Demarkacioni dhe gazi, javën tjetër në Kuvend

Aktuale March 01, 2017 - 08:16

Javën tjetër në Kuvendin e Kosovës pritet të rikthehet për votim Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi. E bashkë me të edhe gazi lotsjellës. Të paktën kështu kanë paralajmëruar dy taborët politikë, pozita dhe opozita.

Në Qeveri thonë se kjo Marrëveshje do të kalojë dhe duhet të kalojë, qoftë edhe me një konsensus politik për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Ndërsa duke u thirrur në po të mirën e qytetarëve të vendit, edhe opozita thotë se do ta kundërshtojë fuqimisht kalimin e saj, duke mos kursyer as gazin lotsjellës.

Madje, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka garantuar qytetarët se kjo Marrëveshje nuk do të kalojë. “Të gjithë njerëzit që ia duan të mirën këtij vendi i garantojmë se kjo marrëveshje nuk do të bëhet”, ka thënë Lekaj. E, një konsensus të paktën minimal politik rreth Demarkacionit e kanë përkrahur edhe analistët politikë. Megjithatë, ata kanë shtuar se qëndrimet vazhdojnë të mbesin të njëjta, atëherë marrëveshja të dërgohet në arbitrazhin ndërkombëtar dhe të mos humbet kohë më tutje.  

Marrëveshja, gati për riprocedim 

Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi do të procedohet nga Kuvendi javën tjetër. Këtë vendim Qeveria e Kosovës pritet ta marrë në mbledhjen e radhës të saj. Burime të gazetës “Zëri” mësojnë se votimi pritet të ndodhë javën e ardhshme, pak ditë pas vizitës në Kosovë të kryediplomates evropiane, Federica Mogherini. Kjo e fundit pritet të qëndrojë në Kosovë të premten, më 3 mars.

Komisioni që kryeministri Isa Mustafa e konstituoi për verifikimin e Demarkacionit, javën që shkoi, ia ka dorëzuar shefit të ekzekutivit raportin për të dhënat faktografike për territorin e Kosovës. Ndërkohë, këshilltari i kryeministri Mustafa, Bajram Gecaj, ka thënë se optimalja do të ishte që të arrihej një konsensus politik para se marrëveshja të dërgohej në votim. Megjithatë, sipas tij, nëse kjo nuk arrihet, atëherë faji do të jetë i partive opozitare, por edhe i disa deputetëve të partive në pushtet. “Nëse shpejt nuk e krijojmë këtë konsensus më se të domosdoshëm për vendin dhe qytetarët, faji nuk do të jetë fare i koalicionit qeverisës, por i partive opozitare pushtetlakmuese dhe i disa deputetëve kryeneç, të papërgjegjshëm, të hutuar apo edhe me qëllime të dyshimta nga radha e partive në pushtet”, ka thënë Gecaj.

 Opozita: Marrëveshja nuk kalon, metodat janë të njohura

Opozita është e vendosur në kundërshtimin e kësaj Marrëveshjeje. Sipas tyre Marrëveshja në formën aktuale nuk do të kalojë sepse kështu dëmtohet integriteti territorial i vendit. Deputetja nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka thënë për “Zërin” se së bashku me AAK-në dhe “Nismën” do t’i bashkërendojnë veprimet. “Ne do të marrim pjesë në Kuvend nëse Qeveria e sjell këtë marrëveshje në legjislativ. Madje pjesëmarrja jonë nënkupton kundërshtim të së njëjtës me secilën formë”, ka thënë Haxhiu, duke shtuar. “Nuk do të lejojmë të falet territori i Kosovës. Metodat e kundërshtimit mund të jenë të ngjashme me ato që tashmë janë të njohura. Ne do të përpiqemi që në këtë pikë të jemi bashkë me AAK-në dhe “Nismën”, ka thënë Haxhiu. 

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka garantuar që Marrëveshja nuk do të kalojë. “Të gjithë njerëzit që ia duan të mirën këtij vendi i garantojmë se kjo marrëveshje nuk do të bëhet. Kosova dhe territori i saj janë si kurrë më të sigurta, sepse tashmë këtë e ka parasysh edhe sovrani, populli. Kosova së shpejti edhe praktikisht do t’u kthehet qytetarëve të vetë”, ka thënë Lekaj. Ai ka akuzuar Qeverinë se nuk po kujdeset që të ruajë as sovranitetin e as integritetin territorial. Megjithatë, ka përfunduar duke thënë se besojnë që do ta kalojnë edhe këtë sfidë dhe bashkë me qytetarët do ta bëjnë Kosovën e vërtetë e cila nuk mund të kërcënohet as nga brenda as nga jashtë.

Abazi: Marrëveshjet pa konsensus lënë pasoja të rënda

Drejtori i “Rockefeller Brothers”, Haki Abazi, duke komentuar gjendjen aktuale politike në vend, sa i përket Demarkacionit ka thënë se një konsensus minimal politik do të ishte mëse i nevojshëm. “Demarkacioni, ashtu siç është nënshkruar, ka bllokuar jetën institucionale dhe zhvillimet në vend. Është parë që proceset që nuk kanë konsensus minimal politik lënë pasoja të rënda. Këto marrëveshje janë shumë serioze dhe përveç rëndësisë, në vetvete përcaktojnë edhe standarde për marrëveshjet tjera dhe kjo gjë nuk mund të lihet në format arbitrare dhe për interesa të individëve”, ka thënë Abazi. Megjithatë, sipas tij, marrëveshja aktuale do të jetë shumë e vështirë për t’u votuar edhe kësaj radhe në Kuvend. Për këtë arsye, ai ka përkrahur idenë e dërgimit të saj në arbitrazh, gjë të cilën e kishte thënë edhe ish-presidenti kroat, Stipe Mesiq.

“Procesi mund të nisë nga fillimi për të mos humbur kohë edhe më shumë, duke insistuar në një marrëveshje që nuk ratifikohet edhe nga deputetët e shumicës dhe jo vetëm nga opozita. Ose kjo çështje duhet dërguar në arbitrazh ndërkombëtar”, ka thënë ai. Krejt në fund, ai ka thënë se ky “kaos politik” është i shkaktuar dhe po mbahet i tillë nga PDK-ja, sepse, siç ka thënë ai, këtyre të fundit po u konvenon kjo gjë. “Kjo po bëhet nga PDK-ja për të larguar vëmendjen nga dështimet dhe pasojat që mund të ketë Gjykata Speciale. Kjo është metodë e njohur e PDK-së, që është përdorur edhe më herët”, ka përfunduar ai.