Thaçi: Po të duan ndërkombëtarët për 5 minuta e bindin Beogradin

Aktuale March 20, 2017 - 08:17

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” ka konfirmuar edhe një herë se krijimi i ushtrisë është “rrugë pa kthim”. Sipas tij, tani gjithçka varet nëse do të bëhet me ndryshimet kushtetuese duke i bindur serbët ose përmes iniciativës së tij

Beogradi po e mban peng Kosovën dhe është i pajustifikueshëm ngurrimi i bashkësisë ndërkombëtare t’i bindin serbët e Kosovës që ta ndryshojnë mandatin e FSK-së përmes ndryshimeve kushtetuese.

Kështu ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë dhënë gazetës “Zëri”. Sipas presidentit Thaçi, bashkësia ndërkombëtare mund ta bindë Beogradin për pesë minuta nëse njëmend dëshiron ta bëjë këtë.

Megjithëkëtë, presidenti ka rikonfirmuar edhe një herë se nëse bashkësia ndërkombëtare nuk mund t’i bindë serbët që të votohen ndryshimet kushtetuese, atëherë Kosova do të shkojë përmes projektligjit dhe do ta ketë ushtrinë e vet.

Thaçi ka thënë se janë në koordinim me Qeverinë për Projektligjin dhe brenda afatit ligjor ajo pritet të shkojë në Kuvend.

Presidenti ka folur edhe për Demarkacionin dhe ratifikimin e tij.

Ai ka thënë se partnerët e koalicionit duhet t’i bindin deputetët e tyre për ta ratifikuar këtë marrëveshje sepse BE-ja nuk do ta heqë kurrë këtë kusht. 

Zëri: Së fundmi keni nisur një iniciativë për ndryshimin e mandatit të FSK-së. Pse pikërisht tani kjo iniciativë, pse në këtë formë?

Hashim Thaçi: Ne jemi pajtuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me NATO-n për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese qysh në vitin 2014. Mirëpo, ka tre vjet që diskutojmë me Listën Serbe, edhe ne vendorët, edhe ndërkombëtarët dhe asnjëherë prej tyre nuk është treguar ndonjë gatishmëri që t’i votojnë ndryshimet kushtetuese, që të ndodhë transformimi nga FSK-ja në FAK. Prandaj, pas deklarimit të qartë, të prerë, refuzues të Listës Serbe se janë të urdhëruar nga Beogradi që të mos e votojnë, unë kam vendosur dhe është në të drejtën time si president, me të drejtën kushtetuese dhe ligjore që të kalojmë përmes planit “B”, përmes Projektligjit. Unë dëshiroj të falënderoj të gjithë qytetarët dhe spektrin politik kosovar të cilët u treguan shumë unikë në këtë iniciativë për Projektligjin për Themelimin e FSK-së, që të ndryshojë roli dhe misioni nga forcë civile në atë ushtarake.

Zëri: Kur e bëtë publike këtë iniciativë pati reagim të NATO-s, të SHBA-së dhe të vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Thanë se janë kundër. Si e shihni ju këtë reagim?

Hashim Thaçi: Nuk ishte reagim as i SHBA-së, as i NATO-s, as që kishte kundërshtim. Ishte vetëm theksimi i mundësisë që të vazhdohet me qasje të ndryshimeve kushtetuese, që të jetë një proces gradual dhe gjithëpërfshirës, që e ka mbështetjen e plotë edhe nga ana ime. Prandaj, në momentin që SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian t’i bindin serbët e Kosovës apo Beogradin që t’i këshillojë serbët e Kosovës të marrin pjesë në seancë, atëherë kjo do të ishte mrekulli sikur edhe ata të ktheheshin dhe të votonin. Por, nëse bashkësia ndërkombëtare nuk mund t’i bindë serbët që të marrin pjesë dhe të votohet për ndryshimet kushtetuese me dy të tretat e komuniteteve, atëherë definitivisht Kosova do të shkojë përmes projektligjit dhe do ta ketë ushtrinë e vet.

Zëri: Dikush prej vendeve të QUINT-it e dha një sinjal se mund të ketë rrezik të stabilitetit mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë për shkak të themelimit të mënyrës sesi po ndryshohet statusi i FSK-së?

Hashim Thaçi: Më tepër është paaftësi e bashkësisë ndërkombëtare që ta bindë dhe ta këshillojë Beogradin, që t’i udhëzojë serbët të marrin pjesë dhe të votojnë për ushtrinë e Kosovë sesa që është një rrezik për stabilitet. Kosova është atdheu ynë i përbashkët, të gjithë do të jetojmë këtu, kemi tolerancë, nuk ka incidente ndëretnike. Kështu që kjo çështje nuk duhet të vihet në raporte ndëretnike shqiptaro-serbe, por duhet të shihet nga prizmi politik dhe diplomatik dhe paaftësinë e faktorit ndërkombëtar që pas tre vjetësh t’i bindë serbët që të marrin pjesë në këtë proces. Por, kemi të bëjmë me një situatë të ngjashme si para shpalljes së pavarësisë, ku serbët ishin deklaruar qartë se nuk do të marrin pjesë në Kuvend, por ne hymë në Kuvend në proces të koordinuar me pjesën më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare dhe arritëm të shpallim atë me 109 deputetë, derisa tani ka konsensus edhe më të gjerë edhe më të fortë qytetar dhe politik. Pra, 110 deputetët e Kuvendit të Kosovës janë deklaruar se do të votojnë për Projektligjin për Themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

Zëri: A besoni se bashkësia ndërkombëtare mund ta bindë Listën Serbe që t’i votojë ndryshimet?

Hashim Thaçi: Nëse punojnë seriozisht për pesë minuta mund të bindet Beogradi.

Zëri: Pse po e zvarritin pra bindjen e tyre?

Hashim Thaçi: Është i pakuptueshëm dhe i pajustifikueshëm ky mosqëndrim i prerë i bashkësisë ndërkombëtare në raport me sjelljen destruktive dhe joevropiane të Beogradit në raport me Kosovën dhe i pakuptueshëm ky mosangazhim i faktorit ndërkombëtar që të t’ia tërheqë vërejtjen Beogradit e të mos e mbajë peng Kosovën.

Zëri: Si ka mundësi Vuçiqi ta ketë këtë autoritet?

Hashim Thaçi: Unë nuk po flas për individ, por për Serbinë si shtet, kështu që Beogradi nuk e meriton këtë sjellje kaq të butë për një sjelle agresive dhe armiqësore ndaj Kosovës.

Zëri: Kur e bëtë publike iniciativën ju thatë se besoni se kryeministri Mustafa do ta trajtojë me prioritet këtë iniciativë. Kanë kaluar mbi dhjetë ditë dhe Projektligji ende nuk është shqyrtuar në Qeveri?

Hashim Thaçi: Në ditën që kam vendosur për të iniciuar Projektligjin, paraprakisht jam konsultuar edhe me kryeparlamentarin Veseli dhe me kryeministrin Mustafa. Në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë, në të njëjtën tavolinë ua kam dorëzuar dyve Projektligjin, të dytë e kanë mirëpritur. Sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës ia kam dorëzuar kryetarit të Kuvendit, ai më pas Kryesisë së Kuvendit. Në mënyrë unike nga gjithë spektri politik, pozitë-opozitë, ka shkuar në Qeverinë e Kosovës. Tri dikastere qeverisëse e kanë dhënë mendimin pozitiv. Pra, është punuar në mënyrë intensive, me shumë prioritet. Prandaj në afatin e rregullt ligjor e di që Qeveria e Kosovës do ta përcjellë, do ta kalojë përmes komisioneve në debat dhe në aprovim.

Zëri: A ka të bëjë iniciativa juaj me rritjen e ndikimit rus në Ballkan?

Hashim Thaçi: Iniciativa ime ka të bëjë me të drejtën tonë për ta themeluar ushtrinë, sepse edhe ne duhet të jemi pjesë e partneritet për paqe, pjesë e NATO-s, pa ushtri nuk mund të bëhemi anëtar i NATO-s dhe mekanizmat euroatlantikë. Gjithashtu ushtria e Kosovës do ta luajë rolin e vet të paqes, të stabilitetit, do të ketë një rol edhe në kuadër të mekanizmave ndërkombëtarë në misione të ndryshime ndërkombëtar, është forcë multietnike, gjithmonë do të jetë. Nuk është e drejtuar kundër asnjë komuniteti. Nuk paraqet asnjë rrezik, por vetëm favor për ruajtjen e integritetit territorial dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Zëri: Një tjetër marrëveshje që është nënshkruar nga ju, ajo për Demarkacionin, nuk ka arritur ende të ratifikohet në Kuvend. A mendon se me çështjen e ushtrisë do të mbetet nën hije Marrëveshja e Demarkacionit?

Hashim Thaçi: Marrëveshja e Demarkacionit nuk duhet të mbetet nën hije, sepse fati i lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës varet nga ajo, sepse pa Demarkacion nuk do të ketë liberalizim të vizave, edhe nëse votohet pas tre muajve, pas tre vjetëve apo një dekade BE-ja nuk do ta heqë këtë kusht. Unë mendoj që partnerët e koalicionit i kanë votat e mjaftueshme dhe duhet të punojnë më tepër me deputetët e tyre që t’i bindin dhe të votohet në Kuvend.

Zëri: Në ditët e fundit janë shtuar kërkesat për ta rishqyrtuar Ligjin mbi Gjykatën Speciale për Kosovën. Sa është e mundur të bëhen ndryshime?

Hashim Thaçi: Kosova e ka dhënë qëndrimin e vet, ka dhënë vendimin e vet. Unë e kam udhëhequr atë proces në emër të Kosovës në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare. E dimë se është një proces i padrejtë historikisht, është një gjykatë ndëretnike, por për hir të një bashkëpunimi të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, para se gjithash me SHBA-në, dhe vendet e tjera të BE-së dhe të NATO-s kemi arritur që t’i bindim deputetët që ta votojnë. Kështu që Kosova ka kryer obligimin e vet, opinione mund të shfaqin të gjithë njerëzit kudo, qoftë si individë, qoftë si shoqata, qoftë si mekanizma të tjerë institucionalë. Por ky proces është përmbyllur dhe duhet të ruhet ky partneritet.