Ahmetaj: Demarkacioni, kusht që nga viti 2012

Aktuale February 25, 2017 - 08:32

Ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se demarkacioni me Malin e Zi që nga viti 2012 ka qenë kusht për liberalizimin e vizave. Ajo nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur do të mundë të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës, shkruan sot, gazeta Zeri.

Ministrja për Integrim Evropian, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi si kriter për liberalizimin e vizave është vendosur qysh në vitin 2012 në kuadër të Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave.

Prandaj, sipas saj, Kosova duhet ta përmbushë këtë kriter në mënyrë që pasi të konfirmohet edhe progresi në luftë kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit Komisioni Evropian t’i propozojë Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian për miratim heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Këtë qëndrim Ahmetaj e ka dhënë në një intervistë për gazetën “Zëri”, në të cilën ka thënë se nuk mund të spekulohet me afate kohore, mirëpo ka bërë thirrje që Kosova t’i kryejë obligimet e saj në procesin e liberalizimit të vizave.

Kurse sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ministrja Ahmetaj ka thënë se është themeluar ekip i veçantë, i cili ka shenjëzuar 34 raste dhe ka ngritur 26 kallëzime penale, nga të cilat 4 kanë marrë vendimin e shkallës së fundit dhe 2 të shkallës së parë.

Zëri: Sa jemi afër liberalizimit të vizave, a mund të jepni ndonjë datë se kur qytetarët e Kosovës do të mundnin të udhëtojnë pa viza?

Ahmetaj: Me 4 maj 2016, Komisioni Evropian ka miratuar rekomandimin për heqjen e vizave për Kosovën pasi që është vlerësuar se Kosova ka zbatuar obligimet e dala nga Udhërrëfyesi për Liberalizim të Vizave. Ndërsa, në korrik të 2016-s Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka nxjerrë rekomandim që u është drejtuar Komisionit për Liritë Civile të Parlamentit Evropian për të miratuar rekomandimin për heqjen e vizave. Ky përbën një hap më afër në procesin e heqjes së regjimit të vizave në kuadër të procedurës së rregullt parlamentare të Bashkimit Evropian. Pasi të miratohet rekomandimi nga komisionet respektive parlamentare dhe të votohet në seancën plenare të PE-së, rekomandimi pastaj duhet të miratohet nga Këshilli Evropian, i cili përbën hallkën e fundit vendimmarrëse të BE-së.

Zëri: Përfaqësuesit e institucioneve të Bashkimit Evropian e përsëritën qëndrimin se nuk do të ketë liberalizim të vizave pa ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi. A ka ndonjë afat kohor se deri kur Kosova duhet t’i përmbushë kriteret e mbetura?

Ahmetaj: Kriteri i Demarkacionit është vendosur qysh në vitin 2012 në fillim të procesit të liberalizimit të vizave, në kuadër të Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, për çka ne jemi pajtuar me këtë Udhërrëfyes dhe si i tillë duhet të përmbushet. Qeveria nuk dëshiron të spekulojë për afate kohore. Përgjegjësia jonë është që t’i përmbushim kriteret, respektivisht ta përfundojmë procesin e demarkacionit dhe të vazhdojmë luftën kundër

krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Qeveria dhe Kuvendi janë duke bërë koordinimin e nevojshëm që procesi i liberalizimit të vizave, respektivisht çështja e demarkacionit të përfundojë sa më parë, në mënyrë më të mirë të mundshme që të mos vazhdojmë ta mbajmë Kosovën të bllokuar. Pas përfundimit të Demarkacionit dhe konfirmimit të progresit në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Komisioni Evropian do t’i propozojë Këshillit dhe Parlamentit për miratim heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Institucionet e Kosovës nuk mund t’i komentojnë afatet e brendshme të vendimmarrjes së institucioneve të BE-së.

Zëri: Në disa vende të BE-së ka zgjedhje këtë vit, a ndikojnë këto procese zgjedhore në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe sa ka vullnet brenda BE-së për liberalizim të vizave për Kosovën?

Ahmetaj: Natyrisht që proceset e brendshme politike në kuadër të secilit vend anëtar të BE-së ndikojnë edhe në politikën e përditshme të BE-së. Sidoqoftë, sa i përket procesit të liberalizimit të vizave përgjegjësia në këtë periudhë është në anën e institucioneve të Kosovës që të sigurojnë përmbushjen e dy kritereve të mbetura dhe të hapin rrugë për vendimmarrje në kuadër të Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian. Udhëheqësit më të lartë shtetërorë janë duke bërë koordinimin e rregullt me qëllim të sigurimit të mbështetjes politike nga institucionet e BE-së dhe qeveritë e vendet anëtare.

Zëri: A paraqesin pengesë pesë shtetet të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, a është duke u lobuar mjaftueshëm për liberalizimin e vizave?

Ahmetaj: Pesë shtetet mosnjohëse në vazhdimësi e kanë mbështetur procesin integrues të Kosovës. Në këtë drejtim pesë shtetet mosnjohëse kanë konfirmuar këtë mbështetje duke përkrahur progresin e Kosovës nëpër të gjitha fazat e mëhershme të procesit të liberalizimit të vizave, në Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, si dhe duke ofruar mbështetjen për qasjen e Kosovës në programet e BE-së. Kosova e ka negociuar MSA-në edhe gjatë presidencës greke të BE-së, si dhe e ka mbajtur takimin e parë të Këshillit të MSA-së gjatë presidencës sllovake. Po të mos ishte përkrahja e të gjitha shteteve anëtare të BE-së, duke i përfshirë edhe pesë shtetet jonjohëse Kosova nuk do të arrinte ta nënshkruante MSA-në me BE-në.

Zëri: Sa është përmbushur kriteri tjetër, ai për luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar?

Ahmetaj: Në kuadër të përmbushjes së kriterit të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar agjencitë për zbatim të ligjit kanë themeluar ekip të veçantë të udhëhequr nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, në mënyrë që t’i bashkërendojnë aktivitetet në hetimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Ky ekip përbëhet nga përfaqësues nga Policia, Prokuroria, Dogana, ATK-ja, Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar dhe përgjatë hetimeve vlerëson nëse një rast mund të konsiderohet si korrupsion i nivelit të lartë dhe krim i organizuar.

Deri më sot ekipi ka shenjëzuar 34 raste dhe ka ngritur 26 kallëzime penale, nga të cilat 4 kanë marrë vendimin e shkallës së fundit dhe 2 të shkalles së parë. Raste të tjera janë në stade të ndryshme të procesit gjyqësor. Në këtë drejtim, siç është komunikuar edhe nga presidenti Juncker, por edhe nga ambasadorja Apostolova, Kosova ka bërë progres të mirë në përmbushjen e këtij kriteri.