Zhugolli rikthehet në KEK, merr 6 milionë euro tenderë
Biznesmeni, i cili kishte “monopolin” mbi tenderët milionësh në Kosovë, është rikthyer fuqishëm në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Kompania private “Eco Trade” e Mehdi Zhugollit për më pak se dy vjet ka fituar tenderë në vlerë prej mbi 6 milionë euro nga kompania më e madhe publike në vend.
Sipas një hulumtimi të gazetës “Zëri”, gjatë fillimvitit 2017 Zhugolli ka marrë tender njëburimor nga kompania që drejtohet nga Arben Xhukaj në vlerë prej rreth 4.2 milionë eurosh për “Furnizim, demontim, montim dhe komisionim të reduktorëve të pompës furnizuese për Bllokun A3/A4”. Ndërkaq, një tender tjetër prej 1.8 milionë eurosh dhe disa tenderë më të vegjël kompania në fjalë i kishte marrë nga KEK-u gjatë vitit që lamë pas.
Për kompanitë e vëllezërve Zhugolli vite më parë është raportuar në medie se kanë marrë dhjetëra miliona euro tenderë nga KEK-u. Madje, sipas medieve, kjo kompani ka fituar tenderë për shkak të lidhjeve me ish-kryeministrin Hashim Thaçi, tashmë president i vendit. Gazeta “Preportr” në vitin 2012 kishte shkruar se familja Zhugolli nga viti 2007 deri më 2012 ka përfituar 170 milionë euro tenderë nga KEK-u. Sipas “Preportr”-it, kompanitë me të cilat familja Zhugolli ka marrë tenderë nga KEK-u janë: “ACDC-Kos”, “Eco Trade”, “I & A sh.p.k”. Familja Zhugolli po ashtu ka përfaqësinë e “ThyssenKrupp Fordertechnik”-ut, “Siemens”-it.
Tender njëburimor
Në anën tjetër Skender Bucolli, drejtor i zyrës për marrëdhënie me publikun në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), konfirmon për gazetën “Zëri” se kontrata 4.2-milionëshe mes Korporatës Energjetike të Kosovës dhe kompanisë “Eco Trade” është nënshkruar më 15 shkurt të këtij viti.
“Tenderi ‘Furnizim, demontim, montim dhe komisionim i reduktorëve të pompës furnizuese për Bllokun A3/A4’, më datën 30.05.2016 është bërë njoftimi për kontratë, më datën 16.01.2017 është bërë njoftimi për dhënie të kontratës. Në këtë tender, respektivisht në këtë Lot, ka konkurruar një operator ekonomik, ndërsa dosjen e tenderit e kanë tërhequr 32 operatorë ekonomikë. Vlera e kontratës është 4,197.020 euro. Afati për realizimin e kësaj kontrate është 16 muaj pas nënshkrimit të të dyja palëve kontraktuese”, ka thënë Bucolli për gazetën “Zëri”.
Bucolli më tej tregon se kompania “Eco Trade” gjatë vitit 2016 në KEK ka fituar 4 tenderë në vlerë prej 1 milion e 846 mijë eurosh, gjatë vitit 2015 ka fituar 1 tender në vlerë prej 348,783 eurosh, gjatë vitit 2014 i ka fituar 3 tenderë në vlerë prej 818 mijë eurosh, si dhe në vitin 2013 i ka fituar 2 tenderë në vlerë prej 416 mijë eurosh.
Për këtë çështje gazeta “Zëri” i ka dërguar pyetje kompanisë “Eco Trade” përmes postës elektronike, por nuk ka arritur të marrë përgjigje nga ta.
Demhasaj: Po fitojnë financuesit e PDK-së
Në anën tjetër Arton Demhasaj, drejtor në organizatën joqeveritare “Çohu”, thotë se kompanitë që kanë financuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) janë forcuar aq shumë se që kompanitë e tjera nuk mund të garojnë me to. “Janë disa kompani si ‘Eco Trade’ të cilat viteve të fundit kanë marrë aq shumë tenderë të mëdhenj, saqë kanë krijuar kapital aq të madh sa atyre askush tash nuk po mund t’u konkurrojë. Tash këto kanë krijuar njëfarë monopoli pasi asnjë kompani nuk po mund të shtyhet me to”, ka thënë Demhasaj për gazetën “Zëri”.