AAK thotë se e çmon porosinë e Amerikës për Demarkacionin, por s'do të ndërrojë qëndrim
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pasi Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një deklaratë për t'i bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të ratifikojë sa më shpejt Demarkacionin.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK'së, Pal Lekaj, ka thënë se partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj e çmon porosinë e Ambasadës së SHBA-së për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, porse ajo do të vazhdojë të jetë e palëkundur në këtë drejtim sa i përket qëndrimit të saj.
“Sa i përket deklaratës së ambasadës së SHBA-së, mendoj që i kemi miq dhe se i kemi respektuar dhe do të vazhdojmë t’i respektojmë, megjithatë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban qëndrim të palëkundur dhe se nuk do të pajtohet me këtë marrëveshje për Demarkacionin me Malin e zi. Ne e kuptojmë ambasadën amerikane mirëpo edhe në anën tjetër asnjë presion nuk mund të jetë demokratik. Deputetët e kanë integritetin e vet dhe është sovrani ai që flet në këtë rast. Deputetët janë të lirë të zgjedhin të drejtën, kështu na kanë mësuar edhe miqtë ndërkombëtarë e poashtu Amerika që të jemi demokratik. E çmojmë porosinë e tyre por ne si AAK e kemi qëndrimin tonë”, ka thënë Lekaj për Indeksonline.