Phillips: Evropa po kontribuon në radikalizmin e shqiptarëve

Aktuale February 24, 2017 - 08:05

Izolimi i kosovarëve, refuzimi që po ia bën në vazhdimësi Evropa shtetit të vetëm në Ballkan pa liberalizim të vizave është duke kontribuuar që kosovarët të kthehen nga Lindja, ndërkohë që fuqi të mëdha si Turqia janë duke e shfrytëzuar këtë mundësi perfekte për agjendat islamike, thotë gjatë një interviste ekskluzive për “Zërin” David Phillips, profesor në Universitetin Columbia të SHBA-së

Identiteti evropian për shqiptarët po bëhet i pakapshëm. Kosovarët janë të ndjeshëm ndaj radikalizmit sepse ata ndihen të refuzuar nga Evropa. Mohimi i udhëtimit pa viza për kosovarët drejt BE-së përkeqëson frustrimin dhe izolimin. Këto kritika të ashpra në drejtim të ndërkombëtarëve i ka bërë amerikani David Phillips, profesor në Universitetin Columbia të SHBA-së, njohës i mirë i çështjes shqiptare, në intervistën dhënë gazetës “Zëri”. Ndonëse e pranon se shqiptarët janë aleatët kryesorë të amerikanëve në Evropë, ai foli për rrezikun e influencës turke e cila po shtrihet në Kosovë dhe në Maqedoni shumë me investimet direkte të Erdoganit.

Philips kritikoi edhe politikanët shqiptarë të cilët ua kanë dhënë pasuritë kryesore kompanive turke. Ndërkohë që nënvizoi se ekstremizmi i shqiptarëve i shërben agjendës serbo-ruse. Sipas tij, Turqia është një aleat i pasigurt për SHBA-në, kurse shqiptarët janë aleatët më të mëdhenj të SHBA-së. Megjithatë, sipas tij, shqiptarët po ashtu paraqesin një alternativë për ideologjinë salafiste. Phillips tha se në përgjigje të mendimit islamofobik botëror të Trumpit, shqiptarët mund t’i profilizojnë vlerat e tyre të moderuara properëndimore në mënyrë që të thellojnë miqësinë dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara.

Zëri: Z. Phillips, ju keni shkruar tashmë shumë artikuj dhe libra në lidhje me shqiptarët në Ballkan, posaçërisht të atyre në Kosovë. Cila është tani sfida jonë kryesore?

Phillips: Në Ballkan unë jam duke u fokusuar në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Amerikanët dhe shqiptarët kanë një lidhje të veçantë. Ne duhet të punojmë së bashku në luftën kundër radikalizmit islamik, i cili keqpërdor mësimet fisnike të islamit si fe e të paqes për të justifikuar dhunën. Unë gjithashtu punoj ngushtë me kurdët në Siri dhe në Irak për ta forcuar pjesëmarrjen e tyre në përpjekje për të mposhtur “Shtetin Islamik”.

Zëri: Cilët faktorë ndikuan në përkushtimin më të madh të shqiptarëve ndaj fesë?

Phillips: Faktorët e jashtëm janë të rëndësishëm. Turqia ka qenë sistematikisht një eksportuese e agjendës së saj islamike në blerjen e pasurive dhe duke ndikuar te politikanët. Shtetet e Gjirit dhe Turqia kanë qenë dorëgjerë në financimin e aktiviteteve dhe partive politike që kanë për qëllim përhapjen e islamizmit. TIKA, Agjencia e Turqisë për Bashkëpunim dhe Koordinim, ka luajtur një rol të rëndësishëm në financimin dhe restaurimin e strukturave osmane dhe objekteve kulturore. TIKA shpesh ofron grante me para në dorë, duke sponsorizuar një rrjet të xhamive, organizatave me bazë fenë dhe medresetë kuranore. TIKA ofron bursa arsimore për të rinjtë që të studiojnë në institucionet fetare në Lindjen e Mesme dhe në Turqi. Ajo kërkon formimin e një identiteti të ri që bazohet në islamin politik, e frymëzuar nga “Umeti” si një bashkësi islamike mbikombëtare.

Zëri: A ka kontribuuar edhe Perëndimi në rritjen e islamizmit?

Phillips: Evropa dhe Shtetet e Bashkuara gjithashtu mbajnë përgjegjësi për rritjen e islamizmit në Kosovë. Identiteti evropian është i pakapshëm. Kosovarët janë të ndjeshëm ndaj radikalizmit sepse ata ndihen të refuzuar nga Evropa. Mohimi i udhëtimit pa viza për kosovarët drejt BE-së përkeqëson frustrimin dhe izolimin. Shtetet e Bashkuara gjithashtu duhen fajësuar pjesërisht. Amerikanët dhe shqiptarët kanë një lidhje të veçantë. Megjithatë, Uashingtoni ka lënë pas dore kryesisht Ballkanin Perëndimor gjatë tetë vjetëve të fundit. Roli i zvogëluar i Amerikës ka krijuar një boshllëk të mbushur nga ekstremizmi.

Radikalizmi i shërben agjendës proserbe të Rusisë

Zëri: Cili është mendimi juaj për rolin e Rusisë?

Phillips: Radikalizmi i shërben agjendës proserbe të Rusisë. Përveç promovimit të ekstremizmit ortodoks, unë nuk do të çuditesha nëse Rusia mbështet grupet islamike në mënyrë që t’i ushqejë tensionet dhe t’i shfrytëzojë ndarjet politike në një rajon tradicionalisht proamerikan. Rusia është e njohur për përdorimin e autoritetit të saj për të destabilizuar vendet në një orvatje për të nxitur agjendën e saj nacionaliste dhe proserbe.

Zëri: Ndikimi më i madh duket se vjen nga Lindja, si do ta përshkruanit agjendën e tyre?

Phillips: Turqia është sistematikisht duke eksportuar vlerat islamike të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP). Politika e saj e jashtme përdor fenë për t’i avancuar qëllimet politike dhe strategjike. Unë nuk kam asnjë problem me religjionin, por jam thellësisht i shqetësuar në lidhje me islamin politik, i cili në mënyrë aktive kundërshton vlerat laike dhe demokratike. Turqia i ka dhënë mbështetje financiare dhe logjistike “Shtetit Islamik” në Irak dhe në Siri në mes të viteve 2013 dhe 2016, Agjencia e Inteligjencës turke ka operuar në autostradën e xhihadit nga Sanliurfa në Raqqa si një kanal për luftëtarët dhe armët e ISIS-it. Një ligj u miratua duke e cilësuar si vepër penale diskutimin për lidhjet e Turqisë me ISIS-in.

Zëri: Ju keni alarmuar disa herë se Kosova është në rrezik nga ideologjia islamike, si e vlerësoni vendin tonë nga ky këndvështrim?

Phillips: Shumë kosovarë e shohin Qeverinë e tyre si joefektive, të korruptuar dhe të paaftë për t’i përmbushur nevojat themelore të qytetarëve. Ata janë të zhgënjyer. Gjendja e keqe është përhapur.

 Turqia ka ndikim të madh në Kosovë, në Shqipëri e në Maqedoni

Zëri: A mendoni se politika e korruptuar ka ndihmuar edhe në krijimin e ambientit të përsosur për ideologjinë e re islamike?

Phillips: Aeroporti i Prishtinës dhe KEDS-i janë shitur për kompanitë turke me një çmim të volitshëm. Ku shkuan paratë? Pasuritë e njerëzve u janë shitur turqve me të cilët elita politike e Kosovës është tepër miqësore.

Zëri: A mund të bëni krahasimin e këtij trendi në tri vende: Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni?

Phillips: Ndikimi i Turqisë në të gjitha këto tri vende është shumë i madh. Sovraniteti i këtyre vendeve duhet të ruhet si një mburojë kundër agjendës islamike dhe autoritare të Erdoganit. Turqia përfaqëson një model të qeverisjes: të centralizuar, hierarkike dhe diktatoriale pa kontrolle dhe llogaridhënie. Modeli tjetër është më progresiv në bazë të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe pluralizmit politik. Kjo e fundit është mënyra më e mirë për t’i çuar përpara liritë themelore. Ajo është gjithashtu një mbrojtje kundër agresionit serb.

 Zëri: Me përjashtim të Arabisë Saudite, Kosova është e ndikuar edhe nga Erdogani. Ju keni botuar tashmë artikuj për këtë, sa është i madh ndikimi i tij këtu?

Phillips: Investimet e qëndrueshme dhe me qëllim të caktuar nga vendet e Gjirit Persik dhe Turqia e përdorin fenë si një mjet të politikës së jashtme, në mënyrë agresive promovojnë parësinë e identitetit fetar dhe një mënyrë jetese konservatore islamike. Sponsorët e huaj kultivojnë identitetin panmysliman të rrënjosur në parimet e solidaritetit vëllazëror dhe të ushqyer nga zemërimi mbi agresionin kundër sunitëve në Siri.

 Erdogani ka agjendë islamike me shqiptarët

Zëri: Çfarë synon Erdogani duke investuar në xhami dhe në grupe fetare në Kosovë?

Phillips: Investimi kërkon t’i radikalizojë kosovarët për të ndryshuar perceptimet e tyre dhe vlerat themelore duke i kthyer ata kundër Perëndimit.

Zëri: A mendoni se ai ka arritur të futet në politikë me anë të lëvizjes “Besa” në Maqedoni, që do të thotë se ky është qëllimi i tij edhe në Kosovë?

Phillips: “Besa” duhet të jetë transparente në lidhje me të dhënat e saj financiare. Nga ku kanë ardhur paratë për aktivitete të gjera që ia kanë mundësuar lëvizjes “Besa” për të fituar 5 vende në zgjedhjet e fundit? “Besa” nuk është një parti e vërtetë politike në Maqedoni. Ajo është një degë e AKP-së së Turqisë, e cila funksionon si një degë e Vëllazërisë Myslimane.

Zëri: Qeveria e Kosovës ia ka dhënë Erdoganit pasuritë kryesore të vendit - aeroportin dhe shpërndarjen e energjisë. Si e vlerësoni këtë?

Philips: Privatizimi i këtyre pasurive ishte një mashtrim i madh. Kriminelët në të dyja vendet kanë bërë pasuri duke vjedhur atë nga kosovarët.

Zëri: Në anën tjetër, Shqipëria ka lejuar të ndërtohet xhamia më e madhe në Ballkan, pse?

Phillips: Çfarë fiasko. Sekularizmi mbizotëroi për 50 vjet nën sundimin komunist. Pse ky përqafim i papritur i islamizmit? Pse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është tepër miqësor me presidentin e Turqisë, Tajip Erdogan, duke vallëzuar në dasmën e vajzës së tij?

 Shqiptarët, miqtë më të mirë të Amerikës nga Evropa

Zëri: Si e sheh Perëndimi Shqipërinë?

Phillips: Unë jam tepër krenar nga aksioni i NATO-s, i kryesuar nga SHBA-ja, që ndaloi pastrimin etnik në Kosovë. Jam gjithashtu krenar se SHBA-ja udhëhoqi në njohje të koordinuar ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Mbështetja ndaj Kosovës ka qenë gjithmonë dypartiake. SHBA-ja nuk ka miq më të mirë në Evropë sesa shqiptarët. Ata janë kokëfortë dhe besnikë. Ne i duam shqiptarët.

Zëri:  Ju keni sugjeruar administratën e re amerikane t’i marrë në konsideratë shqiptarët si aleatët më të rëndësishëm në këtë rajon, pse?

Phillips: Turqia është një aleat i pasigurt. Nëse Turqia kufizon përdorimin e bazës “Air Force” në Inçirlik afër Adana-s në Turqinë Juglindore, SHBA-ja mund t’i zhvendosë operacionet ajrore që synojnë ISIS-in në Irak dhe në Siri në bazën ajrore në Shqipëri. Duke pasur parasysh përafrimin e Turqisë me Rusinë dhe kërcënimin e Rusisë në Ukrainë, Poloni dhe Shtetet e Baltikut, a do të qëndrojë Turqia përkrah NATO-s nëse sulmon Rusia? Sipas Nenit 5 të Kartës së Aleancës, një sulm ndaj njërit është sulm kundër të gjithëve. Ndërrimi i aleancave përfaqëson një kërcënim real për interesat perëndimore dhe SHBA-në.

Shqiptarët duhet të hapin derë tek Trumpi

Zëri: A kanë nevojë shqiptarët për të hapur një kapitull të ri në administratën Trump?

Phillips: Presidenti Trump mbështet një politikë "Amerika së pari". Për të rritur bashkëpunimin amerikano-shqiptar, shqiptarët do të duhej të pyesin se çfarë ata mund të bëjnë për Amerikën përveç asaj që mund të bëjë Amerika për ta. Shqiptarët nuk duhet të marrin çdo gjë si të gatshme.

Zëri: Si i shihni shqiptarët në të ardhmen, në planin gjeopolitik?

Phillips: Shumica e shqiptarëve janë myslimanë. Shqiptarët paraqesin një alternativë për ideologjinë salafiste. Në përgjigje të mendimit islamofobik botëror të Trumpit, shqiptarët mund t’i profilizojnë vlerat e tyre të moderuara properëndimore në mënyrë që ta thellojnë miqësinë dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara.