Thaçi, krerëve të Serbisë: Ushtria do të formohet, Serbia s’ka prona në Kosovë

Aktuale March 16, 2017 - 12:13

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në një debat me gazetarë serbë e shoqërinë civile në Çagllavicë tha se kryeministri serb, Aleksander Vuçiq mund  t’i ketë dy tema të lezetshme lidhur me Kosovën e në bazë të të cilave mund t’i fitojë zgjedhjet në Serbi, por tha se qytetarët serbë duhet ta dinë qartë se pronat në Kosovë janë të qytetarëve të Kosovës dhe se së shpejti do të formohet edhe ushtria.

Thaçi gjatë këtij debati me qytetarë serbë tha se Serbia duhet ta ketë të qartë se nuk ka prona dhe juridiksion në Republikën e Kosovës, raporton Telegrafi.

Presidenti tha se liderët serb të Kosovës duhet të kthehen në institucionet e Kosovës për të punuar për të mirën e bashkëqytetarëve dhe për të punuar për themelimin e Asociacionit të komunave serbe.

Thaçi foli edhe kthimin e serbëve në Kosovë, për të cilën tha se mbështet plotësisht kthimin e qytetarëve në shtëpitë e tyre.