Ministri Rrahmani zgjedh shefin e Prokurimit pa licencë prokurimi!

Aktuale February 27, 2017 - 07:59

Alban Pozhegu është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të Prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), institucion ky që udhëhiqet nga Imet Rrahmani, ndonëse nuk ka as licencë për prokurim publik.

Për më tepër, Pozhegu prej se ka filluar ta ushtroj këtë pozitë, pavarësisht mungesës së licencës, i ka nënshkruar së paku dy tenderë për operatorët ekonomikë, duke e shkelur kështu me “dy këmbë” Ligjin e Prokurimit Publik (LPP).

Zyrtarë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), institucion ky që e monitoron procesin e prokurimit publik në vend, kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se nënshkrimi i kontratave nga zyrtari i palicencuar është veprim i jashtëligjshëm. Madje, sipas tyre, edhe i dënueshëm.

“Zyrtari në fjalë deri më tash asnjëherë nuk ka shprehur interesim që së paku të ndjekë ndonjë nga trajnimet e parapara për prokurim. Emri i Alban Pozhegut nuk figuron në asnjë regjistër të KRPP-së”, kanë bërë të ditur për “Zërin” zyrtarë të KRPP-së.

Nga asistenti në drejtor të Prokurimit

Pozhegu deri para emërimit në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Prokurimit Publik ka ushtruar pozitën e asistentit të Prokurimit në MSH, ku ka qenë me koeficient shtatë të pagës, ndërsa pas avancimit është graduar me koeficientin dhjetë.

Burime të besueshme të gazetës “Zëri” në Ministrinë e Shëndetësisë bëjmë të ditur se emërimi i Pozhegut është plotësisht i jashtëligjshëm, pasi që në zyrën e prokurimit në këtë dikaster qeveritar ka pasur zyrtarë të tjerë të licencuar në fushën e prokurimit publik.

“Pozhegu ka ardhur në këtë pozitë falë përkrahjes që ka nga ministri Rrahmani”, kanë bërë të ditur burime të gazetës “Zëri” brenda Ministrisë së Shëndetësisë.

Për këtë çështje  gazeta “Zëri” i ka dërguar pyetje zyrës për medie të Ministrisë së Shëndetësisë, por deri më tash nuk ka marrë përgjigje.

“Ju lusim që të keni durim meqë ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të Prokurimit është jashtë vendit me punë zyrtare, po presim prej tij informatat burimore dhe do t’ua përcjellim sapo t’i marrim, qoftë duke ju siguruar qasje edhe në ndonjë dokument relevant”, thuhet në përgjigjen e zyrës për medie.

Por edhe pas 4 ditë pritjesh gazeta nuk ka arritur të marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë.

Neni 23, pika 2 e LPP-së precizon saktë se një person mund të shërbejë si Zyrtar Përgjegjës i Prokurimit nëse posedon diplomë universitare dhe një certifikatë bazike, apo të avancuar të Prokurimit. Përderisa, Pozhegut i mungon certifikata e prokurimit.

KRPP: Kontratat nënshkruhen vetëm nga personat që kanë licencë

Zyrtarë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) kanë bërë të ditur se kontratat e Prokurimit mund të nënshkruhen vetëm nga personat që kanë licencë Prokurimi.

Më tutje, zyrtarë të KRPP-së kanë bërë të ditur se nënshkrimi i një kontrate nga një person që nuk ka licencë prokurimi është e jashtëligjshme e ku, sipas tyre, ajo nuk ka asnjë vlerë ligjore. “Asnjë person që nuk ka licencë nuk guxon të nënshkruajë kontrata, pasi që një gjë e tillë specifikohet shumë qartë në ligj. Në rastin konkret nëse ai veç ka nënshkruar kontrata është organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), institucioni i vetëm i cili mund t’i anulojë ato”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së. Sipas tyre, ligji parasheh që në raste të tillë të iniciohet edhe procedurë penale ndaj personit që ka nënshkruar atë. Zyrtarë të KRPP-së kanë bërë të ditur se së paku deri më tash nuk ka ndonjë veprim nëpër të gjitha institucionet që marrin para nga arka e shtetit.
“Është rasti i parë, nuk kemi dëgjuar të këtë ndodhur më parë që zyrtarët pa licencë të nënshkruajnë kontrata prokurimi”, thuhet më tutje në përgjigjen e KRPP-së.

E në anën tjetër zyrtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), apo siç njihet ndryshe “Gjykata e Tenderëve”, kanë bërë të ditur se nuk janë të njoftuar me rastin në fjalë.
Sipas tyre, OSHP-ja shqyrton lëndët vetëm atëherë kur ka ndonjë ankesë nga palët me interes.

“Pa bërë ankesë ndonjë Operator Ekonomik, OSHP-ja nuk merr asnjë vendim”, kanë bërë të ditur zyrtarë të OSHP-së.

Në anë tjetër analisti Avni Zogiani thotë se hetimet e nisura në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë përfunduar asnjëherë, kështu që, sipas tij, aty zyrtarët e lartë në vazhdimësi vazhdojnë me shkelje të ligjit.