Vizat e 'përjetshme'!

Aktuale March 21, 2017 - 08:24

Liberalizimi i vizave me BE-në nuk pritet të ndodhë as këtë vit, pavarësisht se gati një dekadë liderët politikë në vend premtojnë heqjen e tyre. Bashkimi Evropian insiston se pa kalimin e Demarkacionit në Kuvend nuk hiqen vizat për kosovarët, derisa opozita kërcënon se me rikthimin e Marrëveshjes për Kufirin rikthehet edhe gazi lotsjellës. Në anën tjetër, kosovarët do të vazhdojnë të mbesin populli i vetëm i izoluar në Evropë edhe gjatë vitit 2017.

Qytetarët e Kosovës nuk pritet të lëvizin lirshëm në zonën Shchengen as gjatë këtij viti. Liberalizimi i vizave, i premtuar tash e 6 vjet, ka mbetur peng i Marrëveshjes së Demarkacionit,  e cila po kundërshtohet fuqishëm nga opozita kosovare për afro dy vjet. E njëjta situatë po vazhdon edhe sot. Derisa në Qeveri thonë se janë duke e shqyrtuar riprocedimin e Marrëveshjes në Kuvend për një kohë të përshtatshme, opozita kosovare nuk ka lëvizur nga pozicionet e saj.

Kundërshtimi i Marrëveshjes e cila sipas tyre ia humb Kosovës 8200 hektarë tokë, brenda dhe jashtë Kuvendit do të jetë i fuqishëm. E sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, përgjegjësia kryesore për izolimin e kosovarëve edhe këtë vit bie pikërisht mbi institucionet dhe udhëheqësit e Kosovës. Megjithatë, ka edhe të atillë që një pjesë fajit ia vënë Bashkimi Evropian.

BE-ja po e pret vetëm ratifikimin e Demarkacionit

Qeveria e Kosovës është duke shqyrtuar riprocedimin e Marrëveshjes së Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, ende nuk ka ndonjë datë të saktë se kur kjo do të ndodhë. “Qeveria e Kosovës është në shqyrtim të vazhdueshëm të riprocedimit të Marrëveshjes në Kuvend dhe kjo do të ndodhë në një kohë sa më të përshtatshme për ratifikimin e saj”, ka thënë për “Zërin” udhëheqësi i zyrës për informim në Ministrinë e Integrimit Evropian, Flamur Shala.

Ai ka shtuar se ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës ka qenë dhe mbetet kusht i pakontestuar nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave. “Në takimet e vazhdueshme të ministres Ahmetaj me përfaqësuesit institucionalë dhe të shteteve anëtare të BE-së, ratifikimi i Marrëveshjes për Shënimin e Vijës Kufitare mes Malit të Zi dhe Kosovës ka qenë dhe mbetet kërkesë në mënyrë që procesi i vendimmarrjes nga BE-ja për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës që të mund të ecin përpara”, ka thënë Falmur Shala.  

Duke folur për ndonjë datë eventuale, se kur mund të lëvizin të lirë qytetarët e Kosovës në zonën Shchengen Shala ka thënë se nuk mund të flasin për situata dhe data hipotetike. “Është fakt që Kosova ka përmbushur kërkesat e procesit dhe me përfundimin edhe të çështjes së demarkacionit vendimet do të mund të merren nga ana e BE-së pa vonesa të mëtutjeshme”, ka përfunduar ai.

Ndërkohë, në një intervistë dhënë gazetës “Zëri”, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se Demarkacioni do të mbetet si kusht për Kosovën edhe një dekadë të tërë, andaj duhet që të votohet sa më parë. “Marrëveshja e Demarkacionit nuk duhet të mbetet nën hije, sepse fati i lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës varet nga ajo, sepse pa Demarkacion nuk do të ketë liberalizim të vizave edhe nëse votohet pas tre muajve, pas tri vjetëve apo një dekade, BE-ja nuk do ta heqë këtë kusht”, ka thënë presidenti Thaçi, i cili u ka bërë thirrje partnerëve të koalicionit që të mos humbin kohë në këtë drejtim. “Unë mendoj që partnerët e koalicionit i kanë votat e mjaftueshme dhe duhet të punojnë më tepër me deputetët e tyre që t’i bindin dhe të votohet në Kuvend”, ka thënë presidenti Thaçi.

Koha që po humb Kosova do të ketë pasoja të rënda

Kosova është duke u vonuar shumë në ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit. Madje sipas tyre, kjo vonesë do të jetë me pasoja të mëdha, qoftë në vonesën e liberalizimit të vizave, por edhe procesin e shtetndërtimit. “Mendoj se çështja e demarkacionit ka qenë dashur të zgjidhet tashmë. Koha që po humb Kosova është me pasoja të rënda për vetë procesin e shtetndërtimit, fuqizimin institucional dhe sigurinë e saj”, ka thënë Dashnim Ismajli, profesori i Politikave Ndërkombëtare.

Sipas tij, si rrjedhojë e kësaj humbjeje kohe Kosova po e bën jo të qartë orientimin dhe vendosmërinë e saj për të qenë pjesë e mekanizmave ndërkombëtare. Madje, ai ka shtuar se nëse Kosova nuk tregon seriozitet dhe vendosmëri shumë shpejt, do të humb rastin për liberalizim edhe për këtë vit.

“Unioni Evropian gjendet në një situatë jo të favorshme për zgjerim dhe aktualisht po ballafaqohet me probleme të natyrave të ndryshme të cilat po e rrezikojnë edhe vetë Unionin Evropian dhe qëndrueshmërinë e saj. Andaj si rezultat i kësaj Kosova në rast se nuk tregon vendosmëri dhe seriozitet do ta humbas shansin për një liberalizim të mundshëm në një afat të shkurtë kohor”, ka thënë ai.

Ndërsa Krenar Gashi, hulumtues në Qendrën për Studime Evropiane në Universitetin e Gentit në Belgjikë, ka vlerësuar se finalizimi i Demarkacionit nuk sjell automatikisht edhe vizat, dështimi i institucioneve të Kosovës për ta përmbushur kushtin e Demarkacionit ka bërë që të na ik një momentum i volitshëm dhe një disponim pozitiv që Këshilli kishte për këtë çështje. Ndërkohë, ka thënë se Bashkimi Evropian është treguar i rreptë me Kosovën.

“Duhet thënë që në fillim se BE-ja është treguar e ashpër karshi Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave”, ka shtuar ai. Ai tutje, ka thënë se është shumë herët të parashikohet se kur mund të merret vendimi për vizat.

“Megjithatë, për shkak të natyrës së komplikuar vendimmarrëse të BE-së është thuajse e pamundur të parashikohet nëse një vendim i tillë do të merret në fund të vitit 2017”, është shprehur ai. Në fund ai ka thënë edhe njëherë se pa kryerjen e Demarkacionit shanset janë minimale që Këshilli ta shqyrtojë një vendim të mundshëm për liberalizim, se lëre më, siç shprehet ai, të vendosë për të.

Abazi: Liberalizimin po e mban peng paaftësia e politikanëve

Drejtori i “Rockefeller Brothers”, Haki Abazi, ka thënë se liberalizimi i vizave për kosovarët po mbahet peng nga politikanë të paaftë. Sipas tij kjo çështje ka zhveshur paaftësinë e lidershipit politik. “Lëvizja e lirë ka parakusht luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ratifikimin të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, mirëpo këto nuk mjaftojnë. Dështimi në politikat zhvillimore ka sjellë në varfëri njerëzit. Nevojitet zhvillim ekonomik e vende të reja të punës që njerëzit të jenë vizitorë dhe jo punëtorë ilegalë në Evropë”, ka thënë Abazi, duke shtuar.

“Liberalizimi është pasojë e anës disfunksionale. Lëvizja e lirë e kosovarëve është dhe po mbahet peng nga paaftësia e politikanëve dhe qëndrimi i tyre servil”, ka shtuar ai. E politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se është e pakuptueshme kjo politikë e BE-së ndaj Kosovës. “Mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është turpi i Evropës sepse pa të drejtë i mbajnë të izoluar ata duke ua kufizuar lirinë e lëvizjes”, ka thënë Tahiri duke shtuar “Misionet ndërkombëtare në Kosovë ishin dhe janë krejt të panevojshme dhe u treguan të paefektshëm që nuk e arsyetojnë të kenë referenca për të shkuar në vende të tjera”, ka potencuar Tahiri.

Haxhiu: Marrëveshjen do ta kundërshtojmë brenda dhe jashtë Kuvendit

Në mesin e opozitës kosovare nuk ka ndryshime. Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka thënë ajo dhe kolegët e saj do ta kundërshtojnë këtë marrëveshje brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës. “Ka zëra se e njëjta marrëveshje do të riprocedohet. Qëndrimi i Lëvizjes “Vetëvendosje” është i njëjtë. Jemi konsistentë sa i përket kundërshtimit të kësaj marrëveshjeje. Nëse Qeveria e riprocedon këtë marrëveshje që ia fal 8200 hektarë Malit të Zi, ne do ta kundërshtojmë atë brenda dhe jashtë Kuvendit. Nuk do të lejojmë që Marrëveshja e cila fal territor të kalojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu. Duke e quajtur kusht të padrejtë dhe standard të dyfishtë nga ana e BE-së, ajo ka thënë se opozita nuk është përgjegjëse për izolimin e kosovarëve.

“Kusht i padrejtë dhe standard i dyfishtë nga ana e BE-së edhe pse jemi të bindur se ka qenë kërkesë e Qeverisë që kjo të futet si kusht. Ne nuk jemi përgjegjës për mosliberalizim. Njëra ndër kushtet tjera ka qenë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit e Qeveria nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim”, ka përfunduar ajo.