Rektorati shpërfill Inspektoratin e Arsimit

Aktuale February 28, 2017 - 11:44

Rektorati i Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” nuk po i zbaton vendimet e Inspektoratit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës (MASHT).

Ky inspektorat po has në pengesa në Rektorat që ta kryejë punën e tij. Më 30 janar të këtij viti Zyra e Inspektoratit të MASHT-it ka marrë vendim që ta aprovojë ankesën e kandidates për asistente në drejtimin e Farmacisë në Fakultetin e Mjekësisë në UP, Rozafa Koliqi, e cila ishte ankuar për padrejtësi nga ana e Rektoratit me rastin e moszgjidhjes së saj në lëndën Farmaci Klinike si asistente.

Me këtë vendim të Inspektoratit është obliguar Senati i UP-së që ta shqyrtojë ankesën e Koliqit. Në vendimin e Inspektoratit, një kopje të së cilës e ka siguruar gazeta “Zëri”, thuhet se “Aprovohet ankesa e ass. Rozafë Koliqit dhe obligohet senati i UP-së “Hasan Prishtina” që ta shqyrtojë ankesën drejtuar inspektoratit të SIA-së (Sektori i Inspektoratit të Arsimit), MASHT, procesverbalin e 4 nëntorit 2016”. Në këtë vendim bëhet e ditur se bazuar në propozimet, respektivisht rekomandimet për zgjedhje nga ana e Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë, propozimit të komisionit recensues për zgjedhje dhe rizgjedhje, si dhe duke u bazuar në raportet e Senatit të UP-së, Inspektorati i SIA-së ka rekomanduar që edhe një herë ta shqyrtojë ankesën e Rozafë Koliqit, duke respektuar normat ligjore dhe në të njëjtën kohë duke vendosur mbi bazën e standardeve të pacaktuara nga UP-ja, për zgjedhje të drejtë.

“Lidhur me përmbushjen eventuale të rekomandimeve të dhëna Senatit të UP-së i është rekomanduar gjithashtu që në një afat optimal ta njoftojë Inspektoratin e SIA-së, MASHT-in, në Prishtinë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, thuhet në vendim. 

Kundër këtij vendimi Rektoratit i është dhënë një afat prej 15 ditësh për të ushtruar ankesë ndaj vendimit të Inspektoratit. Por, gazeta ka mësuar se nuk ka pasur ndonjë reagim apo ankesë që është dorëzuar në Inspektorat.

Nebi Behluli, inspektor i arsimit, ka thënë se vendimi nuk është respektuar, në të kundërtën ai thotë se do të duhej të njoftohej Zyra e Inspektoratit për qëndrimin e UP-së në këtë rast. Behluli bën të ditur se në adresë të tij nuk ka arritur ndonjë përgjigje nga Rektorati, qoftë kundërshtuese apo aprovuese, ndonëse, sipas tij, është dashur që të informohej.

Ai thotë se sipas procedurave ankesa nga rektorati për vendimin e Inspektoratit do të duhej të drejtohej në shkallën e dytë tek kryeinspektori si dhe tek sekretari i MASHT-it.. “Ata (Rektorati) vazhdojnë me logjikën e vjetër të mos respektojnë institucionin e Inspektoratit të Arsimit. Veprojnë krejt në vete. Dhe madje kam përshtypjen se nuk koordinohen as mes vete”, ka thënë Behluli për gazetën.

Gazeta nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga drejtori i Inspektoratit, Dëfrim Gashi, ndonëse i është drejtuar edhe me shkrim.  Ndërkaq, kandidatja Rozafë Koliqi thotë se vendosi të ankohet në të gjitha instancat më të larta duke kërkuar të drejtën e saj, pasi, sipas saj, e pa se Rekorati po e shkel Statutin. “Nuk kam pasur shumë shpresë në institucionet tona, por për fatin tim deri më tani dy institucione dolën që nuk janë të ndikuara dhe qëndrojnë mirë profesionalisht, njëri nga ta është Inspektorati i Arsimit si dhe Agjencia Kundër korrupsionit e Kosovës (AKK)”. Koliqi thotë se gjatë ndjekjes së rrugëve ligjore për të mbrojtur të drejtën e saj i është bërë me dije disa herë që Rektorati nuk respekton asnjë institucion. “Edhe pse thuhet që Universiteti është autonom, kjo autonomi nuk u jep të drejtë ta shkelin statutin e UP-së, e për më tepër të mos respektojnë as vendimin e Inspektoratit të Arsimit!”, ka thënë ajo për “Zërin”.