e tmerrshme sepse me shumë pak investime dhe me premtime për rrugë me zhavorr, kulme për shtëpi, shlyerje të borxheve nëpër dyqane dhe blerjen e përfaqësuesve të tyre sigurohen vota. Njerëzve ose u premtohet pozita apo kërcënohen për pozitën që kanë nëse nuk i sigurojnë votat e familjeve dhe të farefisit”, është shprehur Abazi.