Edhe ‘Vetëvendosje’ mbështet mocionin e Nisma-s për rrëzimin e Qeverisë

Aktuale April 24, 2017 - 19:54

Mocioni për rrëzimin e Qeverisë, i nisur nga Nisma për Kosovën po vazhdon të marrë përkrahjen e opozitës, raporton “Zeri.info”.

Pas përkrahjes që i ka dhënë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës këtij mocioni të Nisma-s, tani edhe Lëvizja Vetëvendosje edhe zyrtarisht po e përkrah një mocion të tillë.

Këtë e ka konfirmuar për “Zeri.info”, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

“Po, do ta mbështesim”, ka thënë shkurt Haxhiu për “Zeri.info”.

Nisma për Kosovën e kishte nisur këtë mocion për rrëzimin e Qeverisë, për shkak se sipas tyre, koalicioni qeverisës, PDK-LDK, edhe me afro 90 deputetë të cilët i ka, disa herë radhazi nuk ka arritur që të ketë kuorum as për votimin e ligjeve të qeverisë së tyre. Po ashtu sipas Nisma-s, shumë nga deputetët e këtij koalicioni, janë deklaruar kundër vazhdimit të këtij koalicioni qeverisës.

“Mungesa permanente e ministrave të kësaj qeverie në seancat e Parlamentit e ka ndihmuar dhe e ka thelluar jo funksionalitetin e këtij parlamenti. E vetmja zgjidhje për të dal vendi ynë nga kjo situatë, e në të cilën edhe praktikisht të gjitha institucionet janë jo funksionale, janë zgjedhjet e lira dhe demokratike. Prandaj i takon opozitës që të nis iniciativën për mocion mosbesimi për këtë qeveri dhe me këtë ti hapim rrugë zgjedhjeve”, është thënë në deklaratën e Nismas për Kosovën, raporton "Zeri.info".

Mirëpo, gjatë ditës së djeshme, kreu i ekzekutivit, Isa Mustafa, ka thënë se duke organizuar peticion për rrëzimin e Qeverisë dhe duke kërkuar zgjedhje të reja, vendi do të rrezikoj liberalizimin e vizave, krijimin e ushtrisë etj.

“...Dhe tani, thua se po e harrojmë ushtrinë, po i harrojmë investimet e mëdha po e rrezikojmë liberalizimin, dhe po kërkojmë shkas, qoftë me mocion qoftë në mënyra tjera për të shkuar në zgjedhje. Është paradoksale të thuhet se të gjithë jemi gatitur për të bërë ushtrinë dhe në të njëjtën kohë të organizohet peticion për të lënë anash këtë zotim e për të shkuar në zgjedhje të reja. Dikush dëshiron të harrohen edhe dëmet milionëshe të shkaktuar vendit dhe të merremi me zgjedhje. Rrugëdalja nuk është të ikim nga përgjegjësia, të bëhemi rob i sondazheve, sepse kur i kemi hyrë kësaj pune jemi marrë vesh ta qojmë deri në fund, ndërsa sondazhet i bëjmë kur të përmbyllim punët dhe kur u vjen koha e zgjedhjeve të rregullta”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, raporton “Zeri.info”.

Ndryshe, partitë opozitare kanë vetëm 30 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Gatishmërinë për ta nënshkruar këtë mocion e kanë dhënë disa deputetë të PDK-së dhe të pavarur.

Për të qenë mocioni i suksesshëm duhet të votojnë mbi 60 deputetë. /ZËRI/