A e rrezikon koalicioni PDK-AAK-Nisma, koalicionin LVV-AAK në Prishtinë

Aktuale May 18, 2017 - 15:29

Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë në koalicion të përbashkët në Komunë e Prishtinës.

VV dhe AAK kishin lidhur këtë koalicion në kohën kur kishin synime të përbashkëta për ta rrëzuar qeverinë PDK-LDK, e cila edhe u arrit pas një mocioni të iniciuar nga Nisma.

Mirëpo gjithçka ndryshoi para pakë ditësh, kur AAK dhe Nisma, i’u bashkuan PDK-së për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

Pas kësaj, AAK dhe “Vetëvendosje”, në nivel nacional i ndan rrugët, por jo edhe në atë lokal, pasi ky koalicion, nuk shihet si pengesë për vazhdimin e bashkëpunimit në Komunën e Prishtinës.

Kryetar i degës së AAK-së në Prishtinë, Avni Arifi, në një prononcim për “Zeri.info”, ka thënë se koalicionet në nivel lokal duhet të bëhen konform specifikave lokale dhe jo nacionale, prandaj sipas tij, këto koalicione janë arritur nga degët dhe në qendër askush nuk sheh pengese.

"Ne bëjmë dallim të madh në mes të temave nacionale dhe lokale. Sa na përket ne koalicionet në nivel lokal duhet të bëhen konform specifikave lokale e jo nacionale.

Ne kemi koalicion me VV-në Prishtinë, siç kemi me PDK-në Prizren apo me LDK-në Ferizaj, e Gjilan. Këto koalicione janë arritur nga degët dhe në qendër askush nuk sheh pengese", ka thënë Arifi për “Zeri.info”.