Ivanov u shpalli luftë shqiptarëve

Aktuale March 03, 2017 - 08:20

Ekspertët e çështjeve kushtetuese në Maqedoni thonë se vendimi i presidentit ka qenë kryekëput antikushtetues. Ata madje kanë kërkuar që Ivanovi ta zhbëjë këtë vendim sa më parë dhe pas dështimit të Gruevskit për ta formuar qeverinë mandati t’i kalohet LSDM-së. Ndërkohë, politologët atje thonë se në ditët në vijim mund të vijnë skenarë të errët në Maqedoni

Vendimi i presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, për të mos ia dhënë mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaevit, për ta formuar qeverinë e re konsiderohet të jetë antikushtetues dhe antidemokratik. Përfaqësues të LSDM-së kanë thënë për “Zërin” se Ivanov u ka shpallur luftë shqiptarëve në Maqedoni, megjithëkëtë, ata konsiderojnë se shqiptarët nuk do të humbasin asnjëherë.

Nga ana tjetër, ekspertët e çështjeve kushtetuese në Maqedoni thonë se vendimi i presidentit ka qenë kryekëput antikushtetues. Ata madje kanë kërkuar që Ivanov ta zhbëjë këtë vendim sa më parë dhe pas dështimit të Gruevskit për ta formuar qeverinë, mandati t’i kalohet LSDM-së. Ndërkohë, politologët atje thonë se në ditët në vijim mund të vijnë skenare të errëta në Maqedoni. Me veprimin e Ivanovit, sipas tyre, shqiptarët kanë marrë një goditje aq të fortë, saqë nuk e kishin marrë as në konfliktin e para 16 vjetëve.

Zekiri: Shqiptarët nuk kanë humbur asgjë

Deputeti me origjinë shqiptare nga radhët e LSDM-së, Muhamed Zekiri, ka vlerësuar se presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, bëri grushtshtet me vendimin për të mos ia dhënë mandatit Zoran Zaevit nga ky subjekt.

“Ivanov me vendimin e tij bëri grushtshtet klasik dhe njëherësh u shpalli luftë shqiptarëve të Maqedonisë”, ka deklaruar ai në një bisedë për “Zërin”.

Por, megjithëkëtë, ai ka konsideruar se shqiptarët nuk kanë humbur asgjë nga ky vendim i presidentit maqedonas.

“Shqiptarët nuk kanë humbur asgjë, humbësi më i madh mund të jetë vetëm Maqedonia dhe qytetarët e saj”, është shprehur Zekiri.

Ai madje është shprehur i bindur se partia e Zaevit do të vijë në krye të qeverisjes.

“LSDM-ja gjithsesi do të vijë në pushtet, pasi që ky është vullneti i shumicës së qytetarëve në Maqedoni, bashkë me partitë shqiptare”, ka theksuar ai për “Zërin”.

Ndërkohë, ka thënë se vendimi i djeshëm i presidentit e ka ndarë përfundimisht VMRO-në prej të tjerëve.

“Me vendimin e djeshëm të Ivanovit është ndarë shapi prej sheqerit, VMRO-ja dhe klika kriminale e tyre me një anë dhe gjithë të tjerët jemi në anën tjetër, në anën e së drejtës”, ka përfunduar Zekiri.

Cungu: Ivanov dhe Gruevski po përpiqen ta tensionojnë situatën

Ndërsa, kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu, vendimin e presidentit Ivanov e ka konsideruar si kërcënim ndaj demokracisë. Madje sipas tij presidenti ka shkelur edhe kushtetutën me këtë veprim.

“Unë këtë vendim e shoh si një kërcënim të rëndë ndaj demokracisë në këtë vend pasi është e papranueshme që shumicës parlamentare t’i mohohet e drejta legjitime për të formuar qeveri. Kjo e drejtë e koalicionit të drejtuar nga Zaevi është një e drejtë bazë në demokraci e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë, kështu që unë mendoj se presidenti Ivanov ka shkelur drejtpërdrejt kushtetutën”, ka deklaruar Cungu për “Zërin”.

Ai më tej i ka bërë thirrje presidentit të Maqedonisë që të tërhiqet nga ky vendim dhe t’ia japë mandatin Zoran Zaevit.

Pavarësisht këtyre, kryetari i Ulqinit ka thënë se shqiptarët nuk e kanë humbur shansin për t’i përmbushur kërkesat e tyre.

“Unë nuk mendoj se shqiptarët e kanë humbur mundësinë, pasi ligji, demokracia dhe e drejta morale janë në anën e tyre”, ka theksuar Cungu.

Ai tutje, ka thënë se duket qartë që Ivanovi dhe Gruevski po përpiqen që ta ndezin një tension ndëretnik për t’i lënë nën hije problemet që kanë ata me ligjin. Prandaj, ai ka konsideruar se shqiptarët duhet të vazhdojnë të qëndrojnë të matur, të mos bien pre e provokimeve.

Ndërkohë, lideri i BDI-së, pas takimit që pati me përfaqësuesen e BE-së, Frederika Mogerinin, tha se kriza politike nuk bën assesi të kthehet në problem ndëretnik.

“Kriza institucionale dhe sistemore nuk guxon të kthehet në krizë ndëretnike dhe ne do të mbetemi të përkushtuar për të arritur zgjidhje politike. Sundimi i së drejtës, shteti ligjor, institucione të besueshme, përmbyllja e Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore si dhe integrimi në NATO dhe BE janë prioritetet tona”, deklaroi Ahmeti.

Ndërkaq, i pari i PDSH-së, Menduh Thaçi, pas takimit me Mogerinin, tha se

vendimi i Ivanovit vetëm sa i ka vërtetuar ato që ka thënë PDSH-ja.

“Gjatë takimit tonë me Mogerinin qëndrimi ynë ishte se veprimi skandaloz i Ivanovit vetëm se i vërtetoi tezat politike të Partisë Demokratike Shqiptare, platformës dhe programit të kësaj partie”, u shpreh ai pas takimit.

Hajdari: Nuk përjashtohet mundësia e skenarëve të errët

Nga ana tjetër, analisti politik në Maqedoni, Fejzi Hajdari, ka vlerësuar se vendimi i presidentit Ivanov që të mos ia japë mandatin Zaevit do të thotë shpërfillje e shqiptarëve.

“Veprimi anakron dhe absurd i presidentit Ivanov do të thotë defaktorizim dhe sidomos mospërfillje e shqiptarëve nga ana e tij, edhe në momentin kur faktori politik shqiptar arriti ta përpilojë një lloj platforme në mes të Tiranës, me mbështetjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, ka konsideruar se rrethanat e krijuara tregojnë më shumë për një koalicion të mundshëm mes VMRO-së dhe BDI-së. Kurse, nuk ka përjashtuar as destabilizimin e situatës.

“Sot në Maqedoni nuk përjashtohen edhe skenarë të errët të një lloj destabilitetit të koordinuar dhe të lokalizuar. Kam frikë si shumë herë më parë, shqiptarët të mos jenë viktimë edhe kur zihen mes veti VMRO-ja dhe LSDM-ja”, ka theksuar Hajdari.

Megjithëkëtë, sipas tij, mundësitë që shqiptarët t’i realizojnë kërkesat e tyre ekzistojnë ende.

“Mundësitë ekzistojnë derisa të jenë gjallë shqiptarët, kurse ata nuk kishin edhe ndonjë rast të madh. Faktori politik shqiptar nuk ishte unik, edhe pse rrethanat politike me numrat e mandateve të deputetëve u krijuan asisoj që mund t'i favorizonin shqiptarët. Partitë shqiptare nuk mund t'i kushtëzojnë partitë maqedonase, përderisa për çdo veprim të tyre konsultohen paraprakisht më partitë maqedonase”, ka shtuar ai.

Sulimani: Diskriminimi ndaj shqiptarëve u kulmua me veprimin e Ivanovit

Ndërkohë politologu shqiptar nga Maqedonia, Xhenis Sulimani, ka vlerësuar se vendimi i presidentit Ivanov tregon qartë se sa vështirë është të realizohen kërkesat e shqiptarëve.

“Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, me refuzimin e dhënies së mandatit Zoran Zaevit për ta formuar qeverinë duke e përfshirë platformën e partive politike shqiptare tregoi se sa të padëshirueshme janë kërkesat e shqiptarëve, e lëre më realizimi i tyre”, ka deklaruar ai.

Sipas Sulimanit, shqiptarët nuk kanë marrë goditje kaq të fortë as në konfliktin e para 16 vjetëve.

“Diskriminimi në vazhdimësi ndaj shqiptarëve në kohën e qeverisjes VMRO-BDI dje u kulmua me veprimin e presidentit Ivanov. Dëshmi kjo se sa është fort i institucionalizuar diskriminimi ndaj shqiptarëve. Që nga formimi i Maqedonisë si shtet shqiptarët goditje më të madhe nga pala maqedonase nuk kanë marrë as gjatë konfliktit të 2001-shit”, ka shtuar ai.

Ai më tej ka thënë se faktorizimi i shqiptarëve po zbehet si pasojë e mosunifikimit të vetë palës shqiptare.

Sipas tij, Zaevi ka rezerva që ta procedojë rastin në parlament, pasi që, ashtu si ai është shprehur, situata mund të dalë jashtë kontrollit.

“Zaev, lideri i LSDM-së, tani ka numrat për formimin e qeverisë, mund ta thërret konstituimin e parlamentit. Por, mendoj se rezerva e tij që sa më parë ta procesojë rastin në kuvend vjen nga frika se protestat pro Gruevskit dhe VMRO-DPMNE-së do të eskalojnë dhe ngjarja do të dalë nga kontrolli”, ka potencuar ai.

Maksuti: Vendimi i Ivanovit, antikushtetues

Ndërkaq, Mersim Maksuti, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Tetovës, ka konsideruar se presidenti Ivanov e ka shkelur kushtetutën me vendimin kundër mandatimit të Zaevit.

“Presidenti Ivanov shkeli Kushtetutën me mosdhënien e mandatit Zaevit, pasi ai tashmë i kishte siguruar shumicën e vendeve të parlamentit nëpërmjet nënshkrimeve të marra nga ana e 67 deputetëve të Kuvendit”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Megjithëkëtë, sipas Maksutit, ky vendim nuk do ta cenojë gjuhën shqipe.

“Vendimi i presidentit nuk mund ta cenojë gjuhën shqipe dhe të drejtat e  tjera të shqiptarëve që pretendojnë t’i arrijnë në këtë vend, ngase është shumica parlamentare ajo që i voton dhe nuk ka mekanizëm kushtetues për bllokimin e këtij procesi”, ka theksuar ai.

Ai tutje është shprehur optimist se koalicioni mes LSDM-së dhe partive shqiptare nuk do të lëkundet drejt formimit të një qeverie proevropiane në Maqedoni.

Pajaziti: Shqiptarët duhet të jenë unikë dhe të matur

Kurse njohësi i çështjeve politike në Maqedoni, Muhamer Pajaziti, ka vlerësuar se atje po synohet ndarja politike dhe etnike.

“Lideri i partisë ultranacionaliste VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, dhe presidenti dekor, Gjorgje, po zhvillojnë një agjendë të hapur ndarjeje politike dhe etnike, për t’i imunizuar dhe mohuar krimet dhe korrupsionin gjatë qeverisjes për më shumë se një dekadë”, ka deklaruar ai.

Sipas Pajazitit, tendencat janë që vlerat, simbolet  dhe kultura e shqiptarëve etnikë të mbeten pa emër dhe të drejtat e tyre për të jetuar me dinjitet  t’i realizojnë në bazë të përqindjeve.

Megjithëkëtë, sipas tij, shqiptarët duhet të jenë unikë dhe t’i artikulojnë kërkesat e tyre.

“Të mos lënë përshtypje se janë kundër Maqedonisë apo maqedonasve dhe t’i artikulojnë kërkesat përmes gjuhës së të drejtave të njeriut dhe barazisë.  Nëse nuk funksionon kjo qasje dhe lidershipi maqedonas shpërfaqet akoma më shumë me politika destruktive, atëherë nuk mbetet tjetër pos federalizimi apo kantonizimi i shtetit”, ka shtuar Pajaziti.

Por sipas tij procedurat kushtetuese do ta shembin herët apo vonë dhe do ta rrëzojnë vendimin e Ivanovit.

“Ekzistojnë procedura kushtetuese dhe ligjore të cilat herët a vonë do ta rrëzojnë vendimin jokushtetues të presidentit Ivanov, nga i cili duhet të kërkohet edhe përgjegjësi”, ka theksuar Pajaziti për “Zërin”.

Ndryshe, presidenti Gjorgje Ivanov para dy ditësh ka marrë vendim që mos ta mandatojë Zoran Zaevin, i cili i takon partisë së dytë më të madhe në vend, ani pse lideri  i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dështoi ta formonte qeverinë e re.

Këtë vendim Ivanov e mbështeti mbi atë se kinse platforma e përgatitur nuk ishte në përputhje me kushtetutën e Maqedonisë, pasi që ajo, siç Ivanonv u shpreh, është hartuar nga një tjetër shtet.

“Ajo është e përgatitur nga një shtet tjetër dhe me ndërmjetësim të një shteti tjetër. Përmbajtja e saj është jashtë kushtetutës së Maqedonisë. Me këtë platformë Maqedonia është e kërcënuar, ndërsa unitariteti dhe pavarësia është vënë në rrezik”, ka deklaruar Ivanov. /Zëri