‘Hallakamë’ për lista të deputetëve

Aktuale May 19, 2017 - 16:02

PDK-ja mësohet se ka marrë rreth 900 propozime nga degët për t’i përfshirë në listat për deputetë, derisa vetëm 5 për qind e tyre do të mundë të përfshihen, marrë për bazë koalicionet parazgjedhore. Me kërkesa të tilla po ballafaqohen edhe subjektet tjera politike.

Ndonëse kanë mbetur vetëm edhe pak orë deri në përfundim të afatit ligjor për t’i dorëzuar listat e deputetëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), partitë politike ende nuk i kanë finalizuar ato.

Përderisa secilit subjekt apo koalicion parazgjedhor që hyn në zgjedhje i lejohet që në listë t’i fusin vetëm 110 emra, brenda partive tashmë po zhvillohet një “betejë” për t’u inkuadruar në këto lista.

Sipas burimeve të gazetës “Zëri” vetëm në PDK deri më tani nga degët janë bërë diku 900 propozime për t’u bërë pjesë e listës zgjedhore, derisa vetëm 5 për qind e tyre do të shkojnë, duke marrë parasysh edhe vendet e rezervuara për partnerët e koalicionit parazgjedhor që ka arritur ky subjekt politik.

Kurse, deri para pak ditësh, numri i propozimeve nga kjo parti, siç pati raportuar Gazeta Zëri, ishte rreth 700.