Thaçi lë në hije Mustafën

Aktuale February 20, 2017 - 07:57

Thaçi vlerësohet të ketë tejkaluar në disa raste edhe kompetencat e tij, duke e defaktorizuar kryeministrin Isa Mustafa, derisa opozita e kritikon, ka nga ata të cilët mendojnë se ky është presidenti më i fuqishëm që ka pasur ndonjëherë Kosova. Ndërsa në ekzekutivin e vendit nuk mendojnë se presidenti Thaçi po i ndërhyn në kompetenca shefit të Qeverisë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçit, e ka lënë tërësisht nën hije kryeministrin Isa Mustafa, duke e defaktorizuar rolin e tij. Temat me të cilat duhet të merret kryeministri është duke i iniciuar dhe duke i trajtuar presidenti.

Thaçi vlerësohet të ketë tejkaluar në disa raste edhe kompetencat e tij, derisa opozita e kritikon, ka nga ata të cilët mendojnë se ky është presidenti më i fuqishëm që ka pasur ndonjëherë Kosova.  

Ndërsa në ekzekutivin e vendit nuk mendojnë se presidenti Thaçi po i ndërhyn në kompetenca shefit të Qeverisë.

Këshilltari i kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj, deklaron se kompetencat e funksionarëve publikë përcaktohen nga Kushtetuta e vendit.

“Jo, fare. Kushtetuta e Republikës së Kosovës parasheh qartë kompetencat e gjithsecilit funksion publik”, ka thënë Gecaj.

Subjekti më i madh opozitar, Lëvizja “Vetëvendosje” (LVV), e vlerëson Thaçin si një figurë kontroverse, e cila sipas tyre nuk gëzon besimin e popullit.

Ky subjekt e sheh Thaçin si personazh të kontestuar si brenda shtetit njësoj edhe në rrafshin ndërkombëtar. 

“Modeli i politikanit që përfaqëson Hashim Thaçi dhe ai që përfaqëson Isa Mustafa nuk kanë shumë dallim, Veprimtaria e tyre politike është e dëmshme, s'do të duhej të ishte hall se cili po e lë cilin anash”, ka thënë Shkodran Hoti, zyrtar për medie në këtë parti.

Kurse në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), vlerësojnë se përzierja e Thaçit në kompetenca të Mustafës vjen si dështim i rolit të tij si president.

Shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti, Pal Lekaj, e sheh presidentin Thaçi si njeri pragmatik, i cili siç shprehet Lekaj, nuk zgjedh mjete për t’i arritur qëllimet e veta.

“Një sjellje të tillë e ka edhe tani. Duke mos mundur ta luajë rolin e vet si president përzihet në kompetenca aty ku mundet. Izolimi i tij nga faktori ndërkombëtar e shtyn nga gabimi në gabim”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, politologu Ramush Tahiri e sheh pozitën e Thaçit si më të fortën deri tani në historinë e presidentëve kosovarë.

“Konkretisht pozita e Hashim Thaçit si president është më e fortë se e presidentëve përpara sepse është lider i partisë më të madhe, PDK-së dhe është në koalicion me partinë e dytë, LDK-në”, ka thënë ai.

Tahiri e sheh të kaluarën e presidentit si shkak për efikasitetin e tij, siç e quan ai, si lider i vendit.“Prandaj ai e shfrytëzon këtë të paraqitet si lider i vendit efikas e pragmatik”, potencon ai.

Derisa thotë se kompetencat e presidentit duhet t’i ketë në shqyrtim Kuvendi i Kosovës.

“Punën e presidentit, të kompetencave e angazhimeve, të të bërave e të të pabërave të tij, duhet ta ketë në shqyrtim Kuvendi i Kosovës i cili edhe e zgjedh”, ka thënë ai.

Duke theksuar që kosovarët duhet t’i respektojnë procedurat dhe kompetencat ligjore.

“Opinioni i publikut mund të jetë përkrahës ose jo por ne si shtet duhet të respektojmë procedurat dhe kompetencat ligjore”, ka përfunduar Tahiri.

Ndërsa, profesori universitar, Blerim Burjani, thekson se Thaçi shpesh tejkalon kompetencat e tij formale. Kjo sepse siç thotë ai, presidenti i tanishëm nuk është mësuar të jetë i dyti.

“Thaçi është  njeriu më i  rëndësishëm si për dështimet, siç është Asociacioni i Komunave Serbe, ai shpesh tejkalon kompetencat e tij formale të tanishme si president dhe me rol ekzekutiv”, ka thënë ai.