Mustafa: Kërkova zgjidhje kreative që qytetarët të lëvizin pa viza

Aktuale March 30, 2017 - 18:59

Kryeminstri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ka kërkuar sot në samitin e liderëve të EPP-së, një zgjidhje kreative apo ndonjë modalitet ku qytetarët e Kosovës do të mund të lëviznin pa viza, deri në plotësimin e kriterit të demarkacionit, transmeton zeri.info.

Sipas Mustafës, Kosova dhe qytetarët e saj janë të orientuar vetëm nga Bashkimi Evropian dhe nuk kanë tjetër alternativë./Zeri/

Lexoni statusin e plotë të kryeministrit Mustafa:

Pas punimeve të Kongresit të Partive Popullore Evropiane, pasdite vazhduam në takimin e radhës, përkatësisht në Samitin e Liderëve të EPP-së.

Në fokus të liderëve evropianë, ishte situata dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Para liderëve, në dy paraqitje, prezantova zhvillimet kryesore në Kosovë, si zhvillimi ekonomik prej rreth 4%, ndaljen e migrimit ilegal, uljen e papunësisë dhe kontratat e shumta me FMN-në, BERZH-in, BEI-në, Qeverinë Gjermane, Qeverinë Franceze dhe qeveritë e tjera të vendeve perëndimore, të gjitha këto si investime në funksion të zhvillimit ekonomik dhe përafrimit me Evropën dhe vlerat evropiane.

Nënvizova edhe një herë faktin se qytetarët e Kosovës janë të orientuar vetëm kah Bashkimi Evropian dhe se Kosova nuk ka asnjë alternativë tjetër, as politike dhe as ekonomike.

Në veçanti, theksova se Kosova ka mbetur vendi i vetëm i izoluar në Evropë me regjim të vizave, se kemi përmbushur kriteret për liberalizim dhe mbetjen e kriterit të demarkacionit me Malin e Zi.

Kërkova një zgjidhje kreative, ndonjë formë të modalitetit ku qytetarët do të gëzonin lëvizjen e lirë, derisa ne do të punonim në ratifikimin e shënjimit të kufirit me Malin e Zi.

Partitë Popullore Evropiane kanë luajtur një rol të veçantë gjatë procesit të liberalizimit të vizave, dhe pa ta, nuk do të kishim arritur deri këtu, prandaj jemi mirënjohës për përkrahjen e deritanishme dhe të vazhdueshme ndaj Kosovës.