Mesiç: S'ka më ndryshime të kufijve

Aktuale February 25, 2017 - 08:07

Askush nuk pret më që në këtë pjesë të Evropës sonë të ketë konflikte të armatosura, ajo është pothuajse e pamundur. Arkitektura e hapësirës sonë ka përfunduar dhe nuk ka më asnjë ndryshim të kufijve. Nëse nuk mund të arrihet marrëveshje për mënyrën e demarkacionit me Malin e Zi, kjo çështje do të duhej të shkonte në Gjykatën e Arbitrazhit. Kështu ka thënë në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Zëri” ish-presidenti kroat, Stipe Mesiç.

Duke folur rreth mundësisë së njohjes së Kosovës nga Serbia ish-presidenti kroat ka thënë se momentalisht është vështirë të pritet që në Serbi të mbizotërojë një linjë e cila do të ishte realiste dhe të pranojë realitetin e ekzistencës së Kosovës. Sidoqoftë, ai ka shtuar se momentalisht është shumë e rëndësishme që dialogu me Beogradin të vazhdojë. “Në këtë mënyrë do të uleshin tensionet dhe një ditë do të vijë edhe njohja”, ka thënë Mesiç.

Ish-presidenti kroat në anën tjetër ka “kritikuar” përfaqësuesit e Kosovës në Qeveri dhe në Presidencë duke thënë se ata duhet ta intensifikojnë më shumë fushatën për njohje në vendet jashtë Evropës. Krejt në fund, Mesiç ka folur edhe për Gjykatën Speciale.

Ai ka thënë se krimi është krim dhe gjykata duhet ta gjykojë në bazë të veprave të kryera dhe jo vetëm sipas kombësisë.

Zëri: Z. Mesiç, ju keni mbështetur të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi, cila është porosia juaj tani kur kemi të bëjmë me elita politike të korruptuara?

Mesiç: Duke ditur se Jugosllavia nuk ishte më shtet funksional, pasi që humbi elementet që e mbanin atë në jetë, ishte mjaft e qartë se të gjitha njësitë përbërëse të ish-Federatës kishin të drejtë për pavarësi. Në përputhje me rrethanat, sikurse republikat kishin të drejtën për pavarësi, atë të drejtë e kishin edhe krahina e Vojvodinës dhe ajo e Kosovës. Kosova u përcaktua për pavarësinë e saj dhe në fund i është dashur të luftojë për ta fituar këtë të drejtë. Tani Kosova është shtet, duhet të themelohet deri në fund funksionimi i shtetit të së drejtës dhe kjo është mënyra e vetme që shteti të lirohet nga korrupsioni dhe nga ryshfeti, pra sundimi i ligjit.

Zëri: Çfarë po ndodh sipas mendimit tuaj me Ballkanin Perëndimor, duke pasur parasysh ndikimin rus në Serbi dhe kampanjën e saj të fundit kundër Kosovës, a prisni tensione të intensitetit më të lartë?

Mesiç: Sigurisht se ka rritje të intensitetit, fushata politike, por ato janë prezente në të gjitha vendet e Evropës Juglindore, kur ndonjë vend është në prag të zgjedhjeve. Sa herë që ndonjë vend gjendet para zgjedhjeve, rriten tensionet etnike dhe pastaj kjo përkeqëson situatën politike. Unë nuk pres përkeqësim dhe konflikte politike, pres vetëm situatë të qetë. Askush nuk pret më që në këtë pjesë të Evropës sonë të ketë konflikte të armatosura, ajo është pothuajse e pamundur. Arkitektura e hapësirës sonë ka përfunduar dhe nuk ka më asnjë ndryshim të kufijve.

Zëri: Pas dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit a do ta njohë Serbia Kosovën, ose a mund të ndodhë nënshkrimi i traktatit të paqes me Kosovën?

Mesiç: Është vështirë të pritet që në Serbi të mbizotërojë një linjë, e cila do të ishte realiste dhe të pranojë realitetin, realitetin e ekzistencës së Kosovës. Kosova është shtet dhe është krejt normale që Kosova të komunikojë me të gjitha vendet e botës, duke përfshirë edhe Serbinë. Megjithatë, situata në Serbi është e atillë që shumë njerëz atje nuk mund të pajtohen me pavarësinë e Kosovës dhe gjithmonë duke u bazuar në këto tensione ata fitojnë zgjedhjet në vendin e vet, pasi shumë parti politike në Serbi premtojnë se do ta kthejnë Kosovën, por kjo është vetëm për shkak të zgjedhjeve, pra janë premtime të kota. Gjëja më e rëndësishme mendoj se është për t’i vazhduar bisedimet me Beogradin, në mënyrë që të ulen tensionet dhe një ditë do të vijë edhe njohja. Është e rëndësishme që Kosova të hyjë në BE, të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara sepse deri më tani 113 shtete e kanë njohur Kosovën. Duhen bërë përpjekje më të mëdha, ashtu që vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe të cilat nuk janë vende evropiane ta pranojnë shtetin e Kosovës. Disa vende evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën, nuk e njohin vendin tuaj sepse kanë problemet e tyre të brendshme dhe për këtë shkak e zvarrisin njohjen e Kosovës. Duhet që përfaqësuesit e Kosovës, Qeveria dhe presidenti, unë nuk jam duke dhënë këshilla, ta intensifikojnë më shumë fushatën në vendet jashtë Evropës.

Zëri: I tërë rajoni duket se po garon me armatime, Kosova ende nuk e ka ushtrinë e vet?

Mesiç: Po, është e vërtetë. Kosova nuk ka ushtri, por aty është pakti NATO, i cili ka reaguar për herë të parë kur ka pasur luftë në Kosovë. Për herë të parë në histori NATO-ja reagoi kur ka pasur një rrezik të madh për gjenocid i cili mund të ndodhte në Kosovë. Dhe për këtë arsye NATO-ja u angazhua. Duke pasur parasysh që NATO-ja është ende e pranishme në Kosovë, nuk ka asnjë mundësi që kufijtë të ndryshohen, nuk ka mundësi që dikush me anë të luftës ta rrezikojë Kosovën apo ndonjë vend tjetër në rajonin tonë.

Zëri: Ne kemi një problem tani, opozita kosovare ka bllokuar ratifikimin e kufirit me Malin e Zi. Edhe Kroacia ka pasur probleme me kufirin, por nuk ishte kushtëzuar për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në BE, çfarë mendoni për këtë?

Mesiç: Një parim ekziston dhe ai është që të gjitha vendet të cilat hyjnë në BE duhet t’i zgjidhin paraprakisht çështjet e tyre kufitare me fqinjët. Ky është parimi. Ne në Kroaci gjithashtu kishim këtë problem me Slloveninë, kryesisht për kufirin në det. Këto tensione kanë qenë mjaft të larta, sepse jo vetëm që ishin të pranishme në mesin e elitës politike, por tensione kishte edhe në mesin e qytetarëve.

Gjatë mandatit Jadranka Kosor e ka vlerësuar shumë mirë situatën dhe këtë çështje politike e ka transferuar në një çështje ligjore, kështu që u përcaktua për Gjykatën e Arbitrazhit, i cili duhej ta zgjidhte çështjen. Megjithatë, erdhi deri te një ndërhyrje në punën e kësaj Gjykate të Arbitrazhit dhe tani për tani kjo çështje ka mbetur e pazgjidhur. Sidoqoftë, mendoj se këtu, kur është fjala për Kosovën, nëse nuk mund të arrihet marrëveshje për mënyrën e demarkacionit, kjo çështje do të duhej të shkonte në Gjykatën e Arbitrazhit.


  Zëri: Ish-luftëtarët e UÇK-së do të përballen me Gjykatën Speciale këtë vit, e cila është themeluar vetëm për shqiptarët, cili është mendimi juaj?

Mesiç: Unë nuk e di saktësisht se si është formuar kjo Gjykatë, respektivisht nuk kam njohuri për të gjitha ato pikat në të cilat bazohet ajo. Mendoj se Gjykata duhet t’i gjykojë veprat penale, pavarësisht se kush i ka kryer. Pasi që në mënyrë të qartë bëhet fjalë për një gjykatë me mandat për një territor të caktuar, aty kanë mundur të ndodhin vepra edhe nga ata që nuk janë pjesë e atij territori apo atij vendi. Sepse krimi është krim, ai nuk njeh asnjë kombësi apo fe, prandaj gjykata duhet ta gjykojë në bazë të veprave të kryera dhe jo vetëm sipas kombësisë.