Krasniqi: Thaçi të dorëhiqet

Aktuale March 13, 2017 - 07:48

Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi gjatë një interviste për “Zërin” thotë se deri më tani ka pasur shumë arsye që presidenti Hashim Thaçi të dorëhiqet. Sipas tij, dorëheqja bëhet dukshëm më e qartë nëse ai nuk arrin të garantojë mbështetjen për ushtrinë nga aleatët tradicionalë të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës

Kryetari i Këshillit Kombëtar të “Nismës për Kosovën”, Jakup Krasniqi, ka vlerësuar se iniciativa e presidentit Hashim Thaçi për ta formuar ushtrinë duhet të çohet përpara, por jo duke cenuar raportet me bashkësinë ndërkombëtare.

Ai në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se Thaçi me këtë nismë sikur deshi t’ia marrë meritat opozitës, pasi që, ashtu si ai është shprehur, opozita ka qenë ajo e cila për herë të parë ka iniciuar formimin e ushtrisë nëpërmjet ligjit.

Ndërkohë, ka thënë se Thaçi duhet të japë dorëheqje, po qe se nuk garanton mbështetje nga ndërkombëtarët, sa i përket çështjes së ushtrisë.

“Dorëheqja është akt moral i secilit zyrtar të lartë të shtetit. Edhe deri më tani kishte shumë arsye që ai të dorëhiqej, pasi ai nuk po mund të jetë unifikues i skenës politike në Kosovë”, është shprehur ai.

Krasniqi më tej ka bërë të ditur se opozita do të vazhdojë ta kundërshtojë Demarkacionin dhe se protestat nuk duhen ndalur ndaj kësaj marrëveshjeje.

Megjithëkëtë, ai ka theksuar se “Nisma” nuk është kundër kësaj marrëveshjeje, por kundër versionit që ajo ka aktualisht.

Ndërkohë, gjatë kësaj interviste ish-kryeparlamentari ka folur edhe për Gjykatën Speciale, e cila, sipas tij, mund të sjellë ndryshim në skenën politike, por jo edhe destabilizim të situatës.

Me këtë rast Krasnqi ka konsideruar se iniciativa e veteranëve për ta ndryshuar Ligjin për Specialen është e manipuluar.

Zëri: Presidenti Thaçi mori iniciativën për transformimin e FSK-së në ushtri përmes një ligji të ri. A do të mundë të krijohej ushtria më herët, kur ju ishit kryeparlamentar, kur dihet se edhe tash nuk do të mundë të bëhet amendamentimi kushtetues?

Krasniqi: Fillimisht duhet cekur se inicimi i formimit të ushtrisë me anë të ligjit pa ndryshimin në Kushtetutë ishte i opozitës. Pse presidenti e mori këtë inicim të opozitës dhe e bëri të vetin, ndoshta deshi t’ia marrë meritat opozitës. Ky është edhe një argument tjetër që po tregon se në mes koalicionit të  dy partive të mëdha politike dhe institucioneve të shtetit (president - kryeministër) nuk ka komunikim kushtetues, pasi hartimi dhe procedimi i ligjit në Kuvend do të duhej të bëhej nga Qeveria e koalicionit, ndonëse edhe presidenti e ka të drejtën e iniciativave ligjore. Edhe kjo për faktin se ligji e ka një kosto financiare, të cilën duhet ta vlerësojë Qeveria e Kosovës. Nuk kam asnjë dyshim, Kosova si çdo shtet i madh apo i vogël duhet ta ketë ushtrinë e vet.

Sikur kjo çështje të vinte nga Qeveria apo deputetët e koalicionit qeverisës do të ishte shumë më normale, sidomos në ketë rast.

Kur isha në krye të Kuvendit nuk ka pasur një iniciativë të tillë ligjore. Ishte një përpjekje për amendamentimin e Kushtetutës për ndryshimin e emrit të FSK-së në FAK, por kjo u kushtëzua me kërkesën e komuniteteve pakicë, duke përfshirë edhe serbët, për vazhdimin e vendeve të rezervuara, por kërkesa atëherë u kundërshtua nga LDK-ja. Më vonë PDK-ja, kur Thaçi ishte kryeministër, përmes bisedimeve politike e solli në Kuvend Listën Serbe, e cila tani është kundër ndryshimeve kushtetuese dhe për çdo gjë i përgjigjet Beogradit. Përderisa pyetet Beogradi për këtë çështje, kjo do të thotë se nuk do të ndodhë kurrë. Pra, përgjegjësinë për situatën e krijuar me Projektligjin për Ushtrinë e kanë partitë që janë në bashkëqeverisje.

Presidenti nuk duhet të ishte në konflikt me ndërkombëtarët

Zëri: Pas kësaj iniciative pati kundërshtime nga ndërkombëtarët, duke përfshirë këtu sekretarin e NATO-s dhe Ambasadën amerikane në Kosovë, të cilët e cilësuan si të njëanshëm. Pavarësisht këtyre, a duhet të çohet përpara kjo iniciativë?

Krasniqi: Unë i pëlqej shumë iniciativat e njerëzve tanë, pasi pa këto iniciativa asnjë proces nuk do të shtyhej përpara. Kështu ka ndodhur edhe me çlirimin e Kosovës dhe me pavarësimin e Kosovës, më 17 shkurt 2008. Konsideroj që gjatë këtyre viteve, për shumëçka është shikuar e pritur shumë nga Serbia. Sidomos është shikuar dhe pa asnjë nevojë kanë filluar bisedimet politike të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe këto bisedime i ka filluar pa asnjë përgatitje presidenti i sotëm i Kosovës, Hashim Thaçi, atëherë kryeministër i Kosovës.

Kjo iniciativë për ushtrinë duhet të çohet përpara nga institucionet e tjera, ndërsa presidenti do të duhej të garantonte mbështetjen e aleatëve të Kosovës. Kjo do të duhej të ishte përgjegjësia e presidentit të Kosovës?! Pra, presidenti nuk do të duhej të ishte në konflikt me ndërkombëtarët.

Zëri: Pavarësisht kundërshtimeve nga dy superfuqitë, NATO-ja dhe SHBA-ja, Thaçi deklaroi se ushtria do të bëhet me ligj. A rrezikohet siguria e kosovarëve nëse jetësohet kjo iniciativë e presidentit?

Krasniqi: Thaçi duhet ta garantojë mbështetjen e miqve tanë, kjo edhe është përgjegjësi e tij kushtetuese! Pasi kjo është kryekreje përgjegjësia e tij. Kosovës i duhet ushtria edhe mbështetja e miqve, për ketë askush nuk duhet të ketë hamendësime. Të gjithë duhet ta dinë se asnjë proces politik pozitiv në Kosovë nuk mund të ecë përpara nëse paraprakisht pyetet apo pritet nga Beogradi?! Beogradi ka kohë që është përcaktuar për ta penguar e për ta sabotuar funksionimin e shtetit deri edhe në shkëputjen e ndonjë pjese të Kosovës, mbase edhe për ta rikthyer tërë Kosovën. Beogradi edhe në memorandumin e dytë të saj e parasheh destabilizimin e Kosovës përmes pakicës serbe në Kosovë. Këtë rol tani për tani e ka Lista Serbe në institucionet e Kosovës.

Zëri: A ishte kjo një fitore e Serbisë, pasi që si duket ndryshimet ligjore për FSK-në nuk janë dakorduar me mbështetësit strategjikë të Kosovës?

Krasniqi: Kjo nuk është ndonjë fitore e Serbisë. Serbia ka fituar që me fillimin e bisedimeve politike me ndërmjetësimin e Brukselit, pasi atje është biseduar për çështjet e brendshme të Kosovës. Në këto bisedime Kosova nuk ka arritur asgjë ose pak gjë, ndërsa  ka humbur shumëçka. Mbase edhe kjo që po ndodh tani është pasojë e atyre bisedimeve që ishin sa të papërgatitura e po aq edhe jotransparente.

Zëri: A do ta votojnë deputetët e “Nismës” transformimin e FSK-së në ushtri, po qe se Qeveria do ta procedojë në Kuvend?

Krasniqi: Po e përsëris, Kosovës i duhet ushtria. Presidenti duhet ta sigurojë mbështetjen ndërkombëtare. Kosovës i duhen që të dyja, ushtria e partneriteti me SHBA-në, BE-në e NATO-n. Sigurisht, “Nisma” do të jetë pro ligjit.

Shumë arsye për t’u dorëhequr Thaçi

Zëri: Nëse nuk do të bëhet ushtria ashtu siç nuk po përkrahet nga SHBA-ja, NATO-ja, Norvegjia, a do të duhej presidenti Thaçi të japë dorëheqje?

Krasniqi: Dorëheqja është akt moral i secilit zyrtar të lartë të shtetit. Edhe deri më tani kishte shumë arsye që ai të dorëhiqet, pasi ai nuk po mund të jetë unifikues i skenës politike në Kosovë. Përndryshe, është bërë pengesë e madhe për të arritur çfarëdo konsensusi nacional. Ndërsa nëse ai nuk e garanton mbështetjen për ushtrinë nga aleatët tradicionalë të lirisë e të pavarësisë, përse duhet të jetë aty?

Njeriu duhet të marrë përgjegjësi institucionale për t’i shërbyer me vullnet e përgjegjësi shtetit e kombit e jo vetëm vetvetes. Dorëheqja tek ne vazhdon të mbetet një fjalë në fjalorin politik dhe asgjë më shumë.

Zëri: Qeveria tha se Demarkacioni së shpejti do të shkojë në Kuvend. Ju si opozitë keni thënë se do ta kundërshtoni këtë marrëveshje. Cilat do të jenë hapat e ardhshëm me të cilët do ta kundërshtoni?

Krasniqi: Ne si “Nismë për Kosovën” nuk jemi kundër dërgimit të Demarkacionit në Kuvend, por jemi kundër miratimit të tij në këtë formë të përgatitur nga Komisioni Qeveritar për Demarkacion. Por, para se kjo çështje të shkojë në Kuvend duhet të arrihet një konsensus nacional për t’i thënë “Jo” ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin.

Në situatën që jemi tani, vetëm Kuvendi sipas Kushtetutën sonë e ka të drejtën që t’i thotë “Jo” asaj marrëveshjeje të nënshkruar nga Thaçi në cilësinë e ministrit të Jashtëm. Vetëm Kuvendi i Kosovës me votën e tij kundër asaj marrëveshjeje do t’u hapte rrugë veprimeve të tjera: rinegocimit të Demarkacionit më Malin e Zi apo dërgimi i kësaj çështjeje në Arbitrazh. Mundësi të tjera ligjore nuk shoh.Veç kësaj, sikur koalicioni t’i kishte votat për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje kjo çështje do të ishte harruar deri më tani.

Gazi lotsjellës ka dhënë efekt

Zëri: “Vetëvendosja” nuk ka përjashtuar as gazin lotsjellës. A do të jetë “Nisma” pjesë e gazit nëse Demarkacioni dërgohet në Kuvend?

Krasniqi: “Nisma” është e bindur se përdorimi i gazit lotsjellës në Kuvend i ka arritur efektet e tij. I ka penguar dy marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Po e përsëris, vetëm Kuvendi e ka të drejtën t’i thotë “Jo” dhe duhet t’i thotë “Jo” ratifikimit të Demarkacionit më Malin e Zi.

Zëri: Po protesta a do të ketë ndaj kësaj marrëveshjeje?

Krasniqi: Protestat qytetare duhen të jenë gjithëpopullore, në mënyrë që kjo marrëveshje të mos e marrë “Po”-në nga Kuvendi i Kosovës. Dhe sipas të gjitha gjasave shumica e deputetëve të tij nuk janë të gatshëm që kësaj forme të Demarkacionit t’i thonë “Po”. Dhe për këtë çështje deputetët kundërshtues të partive të koalicionit kanë merita të mëdha dhe e them pa lajka, ata ishin në krye të përgjegjësive që ua jep Kushtetuta. Të tillë duhet të qëndrojnë deri në fund.

Gjykata Speciale, një absurd i madh

Zëri: Përfaqësuesit ndërkombëtarë vazhdimisht kanë përsëritur se nuk do të ketë viza nëse nuk kalohet Demarkacioni. A e ndieni veten përgjegjës për bllokimin e vizave dhe si do të mundë të arrihen vizat pa ratifikimin e Demarkacionit?

Krasniqi: Ne në “Nisma” e kemi bindjen, natyrisht duke i njohur vlerat e demokracisë euroatlantike, se po t’i thoshte kësaj marrëveshjeje Kuvendi i Kosovës “Jo” liberalizimi i vizave nuk do të mbetej peng i Demarkacionit. Se edhe ashtu izolimi i qytetarëve të Kosovës për të lëvizur pa viza në vendet e BE-së është shkelje e rëndë e të drejtave dhe lirive të njeriut. Janë shumë çështje të tjera ato që e kanë penguar dhe po e pengojnë jo vetëm liberalizimin e vizave për qytetarët tanë.

Zëri: Vazhdimisht kërkoni zgjedhje të parakohshme, kur prisni që vendi të shkojë në zgjedhje?

Krasniqi: Nuk e di se kur vendi do të shkojë në zgjedhje, por e di se sa më herët që shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, për të gjithë qytetarët e Kosovës do të ishte më mirë. Ky koalicion ka kohë që nuk u shërben as atyre partive që janë në koalicion se jo më qytetarëve, veç ndonjë individi të shumëpushtetshëm. Shikojeni komunikimin e krerëve të shtetit edhe për çështjet më vitale për kombin e shtetin. Kjo mënyrë e komunikimit nuk e nderon as një njeri të vetëm.

Zëri: Në rast të zgjedhjeve, pos AAK-së, me kë tjetër do të lidhni koalicion parazgjedhor? 

Krasniqi: Qytetarëve të Kosovës, ndryshimeve në Kosovë i duhet një koalicion sa më i gjerë jo vetëm i partive opozitare, por i gjithë shoqërisë sonë. Ndryshimi u duhet qytetarëve të Republikës për të filluar një qeverisje ndryshe, një qeverisje ku institucionet e shtetit janë në shërbim të qytetarëve e jo të qeveritarëve. Se çka fitojnë qytetarët me diçka të ngjashme si koalicioni PDK-LDK, me këta që i kemi në qeverisje, po e shohim të gjithë. Kosovës i duhet një koalicion që bën ndryshime të thella në qeverisjen e vendit. Unë besoj që Kosova ka kapacitete njerëzore e profesionale për të qeverisur më mirë këtë vend.

Zëri: Së shpejti pritet të ngrihen aktakuzat e para nga Gjykata Speciale. A mund të sjellë destabilizim të situatës në Kosovë funksionalizimi i kësaj Gjykate?

Krasniqi: Gjykata Speciale në jetën politike të Kosovës mund të sjellë ndryshime, por se sjell destabilizim nuk besoj. Në vetvete Gjykata Speciale është një absurd i madh dhe jashtë çdo standardi të së drejtës ndërkombëtare, por ajo është miratuar nga shumica parlamentare dhe me kërkesën e shefave të partive politike. Kërkesa për ndryshimin e ligjit që po bëhet tani, në fillim ndoshta edhe mund të shkonte, por atëherë vraponin që ta miratonin pa ndonjë kundërshti, sidomos nga po këta që po këmbëngulin tani për ndryshim e plotësim.

Zëri: A e përkrahni iniciativën e OVL-së për amendamentimin e Ligjit për Specialen?

Krasniqi: E përkrah iniciativën e qytetarëve të Klinës, pasi ata ishin iniciuesit e parë për plotësimin e këtij ligji. Nuk i përkrah ata që me kohë nuk kanë vepruar për ta penguar themelimin e një gjykate diskriminuese, siç është Gjykata Speciale, e cila do të merret me dënimin e krimeve të pretenduara e jo të krimeve të kryera e të njohura botërisht nga ushtria e policia serbe! Përkundrazi, në krye të shtetit serb gjenden urdhërdhënësit dhe kryesit e veprave të krimit e të gjenocidit të kryer në Kosovë. Njëri nga ta është gjenerali Dikoviq i cili i ka udhëhequr krimet e dhunimet që janë kryer në Drenicë, për të cilat krime ka shkruar edhe humanistja nga Beogradi, Natasha Kandiq.

Kërkesa e OVL-së për ndryshim të Ligjit për Specialen, e manipuluar

Zëri: Pse OVL-ja kur u miratua Ligji për Specialen heshti? A po manipulohen këta të fundit nga dikush prej liderëve të Kosovës që ka frikë nga kjo Gjykatë?

Krasniqi: Manipulime ka pa dyshim e sidomos aty ku njerëzit duan të manipulohen. Një gjë dihet se sa më pak manipulime që të ketë, aq më shumë zhvillime e sundim të ligjit do të kemi në vendin tonë. Frika është njerëzore, por askush nuk ka të drejtë që për frikën e akëcilit njeri apo frikën personale kushdo qoftë e kudo qoftë të rrezikohet e ardhmja e Republikës dhe e qytetarëve të saj. Pra, askush nuk ka të drejtë që ta përdorë për mburojë personale shtetin e qytetarëve të Kosovës – Republikën e Kosovës.

Zëri: Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, u arrestua në Francë me fletarrestim të Serbisë, ndërkohë edhe sot po mbahet në Francë. Si e komentoni ju këtë?

Krasniqi: Ndalimi i Ramush Haradinajt është një absurd në vete, pasi edhe Franca e di dhe ishte pjesë e të gjitha veprimeve të institucioneve ndërkombëtare, të cilat Serbisë ia kanë hequr juridiksionin mbi Kosovën dhe qytetarët e saj që me Rezolutën e KS-së 1244 e deri te vendimi i Gjykatës së Drejtësisë për Legjitimitetin e Pavarësisë. Për pavarësinë e Kosovës, për t’ia marrë çdo juridiksion Serbisë mbi Kosovën janë mbajtur për gati dy vjet bisedimet e Vjenës, të udhëhequra nga emisari special i OKB-së, presidenti i Finlandës, Mati Ahtisaarit, kanë marrë pjesë të gjitha vendet e Grupit të Kontaktit, BE-ja, SHBA-ja e Rusia. Dhe mbi bazën e atyre bisedimeve është shpallur pavarësia e Kosovës, e cila është njohur nga më shumë se 110 shtete anëtare të OKB-së. Në të gjitha këto trupa ka qenë prezente, e ndikuese e fuqishme pozitive edhe Franca.

Zëri: Seanca e radhës e Haradinajt është shtyrë për 6 prill, çfarë vendimi prisni të merret për Haradinajn atë datë?

Krasniqi: Nëse mbrojtja bazohet në dokumentet ndërkombëtare e çështjet e tjera ligjore, Ramushi duhet të lirohet, kuptohet nëse nuk ka interferime politike nga të fuqishmit.

Zëri: Ekzistojnë diku 22 fletarrestime. Pse disa figura të tjera nuk po ballafaqohen me ndalimin sikurse ndodhi me Haradinajn?

Krasniqi: Jo, janë ballafaquar në disa raste, por janë liruar. Kështu ishte deri më sot. Besoj shumë se edhe Ramushi do të lirohet.

Zëri: Si mund të ndalohet ekzekutimi i këtyre fletarrestimeve?

Krasniqi: Kjo çështje krejtësisht është varur dhe varet nga Qeveria, e cila do të duhej t’i harxhonte të gjitha mundësitë e saj diplomatike, por edhe të angazhonte ndonjë trupë profesionale (avokatësh) që më argumente të së drejtës ndërkombëtare t’i hiqnin këto fletarrestime ndërkombëtare të shtetit që nuk ka asnjë juridiksion mbi Kosovën e qytetarët e saj dhe ta lironin Ramushin.

Zëri: Dialogu me Serbinë tashmë ka kaluar në nivel të lartë. A do të duhej të ndërpritej përfundimisht ky dialog apo vetëm të ndërrohej formati i tij?

Krasniqi: Nuk jam e nuk kam qenë kundër dialogut me Serbinë, por dialogu që është zhvilluar deri më tani duhet të ndërpritet pasi nuk ka arritur asnjë qëllim e as t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë për çka qeveritarët në Kuvend kanë folur sa e sa herë. Përkundrazi, edhe ajo që e kemi parë këtyre muajve ka acarim të këtyre raporteve Kosovë - Serbi.

Formati i bisedimeve të deritashme, si në formë e po ashtu edhe në përmbajtje, duhet të ndryshohet, por pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Kjo është e domosdoshme!