Vendimi për Haradinajn nxit protestë gjithëpopullore

Aktuale March 03, 2017 - 08:23

Gjykata franceze në Colmar dje e ka shtyrë edhe për një muaj vendimin për kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn. Ai ishte arrestuar më 4 janar në aeroportin ndërkombëtar Basel-Mulhouse, më saktësisht në pjesën franceze të tij. Pas lajmërimit të gjykatës dje Haradinaj ka thënë se ky është një turp i drejtësisë dhe se tani zyrtarisht është “peng politik”.

Për shtyrjen e vendimit ndaj Haradinajt kanë reaguar edhe krerët e institucioneve në Kosovë, mirëpo edhe ata të partive politike. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, ndërkohë që është paralajmëruar protestë gjithëpopullore më datën 4 mars.

Presidenti Thaçi shtyrjen e vendimit e ka quajtur padrejtësi pasi, sipas tij, Haradinaj e ka dëshmuar veten para drejtësisë ndërkombëtare disa herë. Ndërsa kryeministri Mustafa u ka bërë thirrje institucioneve franceze që ta rikthejnë liderin e AAK-së në Kosovë. Krejt në fund Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një komunikate për shtyp, ka paralajmëruar protestë ditën e shtunë, gjë e cila është përkrahur edhe nga dy partitë tjera opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje” dhe “Nisma”.

Haradinaj, porosi politikanëve serbë: Përgjigjen e ’98-ës do t’ua japim gjithmonë  

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, pas shtyrjes së vendimit nga Gjykata e Colmarit iu është drejtuar bashkatdhetarëve atje. Haradinaj ka thënë se krerët e shtetit serb, Aleksandar Vuçiq, Tomislav Nikoliq dhe Ivica Daçiq, gjithmonë do ta kenë përgjigjën e njëjtë nga shqiptarët, atë të vitit 1998. “Unë veç i kam bërë dy muaj këtu, e po dua t’u them që edhe pse është një situatë jo e mirë jam ndier shumë i përkrahur, shumë i nderuar prej popullit, prej bashkatdhetarëve. Ne e kemi dhënë një betim si shqiptarë, e Vuqiqit, Nikoliqit e Daqiqit atë përgjigje që ua kemi dhënë në ’98-ën, atë do ta marrin gjithë prej shqiptarëve. Do të mësohen të gjithë të jetojnë me shqiptarët dhe me të drejtën e shqiptarëve sepse jemi në të drejtën tonë”, është shprehur Haradinaj.

Ai më tej ka treguar se kur do të mbahet seanca e radhës dhe kur do të merret vendimi. “Gjykata vendosi që të kërkojë më shumë shpjegime në disa pika prej Serbisë. Ky vendim po tregon se është lojë politike. Ia kemi dhënë shansin ligjit, por për fat të keq politika i ka futur duart thellë në këtë temë. Unë do të mbetem këtu deri më 6 prill, ashtu po thonë, pasi deri më 31 mars i kanë dhënë kohë Serbisë që t’i dërgojë ato shpjegime. Ndërsa më 6 prill ballafaqohemi edhe një herë me prova e me fakte, e tek pastaj vendimi kah gjysma e prillit”, ka deklaruar Haradinaj

AAK-ja bojkoton Kuvendin, organizon protestë

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do ta bojkotojë Kuvendin e Kosovës deri më  6 prill 2017, datë kjo ku Haradinaj do të dalë para gjykatës së Colmarit.

Sipas këtij subjekti, vendimi ka ardhur nga pakënaqësia me angazhimin e institucioneve të Kosovës, presidentit, Qeverisë por edhe Kuvendit në përshpejtimin e lirimit të Ramush Haradinajt. “Grupi Parlamentar i AAK-së, i bindur se nuk po ndërhyn në sistemin e drejtësinë, shtyrjen e vendimit për lirimin e Haradinajt e konsideron padrejtësi në vete. Deputetët e AAK-së janë të zhgënjyer me neglizhencën që institucionet e Kosovës e kanë pasur në Rastin “Haradinaj”, por edhe në raport me fletarrestimet e kundërligjshme të Serbisë ndaj shtetasve të Kosovës”, thuhet në komunikatën e AAK-së. E për shkak të shtyrjes së vendimit për liderin e tyre, kjo parti ka thirrur  protestë gjithëpopullore ditën e shtunë në orën 13:00, në sheshin “Skënderbeu”.“E zhgënjyer me vendimin për shtyrjen e lirimit të Ramush Haradinajt, AAK-ja thërret protestë gjithëpopullore për këtë të shtunë, data 4 mars, në orën 13:00, në sheshin Skënderbeu”, thuhet në komunikatën e tyre.

Thaçi: Ramushi e ka vendin në Kosovë dhe tek familja e tij

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka shprehur shqetësimin lidhur me vendimin e Gjykatës së Colmarit në Francë për shtyrjen e seancës për ish-kryeministrin kosovar, Ramush Haradinajn.

“Shtyrja e vendimit për lirimin e Ramushit është padrejtësi në shumë rrafshe. E para, është padrejtësi të mbahet larg familjes dhe vendit të tij kaq gjatë. E dyta, na dhemb të shohim se drejtësia ndërkombëtare vazhdon të ndikohet nga politika serb”, ka shkruar presidenti në Facebook. Ai ka thënë se organet e drejtësisë në Serbi janë ende në shërbim të politikës. “Serbia kështu po manipulon me drejtësinë ndërkombëtare. Drejtësia ndërkombëtare ka folur dy herë për Ramushin. Ai e ka vendin në Kosovë dhe tek familja e tij”, ka shkruar Thaçi.

Mustafa: Kërkojmë nga institucionet franceze që ta mundësojnë kthimin e Haradinajt në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas shtyrjes së vendimit për liderin e AAK-së, Ramush Haradinajt, nga Gjykata franceze.

Kryeministri Mustafa ka thënë se shtyrja e vendimit është dëshmi e keqpërdorimit të drejtësisë nga Serbia, e cila në emër të informatave shtesë, po zvarrit një proces të ndërtuar mbi akuza të fabrikuara, përmes rrugëve të paligjshme dhe me synime degraduese për tërë popullin e Kosovës. “Përmes këtyre lojërave të ulëta, për përfitime të brendshme politike, Serbia, duke keqpërdorur drejtësinë, po përpiqet ta dëmtojë po ashtu imazhin dhe personalitetin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, të qytetarëve të Kosovës dhe shtetin e Kosovës”, ka thënë kryeministri Mustafa. Ai u ka bërë thirrje institucioneve franceze që ta mundësojnë kthimin e Haradinajt në Kosovë. “Besojmë se drejtësia franceze nuk do ta tolerojë një gjendje të tillë. I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i japë fund njëherë e përgjithmonë këtyre akteve të patolerueshme të Serbisë, ndërkaq, kërkojmë nga institucionet franceze që ta mundësojnë kthimin e z. Haradinaj në Republikën e Kosovës”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Veseli: Shtyrja e vendimit për Haradinajn, e papranueshme

Të papranueshme e ka konsideruar edhe kryeparlamentari Kadri Veseli shtyrjen e vendimit të Gjykatës franceze për Ramush Haradinajn. "Duhet t’i jepet fund njëherë e mirë fletarrestimeve të Serbisë ndaj ish-luftëtarëve tanë dhe të ndalën këto përpjekje të ulëta për ta njollosur luftën e shqiptarëve për liri e pavarësi”, ka thënë Veseli, duke shtuar. “Lajmi i shtyrjes së vendimit për ish-komandantin Ramush Haradinaj është një lajm i papranueshëm për të gjithë shqiptarët, të cilët janë të bindur në pastërtinë dhe fisnikërinë e luftës sonë çlirimtare", ka shkruar Veseli në “Facebook”.

Ymeri: Ramushi ishte luftëtar vetëmohues për çlirimin e Kosovës nga Serbia

Edhe kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, ka reaguar pas zvarritjes së vendimit për Ramush Haradinajn. I pari i VV-së e ka vlerësuar të padrejtë që Haradinaj të mbahet i ndaluar në Francë. “Republika e Kosovës është shtet i pavarur nga Serbia. Juridiksioni i saj në Kosovë nuk ekziston. Atëherë si bëhet që prokuroria e Serbisë paska efekt juridik mbi qytetarët e territorit të Kosovës”, ka thënë Ymeri, duke shtuar “Është e padrejtë që Ramush Haradinaj vazhdon të mbahet i ndaluar në Francë. Haradinaj sot është peng i aktakuzave të montuara politike të Serbisë. Pra po mbahet si peng i Serbisë”. Sipas Ymerit, këtë nuk bën ta pranojë assesi Republika e Kosovës. “Ramush Haradinaj është qytetar i Republikës dhe luftëtar vetëmohues për çlirimin e saj po nga Serbia. Aktakuzat e Serbisë nuk bën të pranohen. Nga askush në Kosovë. Nga askush që e ka njohur Kosovën si Republikë”, ka thënë ai.

Limaj: Mërzituni për shtetin, jo për Ramushin

Kreu i “Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Colmarit për shtyrjen e vendimit për rastin e Ramush Haradinajt. Limaj përmes një postimi në profilin  tij në “Facebook” ka shkruar “Mërzituni për shtetin, jo për Ramushin”. “Me arsyet për të cilat është ndaluar dhe po mbahet Ramushi asnjë shtet normal dhe i dinjitetshëm nuk do të lejonte që t’i ndodhë kjo as edhe një qytetari të tij, e aq më pak një ish-kryeministri. Këta që sot po e drejtojnë shtetin tonë ka vite që me entuziazëm kanë punuar në rrënimin e dinjitetit të shtetit. A nuk ishin po këta udhëheqës të shtetit tonë që pak ditë para se të ndalohej Ramushi e akuzonin atë me po të njëjtat akuza me të cilat edhe është lëshuar fletarrestimi nga Serbia”, ka shkruar Limaj. Më tej, ai ka thënë mjaft më me hipokrizi dhe se është koha për të folur hapur. “Të bashkohemi dhe t’ia kthejmë dinjitetin shtetit tonë. E gjithë e keqja që po na ndodh është në Prishtinë, mos ta kërkojmë diku tjetër”, ka përfunduar Limaj.