Selimi: Ndihemi të rrezikuar nga Specialja!

Aktuale February 23, 2017 - 07:52

Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, ka paralajmëruar se rikthimi i Demarkacionit do ta rikthejë gazin lotsjellës në Parlament. Gjatë një interviste për “Zërin” ai ka folur edhe për Gjykatën Speciale, duke thënë se pasi kjo e fundit “është një gjykatë e padrejtë” kushdo që ka luftuar për lirinë e Kosovës do të duhej të ndihej i rrezikuar 

Lëvizja “Vetëvendosje” do ta kundërshtojë deri në zhbërje Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi dhe aktivitetet në këtë drejtim do të koordinohen edhe me subjektet e tjera opozitare për të mos e lejuar kalimin e kësaj Marrëveshjeje në Kuvend.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” deputeti i subjektit më të madh opozitar, Rexhep Selimi, duke shtuar se nuk e përjashtojnë as mundësinë e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend për të mos e lejuar kalimin e Demarkacionit.

Ish-eprori i lartë i UÇK-së, Rexhep Selimi, gjatë kësaj interviste për gazetën “Zëri” ka folur edhe për mundësinë e ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale, duke thënë se personalisht asnjëherë nuk është ndier i rrezikuar nga drejtësia, por, siç ka thënë ai, nga padrejtësia ndihet i rrezikuar edhe tani.

“Përderisa Gjykata Speciale është e padrejtë, do të duheshit të ndiheshit të rrezikuar edhe ju, edhe të gjithë qytetarët e Kosovë, në veçanti kushdo që ka luftuar për lirinë e Kosovës. Po të kishte drejtësi, unë nuk do të ndihesha i rrezikuar. Nga padrejtësia rreziku vjen për të gjithë”, ka deklaruar Selimi.

 

Demarkacioni mund ta rikthejë gazin

 

Zëri: Qeveria tha se Marrëveshja e Demarkacionit do të dërgohet në Kuvend në fillim të marsit, kurse ju keni deklaruar se do të vazhdoni ta kundërshtoni këtë marrëveshje. Si do ta kundërshtoni konkretisht?

Selimi: Ajo çka është e rëndësishme është se ne do ta kundërshtojmë me vendosmëri përballë një këmbënguljeje të pakuptimtë të Qeverisë për ta proceduar sërish në Parlament diçka që faktikisht qytetarët e Kosovës, shoqëria civile, qytetaria aktive, bashkë me opozitën e kanë shpallur të zhbërë këtë marrëveshje me reagimet e tyre. Dhe deri më tani e kemi penguar dhe do të vazhdojmë po ashtu ta pengojmë edhe në të ardhmen.

Nëse ata janë kokëfortë dhe këmbëngulës në diçka të padrejtë, ne do të jemi edhe më të vendosur në atë çfarë kemi të drejtë.

Zëri: Nuk i keni përjashtuar tensionet, a pritet të ketë gaz lotsjellës sërish?

Selimi: Gjendja është e tensionuar, opozita e bashkuar sërish do të jetë në këto pika siç ka vazhduar të jetë, për shkak se opozita, pa dallim të subjekteve politike, ka vazhduar të jetë konsistente në kundërshtimin e kësaj marrëveshjeje, ashtu si edhe në marrëveshjet e tjera. Ne do ta kundërshtojmë deri në zhbërje këtë marrëveshje, ashtu siç kemi bërë deri më tash. Se si do të veprojmë, cilat janë mënyrat dhe cilat janë aktivitetet tona përcaktohen me një bashkëveprim edhe me subjektet e tjera politike.

Zëri: Domethënë nuk e përjashtoni gazin lotsjellës?

Selimi: Absolutisht jo. Gazi lotsjellës ka qenë një ndër mjetet e shumta. Pra, sa herë të jetë e nevojshme që ky mjet të vihet në shërbim të mbrojtjes së interesave të qytetarëve, normalisht që nuk duhet të përjashtohet. Por, domosdoshmërisht ne nuk jemi të përcaktuar vetëm në një fokus dhe në një mjet ose në një mënyrë të aktiviteteve tona.

Zëri: Komisioni për Matjen e Territorit dje publikoi rezultatet për demarkacionin, si i keni parë ju këto rezultate?

Selimi: Duke parë që kush është vënë në krye të këtij Komisioni, duke parë që ky ka qenë i përzgjedhuri i Qeverisë, ndoshta është pritur një qëndrim i tillë, që do të jetë qëndrim politik, jo rezultat i një pune. Ne kemi pasur edhe kundërshtimet e anëtarëve të veçantë të Komisionit dhe ky rezultat është vlerësuar edhe prej atyre po ashtu si qëndrim politik sesa si rezultat i një pune profesionale. Dhe krejt ajo çfarë ndodhi në këtë Komision, gjoja për matjen e territorit, për të përfituar në kohë dhe për të krijuar ndonjë alibi, që Qeveria e Kosovës gjoja po mundohet ta sjellë demarkacionin aty ku duhet.

 

Demarkacionin si kusht e caktoi Qeveria, jo BE-ja

 

Zëri: Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë vazhdimisht po potencojnë se ratifikimi i Demarkacionit është kusht për liberalizimin e vizave, si do të mundë të ketë liberalizim nëse nuk plotësohet ky kusht?

Selimi: Dua t’ia kujtoj opinionit se liberalizimi ka qenë si nismë dhe si nevojë, por mbi të gjitha edhe si premtim shumë vite para se të ndodhte Marrëveshja për Demarkacionin. Rrjedhimisht, kjo nuk ka mundur dhe nuk mund të jetë kusht për liberalizimin e vizave. Pastaj, në anën tjetër edhe sikur të jetë kusht është një kusht i padrejtë ndaj një republike, një shteti dhe ndaj qytetarëve të saj. Në anën tjetër, liberalizimi ka të bëjë me lëvizjen e lirë të qytetarëve, jo me hapësira dhe territore. Unë e di që Qeveria e Kosovës ka lobuar në masë të madhe që ta bindë Bashkimin Evropian ta fusë këtë kusht jo për realizuar liberalizmin, por për ta realizuar eventualisht Demarkacionin. Pra, liberalizimi i vizave ka mbetur peng i Qeverisë, jo i Marrëveshjes për Demarkacionin. Sikur ne nuk do ta kishim një Qeveri të tillë, atëherë ne nuk do të kishim as këso marrëveshjesh për demarkacionin dhe njëkohësisht do ta kishim të kryer çështjen e liberalizimit të vizave. Ne e kemi hetuar që nuk ka qenë kusht nga Bashkimi Evropian, por ka qenë kusht i kërkuar nga Qeveria e Kosovës drejtuar bashkimit Evropian, që t’ia vërë asaj si kusht në rrugën drejt liberalizimit, duke e ditur që procesi i liberalizimit nuk është në varësi as të një marrëveshjeje ndërkombëtare. Ne e dimë që ka edhe probleme të tjera të Bashkimit Evropian, ne e dimë që liberalizmi edhe për shumë shtete ka ngecur edhe për arsye krejt të tjera, por Qeveria nuk do të duhej që të bëhej “argat i dreqit” për ta penguar edhe zhvillimin e Kosovës, për ta penguar edhe liberalizimin e vizave.

Zëri: Thoni se këtë marrëveshje nuk e caktoi si kusht BE-ja, por Qeveria. Pse mendoni se e ka bërë këtë?

Selimi: Qeveria, pra nënshkruesit e saj nuk e kanë bërë dhe nuk e kanë shpjeguar se kujt ia kanë borxh 8800 hektarë. Ne nuk ia kemi borxh askujt 8800 hektarë, madje asnjë pëllëmbë të territorit. Është e kundërta po të shihet historia, por sidoqoftë nëse nuk shihet historia, në rrethanat e shpalljes së Pavarësisë së vitit 2008, ne askujt nuk i kemi borxh asnjë pëllëmbë të Kosovës. Ne nuk do të duhej që qoftë edhe për liberalizim të vizave të jepnim territor. Edhe po të ishte kusht për liberalizimin nuk do të duhej ta këmbenim me diçka që nuk do të mundnim ta kthenim kurrë. Nuk kemi të drejtë ta bëjmë një gjë të tillë. Ne kemi gjakun tonë në ata gurë që Isa Mustafa e Hashim Thaçi duan t’i shesin dhe po ashtu nuk kemi të drejtë edhe për brezat që vijnë se do të na akuzojnë se kemi dhënë territor për diçka që është krejt relative.

Zëri: Dialogu me Serbinë tashmë ka kaluar në nivel të lartë, kurse ju keni kërkuar ndërprerjen e tij. A konsideroni se ky dialog duhet të ndërpritet apo vetëm ta ndryshojë formatin?

Selimi: Këto bisedime do të duhej të ndërpriteshin menjëherë. Absolutisht do të duhej që asnjëherë të mos bisedonim me Serbinë për ndërtimin tonë të brendshëm. Pra, bisedimet me Serbinë kanë qenë të padrejta edhe para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sepse shpalljen e pavarësisë e kemi mbështetur mbi negociata dhe kompromise të dhimbshme, të cilat i kanë pasojat edhe sot. Bisedimet kanë qenë të padrejta edhe të panevojshme, të padrejta edhe pas Pavarësisë. Edhe ne themi se duhet të bisedohet me fqinjët për gjërat e përbashkëta. Kosova nuk është diçka e përbashkët mes nesh dhe Serbisë, prandaj do të duhej t’i ndërprisnim menjëherë. Nëse do të duhej të kishim bisedime për serbët në Kosovë, atëherë ne nuk do të duhej të bisedonim me Serbinë për serbët në Kosovë, por ky relacion do të duhej të zhvendosej mes Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj, qofshin ata serbë apo kushdo që janë.

Zëri: Presidenti Thaçi tashmë ka iniciuar themelimin e Komisionit për të vërtetën dhe pajtimin mes shqiptarëve e serbëve, si e shihni këtë dhe sa është e arritshme kjo sipas jush?

Selimi: Thaçi është i shquar për këso përrallash. Edhe Serbia e di, edhe bashkësia ndërkombëtare se kjo është një sajesë e momentit për agjenda krejt personale të tij. Prandaj është joserioze, edhe qëllimi i tij është joserioz. Sa herë që është në telashe të veta (pozicioni i tij politik nuk po duket të jetë aq dominues çfarë ai ka paraparë dhe po ashtu në raporte të tjera që nuk dua t’i komentoj tash) e këto manovrime siç janë hipokrizia e tij përballë viktimave shqiptare dhe tash ky veprim i tij është thjesht hipokrit për të qenë në njëfarë skene politike, në njëfarë skene të opinionit, por sido që të jetë këto kanë të bëjnë me agjendën e tij personale, jo me interesin e qytetarëve.

 

 Nga padrejtësia ndihem i rrezikuar edhe tani

 

Zëri: Kosova ende nuk ka ushtri pasi Lista Serbe po e mban peng krijimin e saj, kush tjetër e mban fajin për moskrijimin e ushtrisë sipas jush?

Selimi: Ajo çfarë ka munguar deri më tash, përveç vullnetit të Listës Serbe për ta bërë ushtrinë e Kosovës, ka munguar edhe vullneti politik i Qeverisë së Kosovës për ta bërë një gjë të tillë. Që nga marsi i vitit 2014 deri më sot shndërrimi i FSK-së në FAK është përdorur thjesht si mall në një pazar politik, jo me qëllimin për t’u bërë, por me qëllimin që përmes FSK-së të arrihen qëllime të tjera. Deri më tani ata nuk kanë dashur ta bëjnë, jo pse nuk kanë mundur ta bëjnë. Në anën tjetër, ata edhe FSK-në e sotme nuk kanë dashur ta trajtojnë si ushtri, për shkak se FSK-ja nuk e ka të ndaluar të jetë më e armatosur, më e pajisur, të veprojë në gjithë territorin e Kosovës, të ketë numër më të madh të ushtarëve e të oficerëve. Përderisa Qeveria nuk ka dashur ta mirëmbajë FSK-në si ushtri, s’kemi si të presim që këta të njëjtin ta kthejnë në Forca të Armatosua të Kosovës. Me këtë Qeveri ne nuk do të kemi ushtri.

Zëri: Gjykata Speciale pritet t’i ngrejë aktakuzat e para në muajt në vijim, ndërkohë dihet se cak i kësaj Gjykate do të jenë ish-pjesëtarë të UÇK-së. A mund të ketë destabilizim të situatës pas ngritjes së aktakuzave?

Selimi: E keqja kryesore ka ndodhur në kohën kur është votuar kjo Gjykatë në Parlamentin e Kosovës, me 2/3 të deputetëve të Kosovës. Parlamenti i Kosovës ka bërë një gabim të madh. Parlamenti i Kosovës është i vetmi parlament në të gjitha njësitë federale të ish-Jugosllavisë i cili ka marrë përsipër diçka që nuk ka bërë. Këtë nuk e kanë marrë përsipër edhe ata që e kanë bërë, pra serbët. Normalisht Gjykata Speciale tash do t’i ketë efektet e saj. Ka qenë dhe mbetet e papranueshme dhe e padrejtë kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës, e cila ka qenë e drejtë. 

Zëri: A ndiheni i rrezikuar prej kësaj Gjykate kur dihet se keni qenë pjesë e UÇK-së?

Selimi: Unë asnjëherë nuk jam ndier i rrezikuar nga drejtësia, nga padrejtësia ndihem i rrezikuar edhe tani. Kështu që, përderisa kjo gjykatë është e padrejtë, do të duhej të ndiheshit të rrezikuar edhe ju, edhe gjithë qytetarët e Kosovës, në veçanti kushdo që ka luftuar për lirinë e Kosovës. Po të kishte drejtësi unë nuk do të ndihesha i rrezikuar, nga padrejtësia rreziku vjen për të gjithë.

 

 Dialog me Serbinë, në asnjë mënyrë

 

Zëri: Keni paralajmëruar disa herë rrëzimin e Qeverisë. Si do ta rrëzoni atë, a po planifikoni protesta?

Selimi: Rrëzimi i Qeverisë do të ishte shpëtim për Kosovën. Janë bërë bashkë PDK-LDK-Lista Serbe, janë bërë bashkë tre faktorë të cilët kanë bërë shumë të këqija dhe të rënda për Kosovën. Prandaj, ne kur kërkojmë rrëzimin e kësaj Qeverie e dimë që ditën kur rrëzohet kjo nuk ndodh mrekullia, por ndalet tragjedia.

Rrëzimi i kësaj Qeverie nuk është shpresë për të tjerët për të ardhur në pushtet, por është shpresë për Kosovën dhe diçka e domosdoshme. Rrëzimi i Qeverisë ka mundur të ndodhë më herët, duhet të ndodhë tani. Ne kemi bërë protesta dhe dihet cili ka qenë reflektimi i saj.

Zëri: Kur prisni të ndodhë kjo?

Selimi: Nuk mund të japim data dhe dita, do të duhej ata të reflektonin përballë kësaj gjendjeje të rëndë. Ne nuk do të ndalemi. 

 

Zgjedhje lokale dhe parlamentare

 

Zëri: Vazhdimisht thoni se do të ketë zgjedhje të parakohshme. Kur prisni që vendi të shkojë në zgjedhje?

Selimi: Në bazë të rrethanave mund të konstatojmë që jemi në një vit edhe për zgjedhje lokale, edhe të përgjithshme sepse siç po duket ky pushtet po i bën veprimet e fundit para se të kalojë në opozitë, qoftë me emërimet, qoftë me realizimin e interesave të huaja siç është Demarkacioni, sepse nga këndvështrimi i tyre ky është shansi i fundit i tyre.

Zëri: Në rast të zgjedhjeve a do të garojë Lëvizja “Vetëvendosje” e vetme apo në koalicion parazgjedhor me ndonjë parti politike?

Selimi: Jemi herët të flasim, por çfarëdo veprimi i përbashkët i faktorëve pozitivë në Kosovë për rrëzimin e kësaj klase të keqe do të ishte e mirëseardhur. Lëvizja “Vetëvendosje” një gjë e ka të qartë, do të duhej të krijonim partnerë dhe aleatë të duhur për rrëzimin e kësaj Qeverie. LVV-ja ka ditur të bashkëpunojë me të tjerët edhe duke qenë opozitë, normalisht që di të bashkëpunojë dhe të krijojë partnerë edhe për të qenë në pushtet.

Zëri: Domethënë, nuk i përjashtoni koalicionet parazgjedhore?

Selimi: Nuk i përjashtojmë koalicionet parazgjedhore, nuk i përjashtojmë ndërmarrjet e përbashkëta, por ne përjashtojmë dhe mohojmë të udhëhiqemi nga kjo Qeveri.

Zëri: Në rast se vini në pushtet a do ta kishit vazhduar dialogun me Serbinë?

Selimi: Në asnjë mënyrë. Shumë të prerë jemi. Jo. Në asnjë formë, në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë nuk do të bisedonim dhe nuk do të bisedojmë me Serbinë për diçka çka nuk i përket Serbisë. E Serbisë nuk i përkasin as qytetarët e Kosovës, qofshin ata serbë. Serbisë nuk i përket as territori i Kosovës, as institucionet e Kosovës, prandaj gjëja e parë që do të duhej ta bënim dhe do ta bëjmë do t’i ndërpresim bisedimet me Serbinë dhe t’i kthehemi dialogut me qytetarët serbë të Kosovës, pse jo.