LDK-ja dhe VV-ja, të pavendosura për ushtrinë
Partia që e drejton Qeverinë e Kosovës (LDK) dhe subjekti më i madh opozitar ende nuk kanë vendosur nëse do ta votojnë në Kuvend projektligjin për FSK-në, i cili i jep kësaj të fundit kompetenca të ushtrisë.
Drejtuesit e partisë së kryeministrit Isa Mustafa kanë shprehur pakënaqësi me iniciativën e presidentit Hashim Thaçi që ta bëjë ushtrinë pa ndryshime kushtetuese, ashtu siç po kërkojnë aleatët strategjikë të vendit, SHBA-ja dhe NATO-ja, por nëpërmjet ndryshimit të Ligjit mbi FSK-në, ndërsa partia më e madhe opozitare vlerëson se pavarësisht se Kosova ka nevojë për ushtri, presidenti Thaçi është i pasinqertë dhe po tenton që me një iniciativë të tillë ta faktorizojë veten dhe ta avancojë pozicionin e tij.
Në anën tjetër, partia më e madhe politike në vend (PDK) dhe dy subjektet opozitare kanë konfirmuar për “Zërin” se do ta votojnë këtë ligj.
Qeveria, 30 ditë afat ta procedojë projektligjin në Kuvend
Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Mustafa, ka thënë për “Zërin” se prej ditës kur është dërguar në Qeveri, më 14 mars të këtij viti, projektligji për ushtrinë duhet që brenda një muaji të dërgohet në Kuvend.
“Sekretaria e Qeverisë ka afat prej 30 ditësh për ta proceduar tutje në Kuvend. Nga dita kur është dorëzuar në Qeveri”, ka thënë ai për “Zërin”, duke mos saktësuar më tej.
Ndërkohë, zëdhënësja e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Michelle Schohn, ka thënë se SHBA-ja do ta mbështesë krijimin e ushtrisë vetëm me ndërrime kushtetuese.
“SHBA-ja vazhdon ta mbështesë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës që çon drejt ndryshimeve kushtetuese”, ka deklaruar ajo për REL-in.
PDK-ja do ta votojë projektligjin për ushtrinë
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, ka thënë se ata deputetë të PDK-së që do të jenë në Kosovë ditën kur do të procedohet ky projektligj do të votojnë pro tij. Madje ai ka konsideruar se tashmë ka një dakordim të të gjitha partive politike për këtë çështje.
“Ata deputetë që s’janë jashtë vendit do ta votojnë. Ne kemi një dakordim me të gjitha partitë politike. Ne do të presim që të vijë kjo prej Qeverisë”, ka deklaruar Pajaziti për “Zërin”.
LDK-ja e LVV-ja, ende pa qëndrim
Ndryshe nga Pajaziti, deputeti i LDK-së Nuredin Ibishi, njëherësh anëtar i Komisionit për Mbikëqyrje të FSK-së, ka thënë se LDK-ja ende nuk ka një qëndrim zyrtar lidhur me këtë çështje sado që, sipas tij, të gjithë janë për transformimin e FSK-së në ushtri.
“Ne ende kemi kohë të mjaftueshme, deputetët ende nuk e kanë marrë projektligjin, duhet ta vlerësojnë. Nuk ka njeri që nuk është për këtë transformim”, ka deklaruar ai.
Por sipas Ibishit, duhet të ketë harmonizim me bashkësinë ndërkombëtare. Ai madje, është shprehur optimist se ndërkombëtarët do të ndërrojnë qëndrim deri në procedimin e projektligjit.
Kurse Shkodran Hoti nga zyra për informim e Lëvizjes “Vetëvendosje”, ka vlerësuar se Kosova domosdo duhet ta ketë ushtrinë e saj, porse presidenti Hashim Thaçi, sipas tij, është duke synuar vetëm ta faktorizojë veten.
“Kosova duhet ta ketë ushtrinë dhe kjo është domosdoshmëri, për të cilën gjë Kosova nuk duhet të diskutojë e as të varet nga Serbia, sikurse për asnjë vendim tjetër. Sa i përket Thaçit, konsideroj që sikurse qëllimet e tjera të tij, ai nuk është i sinqertë, dhe është duke tentuar që më shumë ta faktorizojë veten dhe ta avancojë pozicionin e tij”, ka deklaruar ai.
Tutje, Hoti ka konsideruar se projektligji në fjalë është i tëri me gabime. Ndërkohë, ka thënë se tek pasi të analizohet në tërësi, LVV-ja do ta japë qëndrimin e saj për këtë çështje.
“Pasi ta kemi analizuar në tërësi, ne do t'i japim vërejtjet tona, dhe rrjedhimisht edhe qëndrimin tonë, i cili do të jetë edhe qëndrim i gjithë Grupit Parlamentar të Lëvizjes”, ka shtuar ai.
AAK-ja e “Nisma”, “Po” projektligjit për ushtrinë
Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se të gjithë deputetët e këtij subjekti do ta votojnë projektligjin për krijimin e ushtrisë.
“Ne grupi i AAK-së do ta votojmë Ligjin për FSK-në, të gjithë”, ka deklaruar Lekaj.
Edhe deputeti i “Nismës për Kosovën”, Enver Hoti, ka thënë se ky subjekt do ta votojë projektligjin për ushtrinë, posa të procedohet në Kuvendin e Kosovës.
“‘Nisma për Kosovën gjithmonë do të punojë për interesin e vendit, pavarësisht lojërave të mbrapshta mes palëve në qeveri PDK- LDK, si dhe z. Thaçit. Gjithsesi do ta votojmë projektligjin për ushtrinë’, ka deklaruar Hoti për “Zërin”.
Tahiri: Nëse projektligji shkon në Kuvend, do të kalojë
Nga ana tjetër, politologu Ramush Tahiri është shprehur i bindur se po që se projektligji për ushtrinë shkon në Kuvend, do të kalojë.
“Nëse projektligji për FSK-në shkon për votim në Kuvend si propozim i presidentit ose edhe si propozim i Qeverisë, ai me siguri do të votohet, sepse në situatën e krijuar asnjë deputet nuk do të votojë kundër sepse Kosova e ka të domosdoshme ta ketë forcën e saj mbrojtëse”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, Artan Murati, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë se një numër i deputetëve janë skeptikë sa i përket nismës së ushtrisë.
“Sa i përket projektligjit për FSK-në, duket se në parim ka një konsensus të gjerë mes partive politike. Mirëpo, numër i konsiderueshëm i deputetëve të subjekteve të ndryshme politike janë duke shprehur skepticizëm se votimi i këtij projektligji mund të sjellë deri në përkeqësim raportesh me spektrin ndërkombëtar”, ka deklaruar ai.