Senati amerikan godet Rusinë, aprovon hyrjen e Malit të Zi në NATO

Aktuale March 28, 2017 - 23:36

Me mbështetjen e Administratës Trump, Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dhënë një goditje Rusisë të martën, duke votuar për t'ia lejuar hyrjen në NATO njërit prej shteteve më të vogla të Evropës.

Senati amerikan ka aprovuar kërkesën e Malit të Zi për t'u bërë anëtar i plotë i aleancës për siguri, me 97 vota pro, dhe vetëm 2 kundër, raporton The Washington Post.

Anëtarët e të dy partive, asaj Republikane dhe asaj Demokratike, janë bindur se ndikimi i Rusisë duhet të frenohet kudo që të jetë e mundur, dhe se anëtarësimi në NATO i Malit të Zi - dikur ish-pjesë e Jugosllavisë - është një mënyrë për ta bërë këtë, transmeton Gazeta Express.

"Nëse refuzojmë Malin e Zi, ai nuk do të mbetet demokratik siç është sot", ka paralajmëruar senatori John McCain, para votimit.

McCain u ka kujtuar senatorëve se si Putin po shtrin ndikimin në Malin e Zi, dhe se si Kremlini është munduar të rrëzojë qeverinë malaziase nëpërmjet një komploti.

Rusia është kundërshtare e zëshme e zgjerimit të mëtejshëm të NATO's, në veçanti e anëtarësimit të Malit të Zi në aleancën veriatlantike. 

Pas marrjes së aprovimit nga Senati amerikan, Mali i Zi tani pret vetëm aprovimin nga Holanda.

Mali i Zi pritet të bëhet anëtar i 29'të i NATO's, në Samitin e paraparë të mbahet në muajin maj në Bruksel.