QUINT-i mbështet ratifikimin e Demarkacionit

Aktuale February 23, 2017 - 07:59

Pozita dhe opozita nuk po lëvizin nga pozicionet e tyre sa i përket Demarkacionit me Malin e Zi, ndonëse miratimi i kësaj marrëveshjeje është njëra nga dy kriteret, përfshirë këtu edhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian (BE).

Në anën tjetër, përfaqësuesit e shteteve më me ndikim në Kosovë, ata të SHBA-së e të Gjermanisë, thonë se pa e ratifikuar Marrëveshjen e Kufirit me Malin e Zi dhe pa e luftuar korrupsionin s’ka liberalizim të vizave për Kosovën.

Zëdhënësi i ambasadës gjermane në Kosovë, Marten Menger, ka thënë për “Zërin” se liberalizimi i vizave tani është kompetencë e Komisionit Evropian, megjithatë ka nënvizuar se Kosova ende nuk i ka përmbushur kriteret e kërkuara.

"Çështja e liberalizimit të vizave është kompetencë e Komisionit Evropian. Kosova tashmë ka plotësuar një numër të madh të kritereve për liberalizimin e vizave, mirëpo kriteret përkitazi me Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi dhe me dëshmimin e luftimit të korrupsionit kanë mbetur pa u përmbushur”, ka thënë Minger për gazetën “Zëri”.

Ai ka shtuar se Ambasada gjermane nuk mund të japë ndonjë afat kohor se kur mund të ndodhë kjo pasi që, siç thotë ai, përmbushja e kritereve është detyrë e Qeverisë kosovare. “Përmbushja e këtyre kritereve është detyrë e Qeverisë kosovare dhe Kuvendit të Kosovës. Prandaj ne nuk mund ta japim një parashikim kohor”, ka shtuar Minger.

Pothuajse të njëjtin pozicion e ka mbrojtur edhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

Zëdhënësja e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, J. Michelle Schohn, ka thënë për gazetën “Zëri”, se SHBA-ja mbështet ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, e rrjedhimisht edhe të gjitha përpjekjet për anëtarësim në Evropë.

“SHBA-ja mbështet ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi dhe të gjitha përpjekjet e Kosovës për t’u integruar në institucionet euro-atlantike”, ka thënë Schohn. Ndërsa për të gjitha çështjet tjera lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët pyetjet duhet t’i bëhen Bashkimit Evropian.

Ndërkohë ditë më parë është publikuar draft-raporti për Matjen e Territorit të Kosovës, nga Komisioni gjithëpërfshirës i ekspertëve, i kryesuar nga akademik Hivzi Islami dhe i monitoruar nga përfaqësuesit e SHBA-së, BE-së dhe të KFOR-it. Sipas Qeverisë, në bazë të këtij raporti Kosova nuk ka humbur asnjë metër tokë me Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

“Qeveria e Kosovës ka mirëpritur konstatimin e Komisionit se Republika e Kosovës nuk ka humbur asnjë metër territor me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi”, ka thënë ndër të tjera Qeveria përmes komunikatës për shtyp.