Romët kërkojnë transport për fëmijët që mësojnë në shkollat serbe në veri
Derisa romët e “Lagjes së Romëve” kërkojnë që t’u sigurohet transporti fëmijëve të tyre që mësojnë në shkollat serbe në veri, ashkalinjtë e lagjes “2 Korriku” kërkojnë përfaqësim në administratën komunale të Mitrovicës, shkruan sot, gazeta Zeri.
Mitrovicë. Romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët e Mitrovicës thonë se nuk janë të njëjtë as për nga gjaku e as për nga gjuha, andaj edhe nuk duhet trajtuar si një komunitet, siç thonë ata, i shpikur RAE. “Lagjja e Romëve” në Mitrovicë, e ndërtuar me donacione të Bashkimit Evropian dhe të USAID-it, është populluar me romët që kanë jetuar që nga paslufta në kampet “Osterode” dhe “Cesmin Llug” në veri të Mitrovicës, në kushte jashtëzakonisht të rënda të jetesës. Ka aty edhe ndonjë familje rome që është kthyer nga kampet e romëve në Mal të Zi, në të cilat kanë jetuar romët e ikur nga lufta në Kosovë. Familjet e tyre janë zakonisht me shumë anëtarë, madje ka shumë familje që kanë nga mbi 10 anëtarë të familjes.
Në “Lagjen e Romëve” janë ndërtuar 6 objekte të larta banimi, si 140 shtëpi. Kanë investuar BE-ja, USAID-i, si dhe donatorë të tjerë, organizata të huaja, ndërsa për ndërtimin komplet të lagjes që shtrihet në sipërfaqen prej 10 hektarësh, tokë e komunës, janë investuar 7.5 milionë euro.
Por, megjithëse për mbi 160 familje rome të këtyre kampeve janë ndërtuar shtëpi të reja, si dhe janë krijuar kushte normale për jetesë në “Lagjen e Romëve”, banorët e saj ende përballen me probleme. Problemi më i madh për ta është shkollimi i fëmijëve, pasi që ata duhet të shkojnë në shkollat serbe në veri të Mitrovicës për t’i ndjekur mësimet. Siç thonë romët, kjo u ka mbetur nga koha kur ata kanë jetuar në kampet në veri dhe se atje janë detyruar që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla ku kanë mësuar në gjuhën serbe.
Në anën tjetër, ashkalinjtë e Mitrovicës janë të shumtën të përqendruar në lagjen “2 Korriku” në jug të Mitrovicës. Ata janë integruar plotësisht në jetën e përbashkët me shqiptarët dhe i ndajnë hallet e njëjta. Ashkalinjtë thonë se nuk i lidh asgjë me romët, as nga gjaku e as nga gjuha e traditat. Madje ata thonë se janë shqiptarë, ndërsa shprehen të sigurt se komuniteti egjiptian nuk ekziston fare. “Ne jemi ashkali, shqiptarë të zi”, sigurojnë ata, derisa kërkojnë të drejta të barabarta me shqiptarët në punësim.
“Lagjen e Romëve” në Mitrovicë, si dhe atë “2 Korriku” e kanë vizituar zëvendësministri për Kthim dhe Komunitete, Jolxhi Shala, përfaqësuesi i lartë i UNMIK-ut, Crstopher Colman, zëvendësi i tij, Preston Pestory, si dhe nënkryetarët e Mitrovicës, Faruk Mujka dhe Eroll Zekeria, të cilët janë interesuar për problemet dhe hallet që ata kanë.
Romët e lagjes kanë thënë se siguria ka shënuar hapa pozitivë, por kanë potencuar problemin me qentë endacakë. “Nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme për t’i larguar qentë endacakë, pasojat për qytetarët mund të jenë të mëdha”, kanë thënë ata. Ata potencuan edhe gjendjen e rëndë sociale të shumë familjeve, ndërkohë kërkuan që të mos ndryshohet emri i rrugës kryesore të lagjes, të kthehet emri siç ka qenë përpara, si dhe kërkuan që kompania për menaxhimin e mbeturinave të angazhohet më shumë për pastrimin e mbeturinave në këtë lagje. Sa i përket menaxhimit të mbeturinave në lagje, romët kërkuan që në kompaninë “Uniteti” të punësohet 4 romë që do të merreshin me pastrimin e mbeturinave në lagje. Banorët romë të Mitrovicës kërkuan nga institucionet qeverisëse të Mitrovicës që të sigurojnë transport për fëmijët e tyre, të cilët mësojnë në shkollat serbe në veri të Mitrovicës. “Fëmijët tanë janë të rrezikuar nga narkomanët që sillen në hapësirat përreth lagjes dhe sidomos afër vigut nëpër të cilin nxënësit kalojnë”, kanë sqaruar ata.
Ndërkaq, Bashkim Krasniqi, përfaqësues i lagjes “2 Korriku”, ku janë të përqendruar ashkalinjtë, ka potencuar problemin me punësimin e një zyrtari komunal për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Mitrovicës. Ai theksoi një konkurs, sipas të cilës, siç ka mësuar gazeta, është pranuar një femër e komunitetit rom, e jo nga ai ashkali, me çka këta të fundit nuk janë pajtuar. Krasniqi ka thënë se të dyja lagjet do të shprehin pakënaqësinë e tyre me këtë konkurs. Ai tha gjithashtu se papunësia në këtë lagje është shumë e lartë dhe se 98 për qind e ashkalinjve janë të papunë. Ata gjithashtu thanë se kanë problem me infrastrukturën e lagjes. Milaim Ramadani nga OJQ-ja “Pram” tha se ka vështirësi me përfaqësimin e komuniteti ashkali në komunën e Mitrovicës. “Nuk ka asnjë zyrtar të punës me përjashtim të një personi që punon në parkingun e komunës, ndërsa 98 për qind e qytetarëve janë të papunë”, ka thënë ai. Krasniqi e Ramadani thanë gjithashtu se komuna nuk u ka ndihmuar me rastin e shënimit të festës së flamurit Ashkali, ndërsa ka potencuar se janë 13 raste kur familjet janë në gjendje të rëndë ekonomike e sociale.
Nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka, tha se kërkesat e arsyeshme të banorëve patjetër se do të merren parasysh dhe do të bëhen përpjekje maksimale për realizimin e tyre. Madje, ai shtoi se që prej kur është emëruar nënkryetar i komunës, ka pasur disa takime me përfaqësuesit e këtij komuniteti, me të cilët ka biseduar për realizimin e kërkesave.
“Komuna i ka pasur dhe do t’i ketë edhe në të ardhmen dyert e hapura për përfaqësuesit dhe qytetarët e lagjes, me qëllim që të dëgjojë për problemet që i preokupojnë dhe për shqyrtimin e mundësive për zgjidhjen e tyre. Madje për kërkesat emergjente do të bëhet përpjekje që të zgjidhen me prioritet, por që në këtë drejtim buxheti i pamjaftueshëm i Komunës mund të paraqesë problem”, ka thënë Mujka.