Presidenti Ivanov po nxit konflikte ndëretnike

Aktuale March 17, 2017 - 08:11

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi, gjatë një interviste për “Zërin” ka akuzuar presidentin George Ivanov se nuk e dëshiron ndryshimin e pushtetit në Maqedoni, duke mos ia dhënë mandatin për formimin e qeverisë Zoran Zaevit. Ai thotë se Ivanov po nxit konflikte ndëretnike

 

Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, nuk e dëshiron ndryshimin e pushtetit në vend, prandaj deri më tani nuk ia ka dhënë mandatin për krijimin e qeverisë shumicës së re parlamentare. Kështu ka thënë në një intervistë dhënë “Zërit” Artan Grubi, shefi i kabinetit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, njëherësh deputet i parlamentit të Maqedonisë.

Sipas Grubit, rol jo të vogël pse Zaevi sot nuk është kryeministër dhe pse ekziston mundësia që të ketë trazira ndëretnike ka luajtur edhe partia e re shqiptare “Besa”, respektivisht qëndrimi publik i tyre. Megjithëkëtë, Grubi beson se shumë shpejt do të vazhdojë seanca e ndërprerë, në të cilën pritet të zgjidhet për herë të parë në postin e kryetarit të Kuvendit një shqiptar. Duke folur rreth përfitimit të shqiptarëve me koalicionin e ri që pritet të ndodhë, Grubi ka treguar se tashmë janë marrë vesh me LSDM-në që gjuha shqipe të bëhet gjuhë zyrtare në çdo institucion dhe adresimi i  menjëhershëm i rasteve të kontestuara gjyqësore si: “Monstra”, “Sopoti”, “Lagjja e Trimave” në Kumanovë do të jetë një tjetër prioritet i qeverisë së re.

Zëri: Z. Grubi, Maqedonia aktualisht është në një udhëkryq. Si po shkon procesi i gjetjes së një rruge, e cila duhet të ndiqet për të ardhur deri te një zgjidhje dhe sa mund të zgjasë ky “ngërç” politik?

Grubi: Zgjedhjet e parakohshme të 11 dhjetorit të vitit të kaluar ishin pjesa përfundimtare e një marrëveshjeje ndërpartiake, të lehtësuar nga Washingtoni dhe Brukseli, për ta përfunduar krizën e thellë politike në Maqedoni, por për fat të keq ato vetëm se e vazhduan dhe e thelluan atë. Rezultatet zgjedhore prodhuan një situatë të komplikuar politike me ç’rast partia fituese tek maqedonasit nuk arriti ta formojë qeverinë, pasi që ne, Bashkimi Demokratik për Integrim, si parti fituese tek shqiptarët vlerësuam se oferta e tyre ishte e pamjaftueshme për ne dhe një koalicionin me VMRO-DPMNE-në ishte i padëshiruar për shqiptarët. Tash jemi në proces negociator me LSDM-në opozitare, por ky proces ka ngecur institucionalisht, pasi që presidenti Ivanov refuzoi t’ia ndajë mandatin shumicës së re parlamentare, ndërsa seanca konstitutive e Kuvendit është ndërprerë në gjysmë pa u zgjedhur kryetari i ri i Kuvendit.

Ne tash insistojmë që të vazhdojë dhe të përfundojë seanca e lënë përgjysmë dhe të zgjidhet kryetari i Kuvendit, shqiptar për herë të parë në Maqedoni, dhe më pas kryetari i ri ta njoftojë presidentin Ivanov për shumicën e re parlamentare dhe të kërkojë mandatimin e personit që e zgjedh shumica e re. Presidenti atëherë ka 10 ditë për ta dhënë mandatin e më pas mund të vazhdohet me formimin e qeverisë. Çfarë ndodh nëse përsëri presidenti nuk e jep mandatin, atë askush nuk e dëshiron dhe nuk ka ndodhur ndonjëherë në vend. Praktikisht, nëse vijohet me nëpërkëmbëza të tilla, procesi mund të zgjasë shumë gjatë dhe të prodhojë edhe kriza të tjera shtesë.

Kryeparlamentari i Maqedonisë, shqiptar

 

Zëri: Partia juaj tashmë ka arritur një marrëveshje me LSDM-në, a mund të na tregoni për detajet e kësaj marrëveshjeje dhe çka pritet të ndryshojë për shqiptarët me këtë marrëveshje?

Grubi: Me partinë opozitare dhe pretenduese për mandat qeverisës, LSDM-në, besoj jemi dakorduar për çështjen e miratimit të propozimit tonë të një ligji të ri për përdorimin e gjuhës shqipe, me ç’rast shqipja bëhet gjuhë zyrtare në të gjitha institucionet e shtetit, presidencë, kuvend, qeveri, gjyqësor, prokurori, por edhe në noteritë, libra amë, pulla postale, llogari fiskale, uniforma policore dhe ushtarake si dhe paratë, edhe pse me sa pamë për këto dy të fundit, në LSDM vijon të ketë rezerva, por për ne kjo çështje është e mbyllur.

Pjesa tjetër e harmonizimit politik përfshin kërkesën tonë finale për adresimin e menjëhershëm të rasteve të kontestuara gjyqësore si: “Monstra”, “Sopoti”, “Lagjja e Trimave” në Kumanovë dhe të tjerë, sistematizimin e të punësuarve sipas Marrëveshjes së Ohrit dhe avancimin e atyre që janë punësuar si pjesë e procesit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, pikat nga Deklarata e Përbashkët Shqiptare apo “Platforma”, zhvillimin e barabartë rajonal, më shumë mjete për komunat shqiptare, etj.

Sa i përket harmonizimit programor, në proces e sipër është bashkëdyzimi i programeve tona zgjedhore në një program të përbashkët qeverisës dhe kjo do të përfshin të gjitha projektet dhe premtimet tona zgjedhore.

Ndërsa, pas marrjes së mandatit palët do të diskutojnë edhe harmonizimin kuadrovik, ndarjen e pushtetit dhe emërimin e drejtuesve të rinj të institucioneve, por një gjë tashmë është përcaktuar e ajo është që kryetari i Kuvendit do të jetë shqiptar edhe atë nga radhët tona.

“Besa” po i shërben Gruevskit

Zëri: A ka frikë që kriza aktuale politike në Maqedoni të eskalojë në krizë ndëretnike dhe çka duhet të bëhet në këto momente?

Grubi: Justifikimi i presidentit Ivanov për mosdhënien e mandatit shumicës së re parlamentare ishte tërësisht i paqëndrueshëm dhe nxitës. Z. Ivanov u shërbye me Deklaratën e Përbashkët të Partive Parlamentare shqiptare ose siç njihet në opinion “Platforma shqiptare”, për t’i dhënë karakter ndëretnik gjithë kësaj krize, por kjo ishte vetëm shkas sepse arsyeja e vërtetë është që z. Ivanov nuk dëshiron ndryshim të pushtetit. Deklarata Shqiptare rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit dhe programet tona zgjedhore, prandaj në asnjë mënyrë nuk cenon rendin kushtetues të vendit e as sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Për fat të keq Ivanovit, Gruevskit dhe VMRO-së u shërbeu papjekuria politike e partisë politike “Besa”, e cila për arsye protagonizmi dhe mosnjohurie elementare kërkoi që kjo Deklaratë të firmoset në Tiranë, ndërsa më pas i shkroi edhe letër kryeministrit Edi Rama që ta konfirmojë autorësinë e paqenë të Deklaratës. Ky qëndrim publik i “Besës” është arsyetimi i vetëm i protestuesve maqedonas në rrugë, është arsyeja e vetme se pse Zaevi sot nuk është kryeministër, si dhe arsyeja e vetme se pse mund të ketë trazira ndëretnike në vend.

Analistë të shumtë në Maqedoni dhe rajon thonë që arsyeja kryesore për këto qëndrime të “Besës” mund të jetë një shërbim ndaj VMRO-së për ta ndaluar hetimin e madh institucional ndaj financuesve të kësaj partie dhe fondet marramendëse që përmenden në medie të ndryshme, por unë nuk kam informacione të saktë në këtë drejtim.

Zëri: Përse presidenti Ivanov nuk po ia jep mandatin Zoran Zaevit dhe a mund të krijohet qeveria edhe pa mandatin e dhënë nga presidenti?

Grubi: Në vend, në përputhje me kushtetutën dhe praktikën e deritanishme, asnjëherë nuk është krijuar një qeveri pa marrë mandatin nga presidenti. Ne jemi të bindur që ky ngërç duhet të tejkalohet pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit dhe demonstrimit të shumicës së re parlamentare, si dhe njoftimit vijues institucional nga kryetari i Kuvendit deri te presidenti i shtetit që shumica e re parlamentare ka propozuar personin përkatës për kryeministër.

Zgjedhja e qeverisë pa mandate vendos një praktikë të re, e cila mund të sfidohet në gjykatën kushtetuese dhe rrjedhimisht ta thellojë krizën në vend, ndërsa unë uroj që të mos vijë deri te ky hap dhe partitë, por edhe presidenti, t’i tejkalojnë mëritë personale dhe pushtetmbajtëse.

Zëri: Si e parashikoni ju që të zhvillohen ngjarjet politike në Maqedoni dhe cili pritni të jetë rezultati final?

Grubi: Një element tjetër shtesë i kësaj krize tashmë edhe patjetërsueshmëria e shtyrjes së zgjedhjeve lokale, që duheshin të mbaheshin në gjysmën e parë të muajit maj të këtij viti. Tashmë kanë kaluar afatet e mundshme ligjore për shpalljen e këtyre zgjedhjeve ngaqë nuk kemi as kryetar kuvendi, i cili është personi i vetëm që mund t’i shpallë ato. Kjo situatë kërkon ndryshim konsensual të Kodit Zgjedhor që paraqet edhe një vatër shtesë krize dhe vakuum të tmerrshëm institucional me mungesë të një pushteti vendor legjitim.

Vlerësoj se vatrat e krizës institucionale dhe politike duhet që të adresohen një nga një.

Unë shpresoj që konsultimet e këtyre ditëve midis palëve do të rezultojnë me përfundimin e themelimit të kuvendit të ri, zgjedhjes së kryetarit e më pastaj do të merremi edhe me mandatin, zgjedhjen e qeverisë, zgjedhjet lokale, reformat e kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar, etj.