Thaçi: Progresi nëntëvjeçar i Kosovës është vlerësuar nga Trump dhe liderët europianë

Aktuale February 18, 2017 - 20:53

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka kërkuar qasje më strategjike të BE’së në raport me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Gjatë ditës në Samitin e Sigurisë që po mbahet në Munih të Gjermanisë ka zhvilluar takime dypalëshe me Komisionerin europian për zgjerim Johannes Hahn dhe Komisionarin europian për migrim çështjen e brendshme dhe shtetësi Dimitris Avramopoulos, me Presidentin e Sllovenisë Borut Pahor, me Sekretarin e Përgjithshëm të Interpolit, me përfaqësues të Bundestagut, me senatorë dhe kongresistë amerikanë si dhe me pjesëmarrës të tjerë.

Nga ky samit Presidenti Thaçi ka deklaruar se progresi nëntëvjeçar i Republikës së Kosovës është vlerësuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nga liderët europianë dhe vendet e tjera.

“Pjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Sigurisë në Munih është një mundësi shumë e mirë për Kosovën që të takohemi me liderë botërorë, që të informohemi për sukseset që ka arritur Kosova në veçanti në këtë përvjetor të nëntë të Pavarësisë”, tha Thaçi për RTK’në.

Tha se kishte mundësi që të dëgjojë mesazhe konkrete të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Matis dhe të liderëve të tjerë ndërsa theksoi se Kosova është duke punuar maksimalisht që të jetë pjesë e NATO’s, BE’së dhe OKB’së.