E konfirmon Policia: Dy persona të arrestuar për sulmin ndaj Vllasit

Aktuale March 13, 2017 - 15:54

Pas plagosjes së avokatit Azem Vllasi, policia e Kosovës ka dalë me konferencë për media, me ç’rast ka bërë  të ditur se tashmë janë arrestuar dy persona, raporton "Zeri.info".

Baki Kelani, zëdhënës i PK-së, ka thënë se me punën që ka bërë Policia, në bashkëpunim me AKI-në, ka arritur që t’i arrestojë personat që dyshohen të kenë marrë pjesë në këtë sulm.

“Sot rreth orës 8 të mëngjesit, policia ka pranuar një informacion për gjuatje me armë zjarri. Pas kësaj kemi angazhuar një numër të policisë. Është konstatuar se ka të bëjë me një rast i cilësuar si vrasje në tentativë. Policia me një intensitet të shtuar ka bërë përpjekje për të ndriçuar rastin, ku në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në ka bërë të ditur lokalizimin e të dyshuarve”, ka deklaruar Kelani, raporton "Zeri.info".

Kelani po ashtu ka konfirmuar se i dyshuari kryesor është personi me inicialet M.J.

“I dyshuari kryesor që ka kryer veprën është M.J. Është praktikë e jona që në çdo konferencë të jepen vetëm inicialet e të dyshuarit, por edhe të viktimës”, ka thënë Kelani. /Zëri

Image