Kuvendi miraton rezolutën për Ramush Haradinajn
Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë me të cilën kërkohet pezullimi i dialogut me Serbinë, deri në lirimin e Ramush Haradinajt, i cili po mbahet nën masën e lirimit me kusht, në Colmar të Francës.
Rezoluta është propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe është mbështetur nga të gjitha grupet parlamentare, në pushtet dhe opozitë, përveç Listës Serbe, e cila i bojkoton punimet e Kuvendit të Kosovës.
Për miratimin e kësaj rezolute kanë votuar78 deputetë dhe 1 kundër.
Rezoluta kërkon “pezullimin e dialogut me Serbinë, deri në lirimin e Haradinajt”. Po ashtu, Kuvendi më këtë dokument, i drejtohet edhe Bashkimit Evropian me kërkesën që t’a detyroj Serbinë për t’i anuluar të gjitha fletë-arrestet e lëshuara përmes Interpolit kundër figurave politike të Kosovës.
Nga qeveria dhe institucionet e Kosovës, kërkohet që t’i informojnë të gjitha instancat ndërkombëtare se refuzojnë juridiksionin universal të Serbisë për krimet e pretenduara në territorin e ish-Jugosllavisë, dhe konform kësaj të kërkohet edhe lirimi i ish-kryeministrit Haradinaj,.
Ndalimi i Haradinajt në Francë, ndodhi më 4 janar, kur policia franceze e ndaloi atë mbi bazën e një fletë-arresti të lëshuar nga Serbia, me pretendimet për krime lufte.
Gjykata franceze në Colmar, më pas mori edhe kërkesën e Prokurorisë Speciale të Serbisë për ekstradimin e Haradinajt në Serbi, të cilën gjykata është duke e shqyrtuar, dhe pritet që vendimi të merret më 6 prill.
Më poshtë ua sjellim rezolutën e plotë:
REZOLUTË
Lidhur me ndalimin e ish-kryeministrit të Kosovës, z. Ramush Haradinaj në Francë.
Lirimi pa kushte i ish-kryeministrit të Kosovës, z. Ramush Haradinaj, të ndodh sa ma shpejt dhe të konsiderohet detyrë primare shtetërore.
Të pezullohet procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, deri në lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, z.Ramush Haradinaj.
Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkojë nga BE-ja, që ta detyron Serbinë për t’i anuluar të gjitha aktakuzat dhe fletë arrestete lëshuara nga Serbia, përmes Interpolit për shtetasit e Republikës së Kosovës.
Qeveria dhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës obligohen që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që të informojë të gjitha instancat ndërkombëtare se,”…refuzon juridiksionin universal të Serbisë për krimet e pretenduara në tërë territorin e ish-Jugosllavisë”, dhe konform kësaj të kërkojë lirimin e ish-Kryeministrit të Kosovës dhe Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj. /Telegrafi/
 
 
											